Negociatat, Kodheli rikonfirmon mbështetjen nga homologia sllovake

Më të fundit


Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, gjatë qëndrimit në Bratislavë u takua me homologen sllovake Csefalvayova, ku kjo e fundit i ka konfirmuar dhe një herë Shqipërisë se Sllovakia është pro zgjerimit të BE. Një konfirmim i tillë për mbështetjen e Shqipërisë u bë edhe nga Ministri i Jashtë i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, gjatë takimit që pati me homologun shqiptar, Gent Cakaj.

Kodheli falënderoi Sllovakinë për mbështetjen e dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe njëkohësisht vlerësoi orientimin pro zgjerim. “Mirënjohje për mbështetjen e Sllovakisë në procesin e integrimit të vendit tonë në BE, gjatë Presidencës së BE-së dhe më pas edhe si mbajtës i Presidencës së Vishigradit. Shqipëria luan një rol dinamik dhe stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kodheli. Në vijim ajo prezantoi reformat e ndërmarra nga qeveria duke u ndalur veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, procesin e vetingut si dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Kryetarja Kodheli shprehu interesin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në terma konkretë, duke paraqitur klimën e favorshme për investitorët. Duke u ndaluar tek turizmi si një pikë e fortë e Shqipërisë, Kodheli tha se ftesa vlen për gjithë qytetarët sllovakë, të cilët duan të vizitojnë bregdetin shqiptar apo të provojnë kuzhinën shqiptare duke shprehur bindjen se nuk do të mbeten të zhgënjyer.


Në kuadër të bashkëpunimit, Kodheli tha se diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht shkëmbimet mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Sllovakisë janë ende të zbehta. Në këtë drejtim, Kodheli ftoi homologen sllovake për një vizitë në Tiranë.

Nga ana e saj, Csefalvayova falënderoi Kodhelin për pasqyrimin e plotë të situatës në Shqipëri. “Shqipëria, Ballkani Perëndimor i përkasin gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht Evropës. Pikërisht për gabimet e bëra nga BE sot për përballemi me rrezikun që këto vende të mos integrohen. Kjo nuk është absolutisht e drejtë dhe unë personalisht jam një avokate e zgjerimit të BE-së”, tha Kryetarja e KPJ-së në Këshillin Kombëtar të Sllovakisë.

Ajo vlerësoi reformat e realizuara në Shqipëri dhe ndau të njëjtin mendim me kryetaren Kodheli sa i përket domosdoshmërisë së rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë në Shqipëri në një vizitë miqësore dhe zyrtare, Csefalvayova tha se do ta realizojë në momentin e parë që axhenda do t’ia lejojë.

Në takim morën pjesë edhe deputeti Xhemal Qefalia dhe ambasadorja e Shqipërisë në Sllovaki, znj. Enkeleda Mërkuri.




Skip to toolbar