Bushka: Ina Goxhajn e kam kushërirë, nuk e kam penguar të thotë të vërtetën!

Emri i saj doli në dosjen hetimore të SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si person që ka takuar para dhe pas hyrjes në SPAK deklaruesit për çështjen, në disa raste në shoqërinë e Ajola Xoxës.

Por, kryetarja e Komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka në shpjegimet që dha sot para ligjvënësve socialistë në mbledhjen e grupit parlamentar, shprehet se asnjëherë nuk është përpjekur për të penguar të vërtetën.

Në lidhje me takimin që ka pasur me Ina Goxhaj, një nga dëshmitaret që është pyetur nga SPAK gjatë procesit hetimor, Bushka tha se personi në fjalë është kushërira e saj.

“Sa i përket pretendimit për pengesë të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë si person që kam punuar më parë dhe kam lidhje gjaku. Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe i kam sugjeruar si juriste një kushërire të drejtat e saj. Vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë sepse jam e para e interesuar që e vërteta të dalë”, tha Bushka.

Më tej deputetja e PS hodhi dyshimet se Goxhaj mund të jetë intimiduar apo vendosur nën presion gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK për të bërë deklaratën që përfshin edhe Bushkën.

“E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për këtë nuk jam thirrur kurrë”, u shpreh Bushka.

Edi Rama: Mesazhi im për SPAK dhe Veliajn

Nga Edi Rama*

Mirëmbrëma nga unë jashtë programit! Sot jemi këtu për të kremtuar një përvjetor, 105 vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë i zgjedhur nga çerek milion zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës sonë politike me qytetarët e Tiranës. Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht dhe sinqerisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë, kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Unë nuk e di dhe nuk më takon mua ta them nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij siç ndaj çdo individi, nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por është dhe një detyrim ndaj të gjithë atyre që e kanë zgjedhur në mënyrë që të bëhen që të dyja, edhe puna për kontratën me zgjedhësit, edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë deri në fund, në një proces të rregullt me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar në të gjitha shkallët e gjykimit fajin ose pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër.

Për hir të vërtetës, ne deri më sot kemi zgjedhur që të mos komentojmë. Kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi. Është mbyllur në shtëpi në një qytet në skaj të Shqipërisë ku burimet njerëzore nuk janë të pafundme dhe i është ndaluar të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq, pa gjyq.

Mund të vazhdoj edhe me raste të tjera, i kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur që koha dhe reflektimi i brendshëm i institucioneve më të reja, domosdoshmëria për të pajtuar përpjekjet për drejtësi me standardet europiane të drejtësisë duhet të bëjnë të tyren pa pasur nevojë që ne të flasim. Mirëpo ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë pa lëkundjen e mbështetur nga ne për të hetuar dhe për të çuar përpara drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur t’i japësh mundësinë të ushtrohet dhe të gjithë kohën që ndërkohë hetohet dhe gjykohet.

Nuk dua të sjell shembuj nga Europa ku duam të integrohemi, por dua të them që paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu.

Thënë të gjitha këto, e përsëris që ne nuk kemi asnjë diskutim në domosdoshmërinë për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korrupsionit.

Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi, jeta e një njeriu, e familjes së tij si rezultat i një novele me dhjetëra e dhjetëra faqe anonime të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Më vjen keq, nuk e pretendoj që në këtë çfarë do them jam neutral apo i pavarur apo i zhveshur nga interesi sepse në fund të fundit, jam udhëheqësi, kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve dhe e kam të pamundur të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një linçim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit 3 muaj përpara zgjedhjeve.

Nuk po insinuoj asgjë, por po them që për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim përpara të cilit reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror, nuk ka, nuk ka, nuk ka. Ka një hetim për jetën e kryetarit të bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kjo nuk më takon mua ta them, por dyshimi i arsyeshëm është që është jashtë shinave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ne sot vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë. Vetëm një i pafytyrë mund të thotë që ne nuk i kemi dhënë drejtësisë të gjithë atë pavarësi që nuk e ka pasur që nga shpallja e pavarësisë të shtetit shqiptar në 1912, por ama nga ana tjetër, krejtësisht të bindur që kjo është rruga e duhur, krejtësisht të bindur që kjo është kthesa e vërtetë historike për Shqipërinë dhe për fëmijët tanë nesër që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe të gjithë të jenë subjekt i drejtësisë kur drejtësia ka të gjithë arsyet të veprojë, sot konstatojmë se jemi në një sfidë të re. Cila është sfida? Sfida është pavarësia e arritur duhet të garantojë dhe të garantohet nga profesionalizmi, nga standardet demokratike dhe nga garancitë për të gjithë liritë dhe të drejtat e kujtdo.

Prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në fund të një romani akt-akuzë me thuajse 400 faqe, ku faktikisht flitet deri dhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë.

Çfarë prezumimi pafajësie njeh ti, kur thua personi që unë po akuzoj nuk ka shfaqur pendesë? Ku jemi këtu? Nivelin e pendesës apo të jo pendesës mund ta konsiderojë dhe gjykojë vetëm gjykatësi. Nuk ka pendesë që mund të bëhet shkak për të rënduar pozicionin e personit nga ana e atij që akuzon. Po, kjo ka ndodhur, por ka ndodhur në një kohë tjetër, ku hetimet bëheshin me direktiva nga sigurimi i shtetit, atëherë po!  “Pendohu, bashkëpuno, etj për kriminelë ose për njerëz që duheshin nxjerrë patjetër si kriminelë, që nuk kishin diskutim prezumim pafajësie. Për çfarë shkruhet ajo në fund? 

Pra jemi në një situatë shumë delikate, jo për ne, në aspektin politik, jo për ne, në aspektin e raportit tonë me drejtësinë dhe e përsëris nuk më takon mua dhe nuk na takon ne dhe nuk kanë për ta dëgjuar njerëzit që ne të themi nëse Erioni është i fajshëm apo i pafajshëm. Kjo është e drejtësisë.

Por që ne do të ngremë shumë pyetje dhe shumë pikëpyetje, jo për këtë rast, por për shumë raste të tjera në vijim, duke e mbështetur drejtësinë, duke mbështetur pavarësinë e saj, por njëkohësisht duke kërkuar të drejta. Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar, e dini këtë? Jam dëshmitar për intimidim të personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia përpara rënies së regjimit. Jam futur në makinën e policisë, jam çuar në një repart a rajon çfarë ishte se unë si di mirë këto, në mos gaboj aty ku ka qenë Prokuroria e Tiranës, nuk e di nëse është aty akoma dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndieja që po tradhtoja babain. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati, që është punonjës në shtet duke i thënë: mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje fare me fajësinë apo pafajësinë e Erionit. 

Duke e mbyllur dua të them këtë: që ne kemi lënë një boshllëk në panoramën e zhvillimeve positive, por jo vetëm pozitive dhe jo gjithmonë pozitive të drejtësisë së re, ku kemi ata që veprojnë të mbështetur dhe për këtë sfidoj këdo, këdo, këta që na ngrenë e na ulin rrugëve, se unë i shoh, për mua janë rrugëve. Për mua ajo që ndodh në udhëkryqet e kanaleve të mbrëmjes është rrugaçëri. Është ngritja e llumit të gojës në piedestal.

Është triumfi i shpifjeve dhe i akuzave dhe shkatërrimit të çdolloj personi, për të vetmin faj që bën, që është një person publik. Dhe në ato udhëkryqe, unë i sfidoj të bëjnë, – gjë që ata nuk e bëjnë asnjëherë, – një kërkim dhe ta gjejnë një tjetër forcë politike në Europën ish lindore, në rajon nuk kanë për ta gjetur dot. Ta gjejnë në vende që sot janë në BE, një forcë tjetër politike në pushtet që në 5 vite rresht ka qepur gojën dhe vetëm ka thënë: Ecni përpara, ecni përpara, ecni përpara. Keni mbështetjen tonë.  Godisni majtas, godisni djathtas! Një tjetër forcë politike që ka ndarë në mënyrë vetëmohuese sepse ka marrë kosto shumë të mëdha vetveten nga drejtësia, në kuptimin që “duart larg”. Nuk ka! 

Rast i freskët, miku im, jam shumë krenar që e kam mik ish presidenti i Francës hyn, del, dënohet. Hyn, del. Jo hyn del në burg, hyn del nëpër gjyqe, dënohet, shkon në televizion dhe ku i dhëmb dhe ku i djeg prokurorëve dhe gjykatësve. Në Francë! Nuk ka.

Dhe nuk kam asnjë pendese për këtë dhe besoj se s’ka asnjë pendesë për këtë. Por ama, sot jemi në kushtet kur gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste. Dhe në këtë hapësirë janë ata që bërtasin “gijotinë për të gjithë” “Hosana” se nuk ka rëndësi a ka prova a s’ka prova, a është e vërtetë a s’është e vërtetë. Rëndësi ka që çdokush që merret me politikë, çdokush që ekspozon fytyrën e vet, çdokush që i vihet në dispozicion kësaj pune është një kriminel, një hajdut që duhet varur në litar dhe nga ana tjetër janë armiqtë e reformës në drejtësi që çdo ditë, çdo natë sulmojnë prokurorët e SPAK dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale. Këto janë dy ekstreme. Ne nuk mund të jemi as tek njeri as tek tjetri ekstrem dhe ne nuk mund ta lëmë më këtë boshllëk, por duhet të kërkojmë përgjegjshmëri. Jo duke thënë ne se kush është fajtori dhe kush është i pafajshëm, por duke kërkuar përgjegjshmëri. 

Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh, gjithsesi për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces.

Ua thashë unë jam bërë ndjekës i vëmendshëm i këtij procesi për arsye se jam gjendur krejt pa dashje në kushte që duhet të dëgjoja disa njerëz të artit. Nuk janë fare ata që shikoni nëpër ato listat, kështu që mund ta them se ata janë njerëz të lirë, njerëz të artit që kanë parë picir në hetimet apo intervista apo ca quhen ato me atë prokuror që realisht unë do të doja që të binde këdo me prova, mbase i ka. Po ama i ka apo si ka metoda është e papranueshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kërkuar ose ka kërkuar të dëgjohet nga Grupi Parlamentar. Pse? Për arsyen e thjeshtë se e ka dëgjuar nga televizori, jo nga prokurorët, nga televizori, nga gazetarë special që disponojnë dokumenta që nuk i kanë as të akuzuarit, i disponojnë më shpejt, që është person i dyshuar, kryetari i Komisionit të Ligjeve, jo se kryetari i Komisionit të Ligjeve mund të mos jetë person i dyshuar, por që të jetë një person i dyshuar që e merr vesh nga televizori, që emri i figuron në aktakuzë dhe të mos jetë pyetur asnjëherë. Ej, ça është kjo? Asnjëherë mos të jetë pyetur, mos i jetë dhënë e drejta e fjalës që thotë çfarë mendon apo jo?

Po, këto nuk janë shenja aspak të mira dhe unë dua të shpresoj që këto janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundjeje vetëkënaqësie dhe vetëbesimi dhe dua të besoj që ajo që kam thënë dhe unë qëndroj asaj në aspektin e rrezikut, që kjo nuk është republikë prokurorësh, të mos jetë diçka që tanimë është në materializimin e vet përfundimtar. Sepse do të ishte pastaj autogoli më i madh që në vullnet të mirë, edhe sy mbyllur për të kërkuar më të mirën për ta transformuar këtë vend, duke transformuar drejtësinë, ne do të bënim.

Tirana! Tirana, po ju them vetëm kaq, përpara tre ditësh kam pritur një nga organizatorët më të njohur të eventeve për shkak se kemi nevojë për asistencë për eventet që kemi përpara. Kemi Komunitetin Politik Evropian që vjen në Tiranë, të gjithë udhëheqësit e kontinentit europian nga Londra deri në Baku, nga Oslo deri në Ankara, 47 udhëheqës vijnë në Tiranë për Ditën e Komunitetit Politik Europian. Kemi Samitin e NATO-s. NATO vjen në Tiranë, të gjithë udhëheqësit, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, 5 mijë njerëz. Kemi Kongresin Botëror të Ligjit që vjen në Tiranë, mijëra njerëz dhe patjetër që kemi të domosdoshme që të organizojmë si duhet.

Unë po ju them që erdhi një moment që më vinte zor të dëgjoja çfarë thoshte ai. Një njeri që hyn tek një grup i vogël njerëzish që kanë kompanitë e mëdha, që organizojnë evente kudo në botë për Tiranën. I befasuar si fëmijë, nuk e kishte pasur idenë fare dhe kjo më kthehu dhe siç më kthen çdo herë që unë dëgjoj dikë që të flasin kështu, tek takimi im i parë me një gazetare të huaj, një gazetare italiane që erdhi këtu, unë isha ministër Kulture dhe më tha: Më vjen shumë keq, këtu nuk ka asnjë mundësi të bësh një fotografi që ta nxjerrësh për t’i thënë njerëzve, shiko sa bukur, po qe se e zbret aparatin poshtë malit dhe kap çfarëdo qoftë në qytet.

Kjo ka qenë Tirana, kjo ka qenë Tirana dhe sot Tirana është në një proces që po bëhet dhe do të jetë diçka e jashtëzakonshme kur të përfundojnë projektet, por për këtë na duhet të punojmë shumë fort. Edhe unë kam pas një takim, dy, tre takime brenda 24 orësh, me drejtuesit e nën drejtuar të bashkisë, edhe ju kam thënë që këtu nuk duhet të ndalet kontrata me qytetarët. Tirana duhet të shkëlqejë!

Unë kam shumë besim që me vajzat dhe me djemtë jam dakord me profesor Pllumin, që janë aty sot, dje ata pak që takova, ato dhe ata pak që takova, i kishin sytë pak përhumbur, sot i shkëlqenin. Sot ata më shumë që takova, sytë nuk i kishin me shkëlqimin e plotë, jam i bindur që nesër në mëngjes të gjithë do të shkëlqejnë sytë dhe të gjithë do të bëjnë gjënë e duhur, sepse përveç të tjerave, unë besoj që pavarësisht se roli i drejtuesit është i pazëvendësueshëm, Tirana është një mekanizëm, është një institucion që është në gjendje të bëj në mënyrë automatike një pjesë të rëndësishme të punës.

 Kjo do të ishte e paimagjinueshme në atë kohën kur s’kishte asnjë fotografi, do të ishte e paimagjinueshme. Kur kam hyrë për herë të parë në Bashkinë e Tiranës sot m’u kujtua, dje m’u kujtua kur hyra nuk dukej fundi i korridorit nga ana tjetër, se kishte vetëm tym cigare, nuk dukej, dëgjohej vetëm zhurma në atë tym ishte si ato filmat e Sorentinos, ku po të qëndrosh pak shef tymin, dëgjon zhurma dhe pastaj të dalin tre veta gjysmë nudo, gjysmë se nudo komplet vetëm unë kam dalë. Kështu që nuk po zgjatem më. U zgjata më shumë se sa ç’duhet. Si gjithmonë është kënaqësi për mua të jem këtu, nuk ishte e planifikuar edhe ju thashë edhe nënkryetarëve të bashkisë, unë kryetar bashkie kam qenë mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve dhe të gjithë këtyre çfarë quhen, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që, do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 maj kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë një marri flakëritëse cep e më cep, në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër.

Patjetër që vetvetiu, falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve.

Faleminderit! “

*Fjala e kryeministrit Edi Rama në kremtimin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë

“Lajmin se jam në hetim e mësova nga TV”, Bushka në grupin e PS: E vërteta ime për akuzat e SPAK

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka dha sot qëndrimin e saj, lidhur me hetimet që SPAK ka nisur ndaj saj, në dosjen e arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ajo tha se për hetimin ndaj saj është vënë në dijeni nga SPAK, ndërsa theksoi edhe një herë se me Ajola Xoxën dhe me Erion Veliaj, ka miqësi të hershme.

“Faleminderit që më dhatë mundësi të shprehem para jush . Përfshirja e emrit tim është një lajm që e  kam dëgjuar nga media përmes një deklarate nga SPAK. Si person që Ii ka dedikuar jetën ligjit, kam punuar me dinjietet, institucionet e reja të drejtësisë.

Dhe PS si maxhoranca udhëheqëse ka fituar besimin duke na cliruar ne. Premisa e dytë lidhet me Kuvendin, kam përgjegjësi që këto shqetësime ti ndaj me ju dhe më pas me opionon e njoh Ajolën dhe kam bashkëpunuar me të. Veliaj është miku im i fëmijërisë, kjo lidhje më ka bërë të përjetoj gjithë kalvarin e muajve të fundit.

Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës. Në cdo rast kam transmetuar besimin te drejtësia. Pas kontrollit të banesave disa prej tyre, njerëz që i kam njohur me kohë jam vënë në dijeni të një shqetësimi se ata janë intimiduar për të dhënë dëshmi. Jam shqetësuar për disa shkelje që iu janë bërë këtyre njerëzve përfshi Ajolën dhe Erionin. Duke i detyruar edhe të dëshmojnë kundër vetes.” tha Bushka.

“Mezi pres të dëgjohem!”/ Rama mbledh Grupin e PS për Bushkën: Jemi republikë parlamentare, jo prokurorësh

Mblidhet sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, njoftim i cili u bë ditën e ndjeshme nga kryeministri Edi Rama.

Pak minuta pasi deputetja socialiste Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve, e cila është vënë nën hetim nga SPAK, bëri të ditur se i ka kërkuar Grupit Parlamentar të PS se i ka kërkuar të dëgjohet në një prej mbledhjeve të tij, kryeministri Edi Rama ka rishpërndarë në rrjetet sociale postimin e deputetes Bushka.

E shoqëruar nga policë/ Ajola Xoxa mbërrin në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë

Ajola Xoxa ka mbërritur në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.

E shoqëruar nga disa oficerë të policisë, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Xoxa është parë teksa hyn në ambientet e GJKKO.

Për kryebashkiakun e Tiranës, SPAK ka dyshime se është i përfshirë në korrupsion por edhe në pastrim parash.

Ndërsa për Ajola Xoxën, prokuroria ka dyshime se përveç dy veprave penale që dyshohet Veliaj është e përfshirë edhe në fshehje dhe mos deklarim të pasurisë. Të mërkurën do ti komunikohet masa e arrestit në burg edhe biznesmenit Elman Abule, që akuzohet për pastrim parash. Po kështu në gjykatë do të paraqiten edhe biznesmenët, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkelqim Fusha që do të njihen me masën detyrim paraqitje.

Ata akuzohen për korrupsion aktiv të zyrtarëve ose të zgjedhurve vendor, Prokuroria njoftoi zyrtarisht se në lidhje me hetimet që janë zhvilluar ndaj Veliajt dhe personave të tjerë është marrë në hetim edhe deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua të hënën me kërkesë të prokurorisë së posaçme dhe prej 24 orësh mbahet i izoluar në bllokun e sigurisë në kryeqytet

Trump nuk heq dorë nga plani për Gazën: Ne do ta drejtojmë atë vend siç duhet, nuk do ta blejmë

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ai beson se Hamasi nuk do të përmbushë afatin e së shtunës për të liruar të gjithë pengjet, duke rrezikuar marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Në të njëjtën kohë, presidenti ripërsëriti deklaratën e tij se SHBA do të marrë në kontroll Gazën dhe se palestinezët do të mund të jetojnë të sigurt në një vend tjetër.

Duke folur me gazetarët përpara bisedimeve me mbretin jordanez Abdullah, Trump tha se “do të ketë” sipërfaqe toke në Jordani dhe Egjipt ku do të jetojnë palestinezët.

“Ne do ta marrim Gazën,” përsëriti ai, duke shtuar: “Ne do ta drejtojmë Gazën siç duhet, nuk do ta blejmë atë,” tha ai.
Trump tha gjithashtu se plani i tij do të krijojë shumë vende pune në rajon.

Kur u pyet nëse planifikon të marrë përsipër vetë ai zhvillimin e Rripit të Gazës, ai tha se jo. I pyetur se me çfarë të drejte SHBA-ja do ta merrte Gazën, ai tha “me autoritetin e SHBA-së”.

Jordania do të strehojë 2000 fëmijë të sëmurë nga Gaza

Trump ka thënë se do të konsiderojë ndalimin e ndihmës amerikane për Jordaninë nëse Amani refuzon të pranojë palestinezët e zhvendosur.

Mbreti Abdullah, megjithatë, më herët ka refuzuar çdo veprim që do të çonte në aneksimin e tokës dhe zhvendosjen e palestinezëve.

Kur u pyet sot nëse vendi i tij do të merrte palestinezët nga Gaza, ai tha se do të duhej të bëjë atë që ishte më e mira për Jordaninë. Ai shtoi se vendet arabe do të shkojnë në Uashington me një “kundërpropozim”.

“Çështja është se si do të funksionojë kjo në një mënyrë që do të jetë e mirë për të gjithë”, shtoi ai, pa e mbështetur apo hedhur poshtë planin e Trumpit.

Mbreti, megjithatë, tha se Jordania është e gatshme të pranojë 2000 fëmijë të sëmurë rëndë nga Gaza.

Monarku jordanez la të kuptohet gjithashtu se Egjipti po punon për një plan bashkëpunimi me Trump dhe se ky plan do të jetë në qendër të diskutimeve në Arabinë Saudite. “Le të presim që Egjiptianët të paraqesin” këtë plan, shtoi ai.

Sot masa e sigurisë për Veliajn, mbështetësit e tij grumbullohen pranë GJKKO

Dhjetëra mbështetës të Erion Veliajt janë grumbulluar pranë GJKKO-së, ku rreth orës 08:30 pritet verifikimi i masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës. Rreth orës 8:15 ka mbërritur para Gjykatës së Posaçme edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për të cilën është caktuar masa arrest shtëpie.

Sot masa e sigurisë për Veliajn, mbështetësit e tij

Për verifikim mase do të paraqitet edhe biznesmeni i arrestuar Elman Abule, si edhe 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, për të cilët është caktuar masa detyrim paraqitjeje.

Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. Prokurorë të dosjes janë Olsi Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij.

Martin Leka: Berisha do të jetë lideri i opozitës edhe pas zgjedhjeve të 11 majit, nuk do japë dorëheqje

Gazetari Martin Leka në emisionin “Real Story” në ABC News foli për zgjedhjet parlamentare.

Ai u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet përpara një prove të madhe, ndërsa shtoi se e di fare mirë edhe fundin e zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas gazetarit Leka, Berisha do të jetë lideri i opozitës, duke shtuar se nuk ka për dhënë dorëheqje.

“Gjithë problemi është tek fakti se Berisha është përpara një prove të madhe dhe sipas mendimit tim e di fundin e zgjedhjeve të 11 majit. Sado kosto që mund të ketë arrestimi i Veliajt, mendoj që Berisha do jetë lideri i opozitës me 11 maj e më tej dhe nuk ka për të dhënë as dorëheqje. Problemi është tek paqëndrueshmëria apo qasja e re e Edi Ramës ndaj SPAK.

E kuptoj që SPAK mund të ketë gabime dhe nuk mendoj që do të ketë krijuar atë hendek. Mendoj që publiku shqiptar nuk shkon poshtë 70 apo 80 % që mbështet SPAK. Problemi janë Berisha dhe Rama me qasjen e tanishme kundër SPAK. Tashmë ato rreth 900 mijë euro të shpenzuara, nga Xoxa për veshje e bizhuteri, këtë ka për detyrë që të qartësojë publikun me prova e fakte”, tha ndër të tjera Leka.

Arrestimi i Veliajt, a po godet SPAK vetëm majtas?/ Mërtiri: Elektoralisht, nuk e dëmton në pikën që Berisha të fitojë zgjedhjet

Analisti Ergys Mërtiri u shpreh për ‘Real Story’ se Rama e ndryshon diskursin sepse cënohet elektoralisht.

Sipas tij, lajmi i arrestimit të Erion Veliajt nuk do të ‘penalizojë’ Ramën në zgjedhje dhe se fati i tij është që ka një person përballë si Berisha i cili është vetë i akuzuar nga SPAK.

“Nuk është njësoj korrupsioni i qeverisë në pushtet me një qeveri të mëparshme. Rëndësia e hetimit nuk është njësoj ndaj njërit që ka bërë zullumin dhe ndaj dikujt që po bën zullum. Flasim për një prokurori me 20 prokurorë, me 1000 dosje ku vetëm dosja e Berishës ka 500 faqe. Sigurisht që prokuroria normale duhet të hetojë të gjithë, por kemi pamundësi për të hetuar të gjithë. Prokuroria do të jetë selektive. Nuk dua një prokurori që del me kandar në dorë dhe dënon në mënyrë të balancuar.

Dënon në bazë të peshës së korrupsionit, një korrupsion i kryer më parë nuk është njësoj me një korrupsion aktiv. Një kryetar bashkie që hetohet jo vetëm për fustanet, hetohet për fshehje pasurie. Bëhet fjalë për figurën e dytë më të pushtetshme që ka miliona euro në administrim. Rama e ndryshon diskursin sepse cënohet elektoralisht. Drejtësia duhet të hetojë sepse mendon që ai ka abuzuar.

Elektoralisht nuk ka për ta dëmtuar aq sa Berisha mund të mund Ramën sepse ai vetë hetohet nga SPAK, fati i Ramës është që ka përballë Berishën. Berisha dje tha që e ka arrestuar Rama dhe sot tha që ka dhe prokurorë të ndershëm.”, tha Mërtiri për Real Story.

“SPAK, asnjë ndëshkim në radhët e Berishës”, Arben Meçe tregon episodin: Kam denoncuar 1 miliard euro rrugë vjedhje dhe 40 milionë euro ujësjellësa

TIRANË– Analisti Arben Meçe theksoi në “Real Story” se SPAK nuk ka ndëshkuar asnjë figurë nga radhët e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe kjo krijon idenë e standardit të dyfishtë të drejtësisë.

“SPAK, asnjë ndëshkim në radhët e Berishës”, tha ai..

Ai tregoi një episod kur ka qenë drejtor i përgjithshëm te Ministria e Punëve Publike dhe pas dorëheqjes, kishte denoncuar sipas tij 1 miliard euro vjedhje rrugë dhe 40 milionë euro ujësjellësa.

“Unë kur isha drejtor i përgjithshëm të Ministria e Punëve Publike kam dhënë dorëheqje dhe kam denoncuar 1 mld euro rrugë vjedhje dhe 40 milionë euro ujësjellësa. Po them 8 vjet që ishte Berisha në qeveria bashkë me Ilir Metën, që shkalla e korrupsionit ishte drastike. Këto tetë vjet ndëshkuan Berishën falë korrupsionit, si nuk ke gjetur një dosje deri tani, mund të fillosh një dosje kryesisht”, tha ai./abcnews.al

Skip to toolbar