“Kërkojmë zgjedhje, Tirana nuk mund të ngecë”/ Alimehmeti: Të veprohet si me kryebashkiakët të tjerë

Kryetari i Këshilltarëve Bashkiakë të PD, Ilir Alimehmeti në emisionin “Rel Story”, foli për arrestimin e Erion Veliajt, duke u ndalur edhe tek kërkesa e PD për zgjedhje të reja në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Aliahmeti u shpreh se duhet të veprohet njësoj si me kryebashkiakët e tjerë.

“Kushtetuta është maja e Piramidës. Poshtë kushtetutës ka ligje, poshtë ligjeve ka edhe precedent. Çështja e Kushtetutës është që pushteti vendor dhe vendor janë të ndarë dhe të pavarur. Në momentin kur ndodh diçka me kryetarin e Bashkisë, si kjo që ka ndodhur, atëherë është shumë qartë ligji, që thotë organi përfaqësues është Këshilli Bashkiak. Fuqitë i kalojnë zonjës Kuko dhe këshilltarëve të tjerë dhe më pas me votë mund të propozojnë. Nuk e kemi me emrin e personit, por procedura është kjo. Personi që ngarkohet me punë është i cunguar, ligji i jep vetëm që të ecë përpara ca kohë, ndaj është i përkohshëm. Kjo është arsyeja përse na duhet personi i zgjedhur, të mos e lësh Tiranën të ngecë. Nuk na intereson realiteti im imi apo i joti. Ne kemi detyrë të mos e lëmë Tiranën të ngecë. Arsyeja që ne duam ta bëjmë është sepse Tirana kështu ngec, sepse nuk dihet sa zgjat. Pra nuk mund të jetë Rama, ka një Kushtetutë që thotë nuk mund të jesh ti, përfaqësuese është Këshilli Bashkiak, dhe ekzekutiv është kryetari i bashkisë jo kryeministri, ky është precedent i keq për ne. Ndaj duhet të kthehemi me këmbë në tokë”, tha ai.

Kodi, Kuvendi shtyn votimin/ Deputetët luajnë luftash, pezullohet Flamur Noka

Emigrantët duhet të presin edhe katër ditë për ndryshimet që u lehtësojnë procesin e votimit më 11 maj.

Parlamenti shtyu për të hënën diskutimet dhe miratimin e amendamenteve të kodit zgjedhor, ku përfshihej, pagesa e plotë e postes për fletën e votimit, numërimi i votave të diasporës me komisionere politike, afrimi i afatit për publikimin e listave të kandidateve si dhe votimi i tyre me dokumente të huaja, kërkese e opozitës e cila pritet të marrë kartonin e kuq të mazhorancës.

Jo vetëm mosdakortësitë për kodin zgjedhor por edhe përpjekja e demokratëve për të përfshirë në seancë çështjen Veliaj, nxiti tensione të ashpra në sallën e kuvendit.

Edhe këtë herë protagonist ishte Flamur Noka. Deputeti demokrat tentoi disa herë të bllokonte foltoren, ku nuk munguan as përplasjet me gardën e republikës apo shishet e ujit në drejtim të ministrit Balla, ç’ka pasoi edhe me përjashtimin e tij nga salla.

Pas Nokës, Stafetën e mori Petrit Doda dhe Elda Hoti, e cila mblodhi kartonët e votimit për të pamundësuar vijimin e seancës.

E teksa demokratët bllokonin foltoren e kuvendit, nga jashtë tij Sali Berisha akuzonte mazhorancën për lidhje me krimin.

Ndërsa i pyetur nga Abc News për të disatën herë nëse do ta bënte publike kontratën me menaxherin e fushatës Kristofer LaCivida, kryedemokrati tregoi formën, por jo shifrat.

BE: Riaktivizojmë dialogun/ Shefja e diplomacisë së unionit takim me Petersen në mars

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka thënë se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për të bërë funksionale bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se do të ulet në mars me diplomatin danez dhe e ka adresuar këtë edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë. Ky i fundit është shprehur i gatshëm për të investuar kohë në normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që në vitin 2011.

Vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të BE, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku.

Bashkimi Europian ndër të tjera ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

“Central Park” mbulohet nga bora pas stuhisë në New York

“Central Park”, parku më i madh në New York dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë, është mbuluar nga bora pasi stuhia kaploi qytetin e New Yorkut.

Stuhia dimërore me reshje të borës ka sjellë pamje mahnitëse në parkun urban më të vizituar në SHBA prej 843 hektarësh, në të cilin vizitorët shijojnë ngjyrën e bardhë që mbizotëron në zonë.

Sipas autoriteteve, stuhia dimërore mbrëmë soli borën më të madhe në jug të New Yorkut, me më shumë se 15 centimetra të raportuara në pjesë të Jersey-t Jugor, ndërkohë në “Central Park” u raportua për rreth 4 centimetra reshje të borës.

Bruksel, ministri Vengu: Marrja e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit, prioritet

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i pranishëm në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve luftarake.

Reagimi i plotë:

Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjala ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

Nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.

Shpreha gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në: më shumë kapacitete operacionale, ringjallje të industrisë ushtarake, infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës. Në këtë kontekst, një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme.

Gjithashtu, theksova nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi.

“I dënuar”, Veliaj: Paçavurja në dosjen time. Prokurori u përpoq ta kalonte këtë skandal duke e cilësuar si lapsus

Kryebashkiaku Erion Veliaj u la në masën “arrest me burg” nga GJKKO.

Veliaj ka reaguar në një mesazh të gjatë ndërsa hedh akuza ndaj prokurorit Ols Dado, duke thënë se ka hartuar një “paçavure” dhe se hetimet kundër familjes së tij nuk janë aspak serioze.

REAGIMI i PLOTË:

Kurdisja e një paçavureje 1 Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado. U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur:

“Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.” Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër. Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time. Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.

Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”? Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.

Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.

Kryeqyteti ‘dimëror’ i Polonisë pëson ndryshime për shkak të temperaturave

Një nga vendet më të rëndësishme të turizmit dimëror në Poloni, Zakopane, këtë dimër po përjeton një nga sezonet më të vështira të dimrit për shkak të reshjeve të pakta të borës.

Zakopane, një qendër e turizmit dimëror në Poloni, ndodhet në malet Tatra. Përderisa nuk ka borë në këto male që ndodhen në lartësinë mbidetare prej 1.400-1.500 metrash, pistat e skive mbahen në këmbë me borë artificiale.

Labirinti më i madh i borës në Evropë u mbyll herët për shkak të shkrirjes ndërsa vetëm 61 centimetra borë u matën në majën Kasprowy Wierch, duke ndikuar negativisht në turizmin dimëror në rajon.

Fotografitë e shkrepura nga të njëjtat kënde të të njëjtit rajon më 21 janar 2023, zbulojnë uljen e nivelit të borës.

Transportonte emigrantë kundrejt pagesës, arrestohet 32-vjeçari në Gjirokastër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted 1”.

Në pranga ka rënë një 32-vjeçar i akuzuar si bashkëpunëtor në një rast të dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin e datës 19.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, sepse më datë 10.03.2022, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (të arrestuar në datat 05.05.2022 dhe 20.02.2024), transportonte me furgon, kundrejt pagesës, 16 emigrantë nga Vendet e Treta, që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Hapen dy kapitujt të tjerë me BE/ Integrimi, hapet i treti dhe i dyti. Lidhen me ekonominë dhe konkurencën

Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për çeljen e grupkapitullit të tretë për Shqipërinë, Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithpërfshirëse. Lajmin e dha vetë kryeministri Rama, i cili njoftoi gjithashtu se më herët Presidenca polake e cila ka drejtimin e Brukselit, dorëzoi në fundt të janarit letrën për grupkapitullin e dytë, futjen në tregun e brendshëm europian.

“Dje ishte një tjetër moment historik në proces, kështu quhen në gjuhën e Brukselit dhe në gjuhën e vendeve të tjera që negocionojnë, momentet kur hapet një derë tjetër. Shqipëria mori letrën e rezidencës polake, të këshillit të BE, ku na thuhet se vendi ynë është gati të çel negociatat edhe për grupkapitullin e tretë. Letra i kërkon BE, paraqitjen e pozicionin negociues për 8 pika. Kjo letër pasoi me shpejtësi dhe me procesin e negociatave kemi hyrë me një shpejtësi shembullore. Kjo shpejtësi lidhet me krijimin e kushteve. Në 29 janar Shqipëria mori letrën e presidentes polake, për grupkapitullin e dytë. Me këto grupletra të hapura ne bëhemi të dytë në rajon. Mos harroni nga e kemi nisur, si vrima e fundit e kavallit. Nuk na qaste njëri dhe nuk na jepnin as statusin e fundit të kandidatit”

Në hapat e shpejtë drejt BE, Rama garanton se modeli i Inteligjencës Artificiale implementuar tek platforma e integrimit, do të sigurojë përmbylljen e procesit nga ana teknike deri në 2027.

“Besoj që jemi në një kulm dhe sfida e këtij kulti është të ruajmë ritmin për të cilin jemi mbledhur dhe këtu sot. Sepse siç e kam thënë kohë më parë dhe e kemi përsëritur me Majlindën dhe Adean, që të përgatitemi dhe kur të vijë kjo fazë të kemi dhe Inteligjencën Artificiale. Besoj që se e keni dëgjuar që ditën tjetër kam kontaktuar Mira Muratin dhe i kam thënë a do e ndihmosh Shqipërinë të futet në Europë? Filloi të qeshte se kujtoi se po bëja ndonjë batutë. Edhe vendet në rajon kanë angazhuar armata të tëra me përkthyes dhe redaktor, ndërkohë ne jemi gati me këtë projekt të mbyllim dhe të jemi gati që brenda 2027 të jemi gati nga ana teknike dhe të merremi me procesin politik.  Edhe 2030 të na gjejnë në rresht i pari pasi te të huajt emri jonë fillon me A, ndërsa te ne me SH”,

Në fund të 2024, u hapën dy grup kapitujt e parë, Themeloret e Politikat e Jashme. Të tjera hapa të shpejtë  këto në objektivin e qeverisë shqiptare për të mbyllur procesin e negociatave në 2027, e për tu anëtarësuar në BE brenda vitit 2030.

Trump: Putini dhe Zelensky duan paqe

Presidenti Donald Trump tha se si Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskiy shprehën dëshirën për paqe, gjatë telefonatave të veçanta që patën me të dhe se zoti Trump ka urdhëruar zyrtarët më të lartë amerikanë që të nisin bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Komunikimet telefonike u zhvilluan pasi, më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga objektivi për anëtarësim në NATO dhe përpjekja që të kthehet në kufijtë e vitit 2014. Ai i bëri komentet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin e parë të tij në NATO.

Pasi bisedoi me zotin Putin për më shumë se sa një orë, zoti Trump tha se udhëheqësi rus, i cili nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, mbështet dhënien fund të luftës dhe se ata kishin diskutuar për “arritjen e një armëpushimi në një të ardhme jo shumë të largët”.

“Ai do që lufta të marrë fund. Ai nuk do që lufta të ndërpritet dhe luftimet të rikthehen sërish pas 6 muajsh”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se jemi në rrugën drejt arritjes së paqes. Mendoj se Presidenti Putin do paqe, Presidenti Zelenskiy do paqe, unë dua paqe. Thjesht dua që të mos shoh më njerëz të vriten”, shtoi Presidenti amerikan.

Zoti Trump ka deklaruar prej kohësh se synon që t’i japë fund luftës në Ukrainë, por pa dhënë hollësi se si mund ta arrijë këtë.

Më herët Kremlini tha se zoti Putin dhe zoti Trump kishin rënë dakord të takoheshin dhe se udhëheqësi rus e kishte ftuar presidentin amerikan që të vizitonte Moskën. Zoti Trump tha se takimi i tyre i parë “ndoshta mund” të ndodhë së shpejti në Arabinë Saudite.

Në një postim në platformën e tij sociale, zoti Trump tha se Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, shefi i CIA-s John Ratcliffe, këshilltari për siguri kombëtare Michael Waltz dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëhiqnin negociat për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti Trump dhe Presidenti Zelensky folën pas bisedës së zotit Trump me udhëheqësin rus. Zyra e Presidentit Zelensky tha se biseda zgjari rreth një orë.

“Pata një bisedë kuptimplotë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Biseduam… për mundësitë për të arritur paqe, e diskutuam gatishmërinë tonë për të punuar së bashku… dhe kapacitetet teknologjike të Ukrainës… përfshirë dronet dhe industritë e avancuara”, shkroi zoti Zelensky në platformën X.

Presidenti Trump tha se Sekretari Rubio dhe Nën Presidenti JD Vance do të zhvillojnë bisedime lidhur me luftën, të premten, në konferencën vjetore mbi sigurinë, në Mynih, ku pritet të marrin pjesë zyrtarët ukrainas.

Thirrjet telefonike erdhën pas këmbimit të burgosurve, gjatë të cilit Rusia liroi mësuesin amerikan Marc Fogel nga Pensilvania, pas tre vitesh qëndrimi në burg nën akuzat për posedim droge. Alexander Vinnik, një kriminel i dënuar rus, po lirohet në këmbim të zotit Fogel nga Rusia, sipas burimeve në dijeni të marrëveshjes që folën me kusht të mos identifikoheshin.

Vinnik u arrestua në vitin 2017 në Greqi me kërkesën e autoriteteve amerikane nën akuzat për mashtrim me kriptovaluta. Ai më vonë u ekstradua në Shtetet e Bashkuara ku pranoi fajin për pjesëmarrje në komplot për pastrim parash. Ai për momentin ndodhet në burg në Kalifoni, duke pritur transportin për t’u kthyer në Rusi, sipas zyrtarëve.

Presidenti Putin foli për herë të fundit me një president amerikan në shkurt të vitit 2022 kur pati edhe telefonatën me Presidentin Joe Biden pak pas të cilës urdhëroi futjen e mijëra trupave në Ukrainë.

Gjatë vitit të parë të luftës, Ukraina arriti t’i largonte forcat ruse nga lagjet përreth Kievit dhe rimori nën kontrollin e saj pjesë të mëdha të territorit të pushtuar nga Rusia.

Por Moska ka qenë në avantazh në fushëbetejë që nga kundërofensiva e dështuar e Ukrainës në vitin 2023, duke përparuar ngadalë por gradualisht në luftimet intensive që kanë shkaktuar vdekjen apo plagosjen e qindra mijëra ushtarëve nga dyjat palët dhe që ka shkatërruar qytetet ukrainase.

Rusia ka nën kontrollin e saj rreth një të pestën e Ukrainës dhe kërkon që Kievi të heqë dorë nga më shumë territore dhe që të deklarohet si pjesë e marrëveshjes paqësore si shtet neutral përgjithmonë. Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO apo t’i ofrohen garanci të ngjashme sigurie për ta parandaluar një sulm të sërish të Moskës.

Në diskutimet e fundit, Kievi duket se ka pranuar që nuk do të pranohet në NATO së shpejti dhe ka theksuar nevojë për përkrahje ushtarake si pjesë të një marrëveshjeje të paqes.

“Nëse Ukraina nuk është në NATO, do të thotë se Ukraina do ta ndërtojë NATO-n në territorin e saj. Prandaj na duhet një ushtri e madhe si ajo që ka Rusia sot”, deklaroi Zelensky në një intervistë për revistën ‘The Economist’, e cila u publikua të mërkurën.

“Dhe për këtë, ne na nevojiten armë dhe fonde. Dhe këto do t’ia kërkojmë Shteteve të Bashkuara”, tha ai, duke e përshkruar këtë si “planin B” të tij.

Skip to toolbar