Hamasi merr përgjegjësinë për sulmin me 7 të vrarë në Tel Aviv

Krahu i armatosur i Hamasit mori përgjegjësinë për të shtënat e djeshme në Tel Aviv, ku mbetën të vrarë 7 persona dhe u plagosën 16 të tjerë.

Sipas Hamasit, dy terroristët që kryen sulmin, Mohammad Mesek dhe Ahmed Himouni nga Hebroni, janë anëtarë të grupit terrorist, raportojnë mediat izraelite.

Dy personat e armatosur nisën sulmin në sistemin hekurudhor në Jaffa në jug të Tel Avivit./abcnews.al

SHBA, mbi 160 të vdekur nga uragani Helene që goditi juglindjen e vendit

Më shumë se 160 njerëz kanë vdekur nga uragani Helene, një nga stuhitë më vdekjeprurëse që ka goditur SHBA në kohët e fundit.

Qindra të tjerë mbeten të zhdukur pasi Helene goditi shtetet juglindore, duke shkaktuar përmbytje, duke shkatërruar komunitete dhe duke ndërprerë energjinë elektrike.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe dërgesat e ndihmave janë bërë me avionë.

Presidenti Joe Biden do të vizitojë Karolinën e Veriut të mërkurën, ndërsa zëvendëspresidentja Kamala Harris shkon në Gjeorgjinë fqinje.

Helene goditi SHBA-në të enjten si një uragan i kategorisë 4, më i fuqishmi që ka goditur Big Bend të Floridës, përpara se të përshkonte shtetet fqinje dhe të zvogëlohej në një stuhi tropikale./abcnews.al

Forcohen kriteret për mikrokreditë/ Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqiperisë miraton rregulloren

Institucionet e mikrokredive do të detyrohen të zbatojnë më shumë rregulla para se të aprovojnë një kredi për qytetarët.Këshilli Mbikqyrës i bankës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit ndryshimet në rregullore të cilat parashikojnë vlerësim të aftësisë paguese të qytetarëve dhe jo më shumë se 2 kredi konsumatore.

Guvernatori Gent Sejko tha se këto ndryshime synojnë të mbrojnë konsumatorët. Pavarësisht se inflacioni qëndron në objektivin e Bankës së Shqipërisë për disa muaj më radhë Banka e Shqipërisë nuk ndryshoi normën bazë të interesit.

Banka e Shqipërisë konstaton se Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj./abcnews.al

Ndëshkimi i zjarrvënësve/ Komisioni i Etikës vijon mbledhjen prej tre orësh, socialistët kërkuan përjashtim të 24 deputetëve demokratë

Sekretariati i Etikës ne Kuvend është mbledhur prej tre orësh për të vendosur mbi kërkesën e maxhorancës për përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së, që shkaktuan zjarr dhe dhunë në seancën parlamentare të së hënës.

Gazetarja Fiona Xhafaj raportoi se, ndonëse deputetët demokratë tentuan të krijonin kaos, mbledhja po vijon dhe pritet që të jepet vendimi pas këqyrjes së të gjitha pamjeve filmike nga Kuvendi.

“Mbledhja, e cila ka nisur që prej orës 15:00 pas një ndërprerje të shkurtër nga kaosi nga deputetët demokratë që tentuan ta ndërprisnin, vijon normalisht. Është mbledhje e gjatë për shkak se deputetët janë duke shqyrtuar pamjet filmike nga seanca plenare, ku pati jo vetëm zhurmë por edhe akte dhune dhe më tej kjo dhunë mori një tjetër formë me nxjerrjen jashtë të karrikeve dhe djegien e tyre. Sot do të vendoset edhe masa ndëshkimore për 24 deputetët e opozitës. Elda Hoti, e cila kishte në çantë shishen e benzinës që u mor nga Flamur Noka, nuk është referuar që duhet të merret në shqyrtim për një masë ndëshkimore. Do të shihet nëse do të jetë një vendim i njëjtë për të gjithë deputetët apo i diferencuar në bazë të veprimeve të tyre.“, raportoi gazetarja.

PS kërkon masë ndëshkimore për deputetët: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho. /abcnews.al

Hezbollahu pretendon se ka shkatërruar 3 tanke izraelite që përparonin në Liban

Hezbollahu thotë se shkatërroi tre tanke izraelite të mërkurën ndërsa ata përparonin drejt një fshati kufitar libanez.

Grupi terrorist i mbështetur nga Irani thotë se “shkatërroi tre tanke Merkava me raketa ndërsa ata përparonin drejt fshatit Maroun al-Ras”, duke iu referuar një zone ku ata raportuan për përplasje me trupat izraelite më herët gjatë ditës.

Izraeli dhe Hezbollahu, grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, kanë këmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani shënuan përshkallëzimin më të madh, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani./abcnews.al

Presidentja gjeorgjiane refuzon ta nënshkruajë ligjin kundër LGBT-së

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk ka pranuar ta nënshkruajë një projektligj të miratuar nga Parlamenti muajin e kaluar, për të cilin grupet për të drejtat e njeriut dhe shumë politikanë opozitarë thonë se kufizon dukshëm të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji.

I ashtuquajturi Projektligji i “vlerave familjare” kaloi në Parlament pas trysnisë nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, më 17 shtator, me 84 vota për dhe asnjë kundër. Votimi u bojkotua nga opozita, ndërsa kundër tij u mbajtën protesta para ndërtesës së Parlamentit.

Në përputhje me provizionet e Kushtetutës së Gjeorgjisë, Zurabishvili nuk pranoi ta mbështesë projektligjin dhe e ktheu atë në Parlament pa komente të shkruara, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë Presidenca gjeorgjiane.

Vendimi i saj vë në pah peizazhin tejet të polarizuar politik në vendin e Kaukazit në prag të zgjedhjeve nacionale më 26 tetor.

Tani, kryetari i Parlamentit Shalva Papuashvili, mbështetës i projektligjit dhe anëtar i partisë në pushtet, pritet ta nënshkruajë projektligjin për ta bërë ligj, si dhe ta publikojë atë brenda ditësh.

FSHF mirëpret Turneun Ballkanik të Futbollit për të Amputuar, marrin pjesë Shqipëria, Kosova dhe Turqia

Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n do të organizojë turneun ballkanik të futbollit të të amputuarve. Turneu do të zhvillohet në datat 16-18 tetor në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në këtë turne do të marrin pjesë Shqipëria, Kosova dhe Turqia, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën në ndeshje direkte me sistemin 9×9. Ekipi që do të grumbullojë më shumë pikë në fund të ndeshjeve do të shpallet kampion i turneut.

Ky organizim vjen në kuadër të strategjisë së përgjegjësisë sociale të Federatës së futbollit, që synon të sjellë futbollin më pranë komunitetit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për kauza të rëndësishme sociale. /FSHF

Balkan Region Amputee Tournament:

Shqipëri – Turqi 16.10.2024 11:30 Shtëpia e Futbollit

Turqi – Kosovë 17.10.2024 11:30 Shtëpia e Futbollit

Shqipëri – Kosovë 18.10.2024 10:00 Shtëpia e Futbollit

Ushtria izraelite konfirmon vdekjen e 7 ushtarëve të saj në Liban

Ushtria izraelite njoftoi vdekjen e shtatë ushtarëve të saj në Liban. Ushtria libaneze njoftoi nga ana e saj se ushtarët izraelitë hynë për një kohë të shkurtër në dy lokacione në Libanin jugor sot.

“Një forcë e armikut izraelit kaloi vijën blu (që ndan dy vendet) për një distancë prej rreth 400 metrash në territorin libanez në dy sektorë, përpara se të tërhiqej,” tha ushtria libaneze në llogarinë e saj në X.

“Është vetëm fillimi i konfrontimit (…) rezistenca në jug është në nivelin më të lartë të përgatitjes,” u tha gazetarëve shefi i zyrës së shtypit të Hezbollahut, Mohammad Afifi, gjatë një vizite të organizuar nga gazetarët në periferitë jugore të Bejrutit./abcnews.al

HISTORIKE/ Për herë të parë gjashtë arbitra shqiptarë vendosin “drejtësi” në ndeshjen e Conference League

Për herë të parë në histori, një trupë e plotë arbitrash shqiptarë (kryesor, asistentë, arbitër i katërt, VAR dhe AVAR) do të gjykojnë së bashku një ndeshje në kompeticionet Europiane.

Enea Jorgji si kryesor, Denis Rexha e Ridiger Çokaj asistentë, Eldorjan Hamiti arbitër i katërt, Kreshnik Barjamaj përgjegjës i VAR dhe Juxhin Xhaja si përgjegjës i AVAR, do të vendosin drejtësi në takimin Heidenheim – Olimpija e vlefshme për UEFA Conference League.

Ndeshja do të luhet ditën e enjte më 3 tetor në Gjermani në stadiumin “FCH Arena Heidenheim”, në orën 18:45.

Gjykimi në nivele të tilla është dëshmi e rritjes së arbitrimit shqiptar edhe në futbollin europian. /FSHF

Sulmet me raketa nga Irani/ Netanyahu mbledh shefat e sigurisë në Tel Aviv

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilloi një takim me shefat e sigurisë, si dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant e kreun e forcave të armatosura, Herzi Halevi.

Takimi u mbajt në Ministrinë e Mbrojtjes në Tel Aviv. Në një fjalim të martën vonë, Netanyahu u zotua të hakmerret kundër Iranit pas sulmit të tij raketor ndaj Izraelit.

Irani hodhi të martën më shumë se 180 raketa balistike drejt Izraelit, në përgjigje të, siç tha, agresionit të tij në Liban dhe në Gazë.

Shumica e raketave të Iranit u kapën në ajër, por disa depërtuan përmes mbrojtjes raketore. Megjithatë, nuk u raportua për viktima./abcnews.al

Skip to toolbar