“Hapim dyert për misionin diplomatik në Bruksel”, Rama thirrje qytetarëve: Bëhuni pjesë e ‘team Albania’, kontribuoni në anëtarësimin evropian

Postimi i Ramës:

MISIONI YNË DIPLOMATIK NË BRUKSEL HAP DYERT për çdo shqiptar e shqiptare, brenda apo jashtë vendit, që ka pasionin patriotik, ambicien profesionale dhe aftësinë për t’u bërë pjesë e #TeamALBANIA në kryeqytetin e Europës, e për të kontribuar atje në anëtarësimin e SHQIPËRISË2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🤝🇪🇺

Lirimi i Berishës, reagon SPAK: Do e ankimojmë në Apel

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar për mediat pasi ish-kryeministri Sali Berisha fitoi lirinë ditën e sotme.

SPAK ka njoftuar se pasi të njihet me me vendimin e zbardhur të GJKKO, do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Prokuroria shtoi se ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.

SPAK çon për gjykim në GJKKO dosjen e deputetit Plarent Ndreca

TIRANË- Këtë të mërkurë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim ish-sekretarin e ministrisë se Brendshme Plarent Ndrecën të 15 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera.

Ata akuzohen për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019. Dosja në ngarkim të tyre është dërguar në GJKKO dhe në seancën paraprake do vendoset nëse do të kalojë ose jo në gjykim.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 25.11.2024 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.240 të vitit 2021 në ngarkim të 16 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.

 Favorizim në procedurat e prokurimit

Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.

Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Prokurorisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.

Shkeljet e dokumentuara

Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qënë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.

Anëtarë të njësisë së prokurimit si Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore të prokurimit. Gjithashtu, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.

Një komision për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar.

Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë. Deri në këtë moment, kjo vlerë nuk është ekzekutuar ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit.

Rama merr pjesë në “Komisionin Xhafaj”: Anti-korrupsioni, proces patriotik! Negociatat me BE…

Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për çështjet dhe sfidat e lidhura me Pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka thënë se ky komision është një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edi Rama: Nuk jam këtu për të dhënë mend sepse qëllimi kryesor i këtij Komisioni të Posaçëm, unë çmoj të jashtëzakonshme dhe për nga prurja e opinioneve dhe këndvështrimeve si rezultat i gjithë këtij grupi ekspertësh është që Parlamenti të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv që fillon me këtë fazë të këtij proces dhe që në këndvështrimin tim duhet të vazhdojë deri në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Mënyra se si komisioni do të transformohet në një mekanizëm brenda Parlamentit dhe një pikë referimi për institucionet e shtetit do të përcaktohet nga ky proces ku do të dalin detyra për të gjitha institucionet, të treja pushtetet. Do të më pranoni shprehjen e mirënjohjes për të gjithë ju. Ky është një proces patriotik në radhë të parë sepse është një proces që ka një domodoshmëri për të krijuar një front të madh mbështetës për negociatat në BE dhe pastaj është një proces thellësisht teknik dhe këtu është e paarsyeshme që ky proces mund të përballohet vetëm me burimet e brendshme.

Unë dua të nënvizoj 3 gjëra: E para, lidhur me këtë proces dhe me vetë këtë komision. Ky komision është sot në kushtet që flasim, një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë në procesin e anëtarësimit në BE sepse në BE shkojmë si një front institucionesh që përfaqësojnë 3 pushtetet, të cilat në marrëdhënie me njëra-tjetrën kanë hapësira ndërveprimi, por kanë edhe kufi sepse janë të pavarur nga njëri-tjetri. Koordinimi i gjithë këtij fronti dhe ecja në mënyrë uniforme përsa i përket performancës të të gjithë institucioneve mund të garantohet nëse Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjithë forcat që ndërveprojnë në emër të shtetit në Republikën e Shqipërisë pikëtakohen dhe mund të japin llogari. Përfshirja e një mase kaq domethënëse së shoqërisë përmes rrjeteve të ndryshme të shoqërisë civile, përmes mediave dhe përmes etj, etj, një garanci e madhe për të nxjerrë maksimumin e mendimit intelektual dhe të cilësisë në qasjen tonë.

E dyta, është që shumëkush dhe gjithmonë sa herë ka një iniciativë të re, synim për të hedhur një hap të ri, ngrihet dhe thotë “tani u kujtuat ju?”. Ne jemi kujtuar që ditën e parë në këtë detyrë. Në çdo hap të rrugës ka sfida të tjera. Duke folur tani për pronën, është e qartë se nëse kthejmë kokën mbrapa, ajo që është bërë është shumë voluminoze dhe përmirësimi është shumë i ndjeshëm, por i pamjaftueshëm me pikëmbërritjen, uljen në tryezë me BE-në. Themelore të kuptohet që përsa kohë pikëmbërritja jonë është BE-ja, atëherë, volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh, por edhe i panegociueshëm. Theksoj që sot është e mundur që ne të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar në BE duke plotësuar të gjithë kriteret që lidhen me pronën sepse kemi bekimin e kohës falë teknologjisë.

Të gjithë do të shohin se ky komision dhe ajo që do të dalë nga ky komision do të jetë një kontribut në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo e bën një kontribut historik. Balta e zëvendëson hudhrën dhe nuk ju merr njeri mësysh.

Minxhozi: SKAPI u bë SPAK!

Nga Skënder Minxhozi

Doktori doli nga arresti shtëpiak. Diçka krejt normale për motivet që rrethojnë sagën e tij penale megjithë hetimet që i shoqërojnë. Të hetohet, të gjykohet, por s’ka pse të mbahet i izoluar, thotë logjika bazike. Gjykata e Posaçme konkludoi atë që nënkuptonte mes rreshtave Gjyakata Kushtetuese pak ditë më parë dhe Sali Berisha do të dalë t’i thotë “në katin e parë” ato që deri më sot i ka thënë çdo natë nga dritarja e katit të tetë të shtëpisë.

Dalja e Berishës nga arresti shtëpiak vjen në një moment të bujshëm hetimesh, përgjimesh e tensioni politik në Tiranën e institucioneve. Vjen para së gjithash teksa Shqipëria po i drejtohet ngadalë e me përtesë zgjedhjeve të radhës ku fituesi duket i parashkruar dhe ku elita politike e sheh veten të relativizuar nga dallga e bujshme e hetimeve të drejtësisë së re, thënë ndryshe nga Spaku, i cili prej sot nuk do të quhet më Skap nga demokratët. Doktori doli dhe Altin Dumani mund të flejë i qetë se akronimi i institucionit që drejton do të vijë në vendin e vet.

Edhe diçka tjetër që ju rikthen buzëqeshjen demokratëve: GJKKO nuk vendosi “afërmendsh” atë që kërkonte Spak, siç ka thënë Dumani, por e hodhi poshtë më në fund kërkesën për ta mbajtur Berishën të izoluar!

Dalja e Berishës përbën një betejë të fituar për të. Por që nuk është fitorja e luftës me organet e drejtësisë. Populli militant është i autorizuar të shohë cilën ëndërr të bukur që të dëshërojë, por drejtimi që kanë marrë punët në Shqipëri për elitën e konsumuar politike, nuk le vend për t’u gëzuar për heqjen e një mase sigurie!

Nga dalja e Berishës gëzohen natyrshëm militantët e Rithemelimit. Ata më të fortët që kanë sfiduar moshën dhe stinët duke prerë gozhdë tek rrugica e shtëpisë së tij. Gëzohen pasuesit e afërt të Doktorit të cilëve ju është bërë lëkurë e dytë bluza me mbishkrimin “Free Berisha”. Gëzohen konspiracionistët e Tiranës që e lidhin daljen e Berishës ga shtëpia me rolin e Donald Trump, paçka se këtij të fundit i duhet edhe një muaj e gjysëm që të hyjë në Zyrën Ovale. Gëzohen më në fund me buzëqeshje protokollare edhe ata që dikur thonin se do të lenë politikën po u rikthye Berisha në krye të PD, e sot kapen fort pas emrit në listën fituese të Berishës në zgjedhjet e ardhshme.

Gëzohen për daljen në liri të Sali Berishës edhe në selinë kundështare, në PS. Nuk është sekret se Rama e do në fushën e lojës Berishën. E do për të vënë në lëvizje makinerinë e dhjamur të maxhorancës në prag të zgjedhjeve, e do edhe për t’i kujtuar socialistëve të mërzitur që po shajnë qeverinë, se cilin do të kenë përballë në pranverën e ardhshme. E do më në fund për të rikthyer në skenë sagën e përleshjeve politike PS-PD, duke spostuar nga vitrina gossipin gjigand që ka nxitur Spak me hetimet e tij në 360 gradë. Të vendosim kishën në mes të fshatit thotë proverbi italian në këto raste.

Ndërkaq dikujt mund t’i kujtohen me një grimcë cinizmi në këto çaste fjalët e atij deputetit socialist i cili, i pyetur muaj më parë nga mediat për arrestin shtëpiak të Berishës tha se “ashpërsimi i politikave penale të paraburgimit është i tepruar. Njerëz të cilët kanë një kontribut të caktuar, kolegë tanët apo krahut tjetër që publikisht janë aty, nuk ke pse u jep masa dënimi të rënda deri në pamundësi të veprimeve të tyre”. Më qartë se kaq…

Martin Leka: Saliu doli. Alibia ra. Rama fërkon duart!

Nga Martin Leka

Sali Berishës do ti duhet të marrë sot me vete dy flamujt e PD që nxirrte çdo natë në ballkonin e banesës dhe megafonin, ndoshta për ti patur si relike të një periudhe gati njëvjeçare në arrest shtëpie. Nuk do ti duhet të mbajë konferenca online dhe as dalje në skype. Nuk do di duhet as të bëjë shëtitjen e përditshme në taracën e tij.

Sali Berisha do të pritet si hero blu në selinë me të njëjtën ngjyrë, nga militantët e vet. Ca të tjerë, përfshi udhëheqës të partisë, do do bëjnë sikur gëzohen e do të bërtasin fort nga marazi pse doli, thjeshtë për ti rënë në sy Saliut t’u shkruajë emrin në listën për deputetë të ardhshëm. Madje këtyre do tu duhet të çirren më fort se militantët, sa tu mbajë rryli i fytit.

Sali Berisha fitoi një betejë. Kjo duhet thënë. Por luftën e ka përpara.

Ka një luftë me veten. Luftë me gjithë trashëgiminë e vet politike 33 vjeçare në demokraci, shtuar dhe shumë vjet të tjera trashëgimi në diktaturën e Hoxhës si anëtar dhe udhëheqës i vogël i PPSH.

Ka një luftë me Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, Dash Shehin e të tjerë që nuk i’u bashkuan atij “në ditët e tij të kjametit”.

Ka një luftë me shumë parti të reja, të cilat nuk e duan dhe nuk e qasin berishizmin në asnjë lloj forme dhe mënyre, siç nuk duan e qasin as qeverinë e Edi Ramës.

Ka një luftë me të gjithë bashkëluftëtarët, të cilëve zor se do t’ua harrojë se i kishte kundër dhe zor se nuk do t’u kujtojë si çekan në kokë se “unë jam baba i Zenit”.

Ka një luftë të madhe me “non gratën” nga SHBA e MB, të cilën vështirë se do të mund ta fitojë.

Por, luftën dhe betejën finale, Sali Berisha dhe trashëgimia e tij politike e ka me Edi Ramën.

Ai që u gëzua më shumë për lirimin nga arresti shtëpiak i Sali Berishës duket të jetë Edi Rama.

Në çdo analizë të arësyeshme, një fushatë elektorale (e cila do dhe fare pak kohë të fillojë) me liderin e partisë kryesore opozitare në kushte arresti dhe me liderin e partisë së dyte opozitare në burg, do ta bënte fushatën elektorale të pabarabartë dhe të cënueshme, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Një fitore, e pritshme, e Edi Ramës në kushtet e mësipërme, do ta bënte mandatin e tij të katër një “fitore si të Pirros”.

Përfundimisht, Sali Berisha dhe Partia Demokratike nuk ka më alibi për të zhvlerësuar procesin zgjedhor.

(PS: I mërzituri më i madh nga lirimi i Sali Berishës duhet të jetë prodhuesi i bluzave “FREE BERISHA”)   

Sekuestrohen 19 pasuri të paluajtshme, prona të Nikolin Gjolena, i dënuar për trafik droge

 Gjykata e Fierit ka vendosur të sekuestrojë disa pasuri të Nikolin Gjolena, 36 vjeç, i dënuar me 12 vjet burgim nga GJKKO-ja, për “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sakaq, janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme, në Tiranë dhe Durrës. Hetimet kanë dokumentuar se ky person i kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro, në favor të të afërmve.

Konkretisht u sekuestruan 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe në Tiranë dhe 1 ndërtesë në Tiranë.

Aktualisht po vijojnë hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që ky shtetas dhe shtetasit e lidhur me të, mund të kenë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Përshkrimi i “Daily Express”: Shqipëria, vendi i vogël evropian më i bukur se Greqia dhe Kroacia

Turistëve me buxhet të kufizuar që duan të shijojnë këtë pjesë të parajsës evropiane – rekomandohet të rezervojnë sa më shpejt fluturimin e tyre për të zbuluar bukuritë e këtij vendi, shkruan Zak Garner-Purkis në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Turistët që kërkojnë një destinacion me diell – vetëm disa orë larg Britanisë së Madhe – pa fluksin e turistëve në vendet e njohura si Kroacia dhe Spanja – nuk duhet të shikojnë më larg se Shqipëria.
Me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, ky vend ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura – që rivalizojnë lehtësisht ato që gjenden në brigjet e fqinjës së saj, Greqisë. Në të vërtetë, disa nga turistët që kanë zbuluar tashmë Shqipërinë dhe kanë bërë lehtësisht krahasimet me vendet më të famshme – dhe më të shtrenjta të pushimeve.

Laura Hewson, një turiste nga Zelanda e Re që vizitoi vendin vjeshtën e kaluar, tha për “Express” se në atë kohë po planifikonte të shkonte në Kroaci.

“Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri na tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.

“Ne, në fakt qëndruam në një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim në një dhomë me tetë të huaj – në Itali dhe Spanjë”, tha ajo.

Shoqëruesi i saj, Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion të tyre – duke shtuar se ata kishin parë një numër videosh në TikTok ku shfaqeshin peizazhe të pabesueshme nga vendi.

Farrell tha se realiteti përputhej me videot epike në internet dhe se ishte i impresionuar me trajtimin që u bëhej turistëve.

“Uji ishte mahnitës dhe i pastër blu. Shqipëria ofron shumë vende për të bërë not”, tha Laura.

Laura vizitoi qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023 – ku temperaturat shënonin 19 gradë Celsius gjatë ditës.

Ndërsa bregdeti i palmave ishte pothuajse plotësisht i lirë nga turmat e turistëve, duke i lejuar çiftit ta shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me një çmim të përballueshëm.

Një darkë në Shqipëri rrallë kushton më shumë se 10 deri në 15 paund për person – ndërsa turistët që kërkojnë opsione më ekonomike mund të hanë pica të sapo përgatitura për 5 paund.

Për sa i përket pijeve, birrat në Vlorë kushtonin vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.
Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të lira, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që kushtojnë vetëm 28 paund.

“Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkan”, Von der Leyen: Angazhimi do jetë më i fortë se ai i Rusisë

Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi, tha këtë të mërkurë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë prezantimit të ekipit të saj të ri të komisionerëve dhe programit të tyre në Parlamentin Evropian, ajo theksoi se angazhimi i Evropës ndaj këtyre vendeve do të jetë gjithmonë më i fortë nga Rusia.

“Lufta për liri nuk ka të bëjë vetëm me 27 shtetet tona anëtare. Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Moldavi dhe më gjerë. Ne kemi parë guximin e popullit të Ukrainës në ndjekjen e rrugës së tyre evropiane. Ne kemi parë qëndrueshmërinë e popullit të Moldavisë për të mbajtur të ardhmen e tyre evropiane. E kam parë dhe e kemi parë angazhimin e Ballkanit Perëndimor për reforma, rritje dhe përgatitje për anëtarësim në BE”, tha Von der Leyen në fjalimin e saj para deputetëve të Parlamentit Evropian. Në të njëjtën kohë, pohon Von der Leyen, “ne kemi parë se si Rusia nuk do të ndalet para asgjëje për të parandaluar të ardhmen e saj evropiane”.

“Por angazhimi i Evropës ndaj këtyre vendeve do të jetë gjithmonë më i fortë”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se BE-ja e dëshiron Ukrainën si pjesë të saj dhe do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. “Ne do të përgatitemi me reformat që na duhen nga ana jonë. Ne do t’i mbështesim këto vende në çdo hap të rrugës në procesin e tyre të bazuar në merita derisa të jenë gati për t’u bashkuar me Bashkimin tonë. Me përvojën e saj të madhe, Marta Kos është personi i duhur për këtë punë”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen prezantoi ekipin e saj të ri të komisionerëve dhe programin e tyre në Parlamentin Evropian, i cili u pasua me një debat dhe më pas PE do të votojë për miratimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian.

EMRAT/ Kush janë 16 deputetët e Berishës nën akuzë për dhunë ndaj Policisë

Policia e Tiranës bën me dije se ka proceduar penalisht organizatorët e protestës së fundit të opozitës, kur për rreth 3 orë protestuesit bllokuan 5 nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, duke shkaktuar kaos në trafik.

Zyrtarët e opozitës për të cilët ka nisur procedimi janë Ervin Minarolli, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Petrit Vasili, Petrit Doda, Isuf Çela, Andia Ulliri, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj.

Ata akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë dhe dy protestues për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Sipas policisë në total janë proceduar penalisht 64 persona.

Skip to toolbar