Vrasja e 27-vjeçarit Klaudio Prendi do t’i kalojë për hetim Prokurorisë së Posaçme.
Raportohet se SPAK do të marrë në dorë dosjen e ekzekutimit të 27-vjeçarit, që u vra në një atentat në kryqëzimin e zonës së xhamllikut në Tiranë në orët e para të 19 Nëntorit.
Dyshohet se autorët e vrasjes së Prendit janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Klaudio Prendi u ekzekutua me silenciator sapo hyri në makinën e tij pasi doli nga një lokal.
Automjeti i autorëve ju afrua paralel makinës së viktimës dhe prej andej u qëllua disa herë me armë.
Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan në drejtim të zonës së Xhamllikut, për të dalë më pas në Unazën e Madhe e më tej në Farkë, aty ku dogjën makinën së bashku me armën tip pistoletë me silenciator.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të mërkurën se do të emërojë gjeneralin Keith Kellogg për të shërbyer si ndihmës i presidentit dhe i dërguar i posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë.
Zoti Kellogg, një gjeneral në pension, i cili ka qenë prej kohësh këshilltari kryesor i zotit Trump për çështje të mbrojtjes, shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare i ish-nënpresidentit Mike Pence, gjatë administratës së parë Trump.
Presidenti i zgjedhur e bëri njoftimin në llogarinë e tij në median sociale “Truth Social” ku shkruante: “Ai ishte me mua që në fillim! Së bashku, ne do të sigurojmë paqen përmes forcës dhe do ta bëjmë Amerikën dhe botën përsëri të sigurtë!”
Emërimi i zotit Kellogg vjen ndërsa në muajin shkurt shënohet tre vite që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë.
Zoti Trump ka kritikuar administratën Biden për ndihmën në miliarda dollarë për Ukrainën. Uashingtoni kohët e fundit ka rritur dërgesat në armatime dhe ka falur miliarda dollarë në kredi që i janë dhënë Kievit.
Presidenti i ardhshëm republikan ka thënë se ai mund t’i japë fund luftës në 24 orë, por pa dhënë detaje se si do të ndodhë një gjë e tillë.
Në prill në një artikull për Institutin e Politikave Amerika e Para, një nga disa grupet e formuara pas administratës së parë Trump për hedhjen e bazave për administratën e ardhshme republikane, zoti Kellogg shkruante se “përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë do të kërkojë një udhëheqje të fortë bazuar tek politika Amerika e Para, për të arritur një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund menjëherë konfliktit mes palëve ndërluftuese”.
Këshilli i Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë vendim për të anuluar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili ishte planifikuar të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum, në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.
“Samiti është anuluar sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Ka pasur një ankesë ndaj atyre që u kualifikuan si ofertuesit më të mirë”, tha Helez për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se tenderi i ri për organizimin e samitit do të shpallet “menjëherë” dhe se me shumë gjasë kjo ngjarje mund të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
Kjo ngjarje ishte planifikuar të mblidhte udhëheqësit kryesorë nga rajoni dhe BE-ja, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.
Në samit, megjithëse nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, siç është thënë për REL nga Delegacioni i BE-së në Bosnje e Hercegovinë, pritej të merrte pjesë edhe Marta Kos, e cila më 1 dhjetor merr detyrën e komisionares së BE-së për Zgjerimin.
Kjo do të ishte një nga vizitat e saj të para zyrtare.
Për të dytin vit radhazi, më 28 nëntor, Bashkia e Tiranës do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shqiptarët nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë.
Me rastin e këtij aktiviteti, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve.
Plani i plotë i masave të hartuara nga Bashkia e Tiranës Ndalimin e qarkullimit të automjeteve në datën 28.11.2024, nga ora 09:00 deri ne orën 14:00, për mbarëvajtjen e aktivitetit kulturor “Parada Shqiptare”, në hapësire publike, të organizuar, në sheshin “Italia” në gjithë sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Deshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skenderbej”.
Qarkullimi i automjeteve, do të vazhdojë në rrugët si më poshtë: – Në rrugët “Lek Dukagjini”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, në Bulevardin “Zhan D’ Ark dhe Bulevardin “Bajram Curri”, rruga “Abdyl Frashëri” si dhe rruga “Ismail Qemali”.
Itinerari i lëvizjes së mjeteve të linjes urbane do të pezullohet përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “‘Nënë Tereza”, sikurse në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, si më poshtë:
-Linja Nr. 1/A “Selitë – Kristal – Qendër – Stacioni i Trenit – Allias” dhe 1/B “Kodra e Diellit 2 – Kristal – Qendër – Stacioni i Trenit – Allias” devijon te sheshi “Ëillson” për të vazhduar në kthim në rrugët “Sami Frashëri”-“Myslym Shyri”-“Ibrahim Rugova” – bulevardi “Gjergi Fishta”, kurse pjesa tjeter e itenerarit te kryqëzimi i Ministrisë së Drejtësisë.
– Linja Nr. 2 “Teg – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” devijon te sheshi “Willson” – Linja Nr. 3 “Kashar-Yzberisht – Qender” devijon te rruga e Kavajës në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova” (Banka e Shqipërisë) dhe tek Kafe “Flora”- rruga “Mine Peza” – rruga e “Durrësit”.
– Linja Nr. 4 “Qendër – QTU – Megatek – City Park” devijon nga sheshi “Karl Topia” – “Zogu I” -rruga “Fortuzi” – rruga e Durrësit. – Linja Nr. 5/B “Institut – Qendër” devijon nga sheshi “Karl Topia” – bulevardi “Zogu I” – rruga “Fortuzi” – rruga e Durrësit.
– Linja Nr. 8 “Ish Stacioni i Trenit – Qender – Sauk i Ri/ Sauk i Vjetër/ Sanatorium – Teg” devijon në krygezimin e Elbasanit- “Ismail Qemali” – Bulevardi “Bajram Curri” -rruga “e Elbasanit”.
– Linja Nr. 9 “Qyteti Studenti” – ruga “Jordan Misja” devijon ne kryëzimin e rruges se “Elbasanit”- rrugën “Ismail Qemali” – rrugën “Papa Gjon Pali Il” – bulevardi “Bajram Curri”-rruga e Elbasanit dhe pjesa tjetër e itinerarit bulevardi “Zogu I” – rruga “Fortuzi” – rruga “Mine Peza”.
– Linja Nr. 10/A “Marteniteti i Ri – Qender – Ish Fusha e Aviacionit” devijon te ura e rruges se Elbasanit dhe pjesa tjeter te rruga e “Kavajës” në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova” (Banka e Shqipërise).
– Linja 10/B “Qendër – Mihal Grameno -Qender” devijon te ura e rrugës së Elbasanit. – Linja Nr. 12/A “Uzina Dinamo e Re” – Sharrë devijon në kthim te rruga e Kavajës në kryqëzim me rrugën Ibrahim Rugova” (Banka e Shqipërisë) dhe pjesa tjetër “Zogu I” – “Fortuzi” – “Mine Peza”.
– Linja 12/B “5 Maji – Sharrë” devijon në kthim te rruga e Kavajës në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova” (Banka e Shqipërisë) dhe pjesa tjeter bulevardi “Zogu I” – rruga “Fortuzi” rruga “Mine Peza” -Unaze – rruga “5 Maji”.
– Linja Nr. 13 “Tirana e Re” sipas sensit orar të devijohet ne rrugën kryqëzimin me rrugën “Myslym Shyri” drejt “Librit Universitar” në kthim te sheshi Ëillson.
– Linja Nr. 15 “Kombinat – Kinostudio të devijoje te rruga e Kavajës në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova” (Banka e Shipërisë) dhe pjesa jetë në kryqëzimin me “Unazën e Vogël” të vazhdojë drejt (mbrapa TOB).
– Linja Nr. 16 “Linja e Gjelbërt” të devijojë te ura e rrugës së Elbasanit dhe ura e rrugës “Sami Frashëri”.
Qarkullimi, i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka uruar Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. Përmes një postimi në Instastory, ylli i popit ka zgjedhur vargjet e himnit kombëtar për t’i uruar gjithë shqiptarët sot.
Kujtojmë se Dua është shumë e lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë.
Ajo, së bashku me babain e saj Dukagjin Lipa, organizon çdo vit festivalin “Sunny Hill”, fitimet e të cilit shkojnë për bamirësi të njerëzit në nevojë. Gjithashtu, Dua vjen dhe me pushime në Shqipëri gjatë sezonit veror, duke prezantuar para miliona ndjekësve plazhet e detit Jon.
Ka nisur në Vlorë ceremonia zyrtare në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë, me prezencën e krerëve më të lartë të shtetit.
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha pas këndimit të Himnit Kombëtar, kanë vendosur kurora me lule pranë Monumentit të Pavarësisë në Sheshin e Flamurit.
Sakaq, në 112 vjetorin e pavarësisë, Vlora është veshur kuq e zi dhe qindra qytetarë, mes tyre shumë të ardhur nga Kosova janë bërë pjesë e festës me veshje kombëtare
Ambasada Amerikane në Tiranë ka uruar shqiptarët me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë.
“Ambasada e ShBA feston me krenari bashkë me ju“, thuhet në postim e ambasadës në rrjetet sociale.
“Urime Shqipërisë në 112-Vjetorin e Pavarësisë! Ambasada e ShBA feston me krenari bashkë me ju. Për të shënuar këtë ditë, Jakob Curatola-Wozniak, i cili po mëson shqip teksa shërben në Shqipëri me bashkëshorten e tij, interpretoi himnin kombëtar”, shkruhet në njoftim.
Ndërkohë që një mesazh për pavarësinë ka dërguar dhe sekretari i Shtetit.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet tona më të mira popullit të Shqipërisë teksa ju festoni 112-vjetorin e Pavarësisë. Marrëdhënia e ngushtë midis kombeve tona është e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë reciproke për paqe dhe siguri”, shkruan Antony Blinken.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të postojë në rrjetet sociale një këngë për të uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 28 nëntorit, Ditën e Pavarësisë.
Kreu i qeverisë ndaj videon që është realizuar me ngjyrat kuqezi nga disa të rinj, në disa prej kryeqendrave të Shqipërisë.
“Me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama.
Në prag të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana është bërë qendër e festimeve kombëtare, duke mirëpritur shqiptarë nga e gjithë bota. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga brenda dhe jashtë kufijve.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe pasurisë së traditave që bashkojnë shqiptarët.
“Ky është një moment që përmbledh unitetin tonë kombëtar dhe pasqyron pasurinë e traditave tona. Jam vërtet shumë mirënjohës dhe krenar që unioni i bashkive shqiptare në rajon, është një union që lidh qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor dhe luan një rol kyç të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në realizimin e këtij vizioni Europian të qyteteve bashkësive të komuniteteve shqiptare dhe njëkohësisht Evropiane. Qytetet tona janë pasqyra e historisë tonë e një historie të pasur dhe, përmes këtyre aktiviteteve, ne synojmë që të nxisim një rritje të interesit për ta eksploruar dhe vlerësuar këtë pajë këtë pasuri të veçantë që ne kemi”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi rolin e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, duke e cilësuar si një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve shqipfolëse. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky bashkëpunim shkon përtej kufijve shtetërorë dhe forcon lidhjet kombëtare dhe evropiane.
“Është ky bashkëpunim dhe unitet ai që na bën më të fortë dhe na ndihmon të përballemi me sfidat e përbashkëta. Ndaj dhe në emër të Bashkisë Tiranë dhe të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ju falënderoj për praninë dhe ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar festën e Pavarësisë. Këtë 28 nëntor ne shqiptarët festojmë 112 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, është një nga ato ditë kur zemra na bëhet mal dhe kur shpirti na skuqet kuqezi dhe kur mendja e çdo shqiptari mendon njësoj dhe me zë të lartë thërret “O sa mirë me qenë shqiptar”.
E ku ka më bukur se ditën e flamurit ta festojmë të gjithë së bashku këtu në Tiranë. Kryetari i Bashkisë kujtoi momente historike nga rruga drejt pavarësisë, duke përmendur intervistat e Ismail Qemalit në prag të shpalljes së saj. Ai riktheu në kujtesë fjalët e Plakut të Vlorës mbi rëndësinë e ndjenjës kombëtare dhe unitetit mbi dallimet fetare dhe politike. “…për Shqipërinë nuk ka kohë për të humbur, për Tiranën nuk ka kohë për të humbur, për Prishtinën nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët Arbëreshë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Preshevë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Mal të Zi nuk kaq kohë për të humbur është thirrja që na vjen pas 112 viteve sepse është nevoja urgjente për të bërë punë të mira, vepra të mira dhe për të krijuar komunitete të shëndosha në shqiptari kudo ku ne shërbejmë. Dhe prej kësaj kohe që të humbi për 600 vite lind një kohë e re. Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira.
A na tremb një vështirësi? A tutemi, a tërhiqemi pas pas çdo sfide, pas çdo minorance të zhurmshme që nuk pëlqen një ndryshim një zhvillim një progres? Tutemi pas apo ndjekim shtegun më të vështirë, ndoshta rraskapitës por që në finale na çon në destinacion?! Falë njerëzve të mëdhenj që marrin në konsideratë vetëm gjëra të mëdha dhe pengesat që shfaqen dhe qëllimeve madhështore dinë tu japin prioritet, i shohin veç si vogëlima këto sfida që nuk meritojnë as të zihen me gojë. Ata që zgjedhin shtegun e vështirë dhe jo zgjedhjet e thjeshta dhe komode janë ata që e çojnë vendin, qytetin, komunitetin përpara”, nënvizoi Veliaj.
Në përfundim, Veliaj bëri thirrje për reflektim mbi të kaluarën dhe punë të përbashkët për të ardhmen: ” Ne sot pavarësisht ku gjendemi, cep e më cep, u festua dita e pavarësisë nga Antony Albanese në Australi e deri tek bashkia e Neë York-ut sot në mëngjes. Po unë besoj se fjala e Ismail beut është përgjigja më e saktë. Ne na bashkon kulti i Atdheut tonë të përbashkët. Gëzuar festën e pavarësisë, gëzuar festën e flamurit dhe rroftë Shqipëria, rrofshin shqiptarët kudo ku janë”, deklaroi Veliaj.
Për 28-29 nëntorin, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh social kulturore. Për të dytin vit radhazi, këtë të enjte, Bashkia e Tiranës do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shqiptarë nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë.
Një aksident ka ndodhur afër urës 16 orëshe në dalje të Rrugës së Kombit. Automjeti tip Benz me targa AA 599TM sapo ka dalë nga autostrada është përplasur me automjetin tip Toyota me targa AB 023 KR.
Nga aksidenti janë plagosur dy pasagjerët dhe shoferi që ishin në automjetin tip Benz, gjithashtu i plagosur ka ngelur edhe drejtuesi i foristradës.
Të plagosurit janë transportuar në urgjencën e Kukësit dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Vendi ku ka ndodhur aksidenti është i pandriçuar edhe pse ekziston sistemi i ndricimit.
Ky segment është burim aksidentesh pasi lidh tre rrugë, dalja dhe hyrja e Rrugës së Kombit, aksi i rrugës Kukës- Shishtavec dhe hyrja e qytetit të Kukësit. Policia dhe grupi hetimor po kryejnë veprimet për shkaqet e aksidentit. /abcnews.al