Shpërthimi që synoi grupin e Hezbollahut, ambasadori iranian humbet njërin sy

New York Times (NYT), duke cituar dy anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, ka raportuar se ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amini, ka humbur njërin sy dhe është plagosur rëndë në tjetrin për shkak të shpërthimeve të djeshme të sinjalizuesve biper.

Gardianët i thanë gazetës se lëndimet e ambasadorit ishin më serioze sesa u tha fillimisht dhe se ai do të evakuohej në Teheran për trajtim mjekësor.

“Një nga anëtarët e Gardës tha se sinjalizuesit, përfshirë atë të përdorur nga ambasadori, binin për rreth 10 sekonda përpara se të shpërthyen, duke nxitur disa viktima të mbanin pajisjet afër syve dhe fytyrave të tyre për të kontrolluar për një mesazh. Ndaj shumë kanë pësuar dëmtime në sy,” tha gazetarja e NYT, Farnaz Fassihi.

Mediat iraniane kishin deklaruar më herët se Amini u plagos “lehtë” nga sulmi.

Rama takon gjeneralin amerikan, ambasada e SHBA: Shqipëria rol të rëndësishëm në NATO

Kryeministri Edi Rama është takuar me gjeneralin amerikan Christover Cavoli.

Në takim u vlerësuan lidhjet për mbrojtjen me SHBA dhe gjithashtu u diskutua për rolin kyç të Shqipërisë në NATO.

Reagimi;

Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, u takua dje me Kryeministrin Edi Rama. Takimi theksoi lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë rolin kyç të Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet e përbashkëta ushtarake, të cilat janë jetike për çuarjen përpara të paqes në rajon dhe më gjerë.

Konferenca e 27-të e Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut/ Begaj: Shqipëria rol në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte i ftuar sot në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA- Karta e Adriatikut (A5), që u zhvillua në Tiranë.

Gjatë fjalës përshëndetëse Presidenti Begaj u fokusua mbi rëndësinë e përpjekjeve të aleatëve për forcimin e bashkëpunimit, zgjerimin e NATO-s dhe rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë, situatës së brishtë në rajonin tonë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, Presidenti i Republikës vlerësoi së është  një moment tepër delikat për sigurinë botërore.

Në këtë kontekst, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e investimeve për sigurinë dhe krijimin e platformave të ndërveprimit për krijimin e kushteve për një mjedis më të sigurt e të qëndrueshëm.

Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për zgjerimin e infrastrukturës në dispozicion tëNATO-s, krahas vijimit të kontributit me trupa dhe kapacitete. Kreu i Shtetit përmendi ofrimin e Porto Romanos si një mundësi tjetër për Aleancën, si edhe objektivin për rivitalizimin e industrisë në fushën e mbrojtjes.

Ndërsa rikonfirmoi qëndrimin e qartë dhe të palëkundur tëShqipërisë krah bllokut Euroatlantik, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë dhe komunitetin e vlerave demokratike. Sipas Kreut të Shtetit,përballë agresionit rus në Ukrainë dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme kërkohet një qasje e bashkuar dhe një angazhim i përbashkët për t’i adresuar këto çështjemadhore në mënyrë efikase e të qëndrueshme.

Për sa i përket sfidave të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Shqipërisë theksoi: “Në dekadat e fundit, rajoni ynë mbetet i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të brendshme e të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.

“Tensionet artificialisht të krijuara, qoftë të natyrës etnike dhe politike, ndërhyrjet e huaja nga aktorë të tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë vëmendje të veçantë dhe bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, – u shpreh Presidenti Begaj në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.

Ndërsa konfirmoi rolin e qartë dhe konstruktiv të shqiptarëve në rajon, Presidenti i Shqipërisë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO, duke e cilësuar këtë proces thelbësor edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, evidentoi si vlerë të shoqërisë shqiptare harmoninë dhe bashkëpunimin ndërfetar teksa theksoi shtrirjen e këtij modeli në të gjithë rajonin për një ardhmëri më të mirë të brezave të rinj.

Duke iu referuar takimit të një dite më parë të mbajtur në Tiranë mes të rinjve të besimeve të ndryshme në kuadrin e nismës “MED 24”, si dhe mesazhit të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës theksoi se : “Unë besoj se atyre të rinjve dje dhe të rinjve të rajonit tonë sot ne duhet t’iu dërgojmë mesazhin që vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, vetëm duke punuar përditë e më shumë për të forcuar sigurinë në rajonin tonë, ne do t’u lëmë atyre një të ardhme më të mirë, një vend ku ata meritojnë të jetojnë, të zhvillojnë jetën e tyre”.

“Besoj se rinia e meriton këtë mesazh!”, – deklaroi Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, në Konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.

“The Independent”: Shqipëria mes pesë destinacioneve për pushime dimërore

Keni nevojë për pushime? Përfitoni nga rënia e çmimeve të shtatorit dhe bëni një udhëtim të përballueshëm përpara Krishtlindjeve, shkruan Simon Calder në të përditshmen britanike “The Independent”.

Udhëtimi për një javë në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë në nëntor ofrohet me një kosto prej 160 euro për person.

Çmimet kanë filluar të bien gjatë muajit shtator – me paketat e pushimeve të disponueshme për 355 euro ose më pak. Në vjeshtë dhe në fillim të dimrit, një arratisje në Mesdhe, Adriatik ose Atlantik do të ishte zgjedhja ideale.

Një paketë gjithëpërfshirëse në Turqi është e disponueshme për vetëm 60 euro në ditë dhe një javë në bregdetin e Shqipërisë kushton 160 euro.

Ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur Shqipërinë, Greqinë, Spanjën, Turqinë dhe Portugalinë – si destinacionet e duhura për të udhëtuar për pushime – paketat e të cilave përfshijnë fluturimin, transportin dhe akomodimin.

“The Independent” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura – për të përfituar nga rënia e çmimeve të shtatorit dhe për të bërë një udhëtim të përballueshëm përpara Krishtlindjeve.

Shqipëria

Shqipëria është një nga perlat e Evropës me plazhe të pacenuara dhe bukuri natyrore. Për pushime të lira dimërore vizitoni Shqipërinë në nëntor.

Fluturimet gjatë këtij muaji kushtojnë 36 euro me “Wizz Air” nga aeroporti i Lutonit.

Një autobus nga aeroporti i Tiranës për në qytetin bregdetar dhe resortin kryesor të Durrësit kushton 6 euro.

Qëndrimi për një javë në hotelin me katër yje kushton 224 euro. Për pushime dimërore pranë Adriatikut do të shpenzoni më pak se 24 euro në ditë, ose  160 euro për person për një javë.

‘Pagerat’ shpërthyes / Si dyshohet se Izraeli përdor teknologjinë kundër armiqve të tij

Një valë shpërthimesh vdekjeprurëse në Liban dhe pjesë të Sirisë ka vënë në shënjestër zyrtarët e Hezbollahut, pager-at e të cilëve janë hedhur në erë. Një ekspert bombave sugjeron se mund të ishin vendosur eksplozivët në pager-a.

Izraeli akuzohet për kryerjen e një sulmi të guximshëm, të teknologjisë së lartë dhe të targetuar ndaj Hezbollahut. Shpërthimi masiv i paprecedentë i pagerëve të përdorur nga luftëtarët e Hezbollahut erdhi pasi grupi ushtarak hoqi dorë nga telefonat celularë si mjet komunikimi, për të zvogëluar rrezikun e gjurmimit nga Izraeli.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, por zyrtarët libanezë kanë akuzuar Izraelin, i cili nuk ka komentuar mbi shpërthimet. Ka një histori të gjatë që Izraeli akuzohet për shpikjen e metodave të reja për të eliminuar armiqtë e tij.

Si mund të vendoseshin pager-at si bomba
Një ekspert sigurie, duke folur në kushte anonimiteti, i tha Sky News se dikush mund të kishte kompromentuar këto pajisje përpara se të shpërndaheshin – si për shembull duke fshehur eksplozivë brenda tyre që mund të shpërthejnë nga distanca kur një sinjal i caktuar dërgohet në pager. Pager-at janë përdorur përpara telefonave celularë dhe tani janë të pazakonshëm në shumicën e vendeve perëndimore, por ata përdoreshin gjerësisht në vitet 1980 dhe 1990.

Ato janë pajisje komunikimi njëkahëshe, që u mundëson njerëzve të dërgojnë një mesazh të shkurtër nëpërmjet sinjalit të radios tek pager-i. Shpesh, në të kaluarën, ka qenë një numër telefoni që i ftonte njerëzit të telefononin përsëri. Burimi tha se “pikëpamja e përgjithshme që po dëgjoj është se ky ishte një sulm mbresëlënës”, i cili kërkonte një sasi të caktuar koordinimi.

“Duket e mundshme që pager-at që ata [Hezbollahu] blenë mund të jenë komprometuar dhe janë kthyer në bomba në distancë,” tha eksperti i sigurisë, duke theksuar se ky ishte vetëm spekulim i bazuar në ekspertizën e tij. “[Ai] duket një shpërthim shumë i koordinuar dhe i fuqishëm për të mos funksionuar thjesht,” duke shtuar se kishte më pak gjasa të ishte shkaktuar nga mbinxehja e baterive.

Historia e gjatë e Izraelit në luftën me teknologji të lartë
Agjencitë e spiunazhit të Izraelit kanë një histori të gjatë të lidhjes me atentate dhe aktivitete të fshehta duke përdorur bomba dhe pajisje të teknologjisë së lartë. Ja një një përmbledhje e disa prej tyre:

1972: Bassam Ebu Sharif
Ai u plagos në Bejrut kur hapi një pako që përmbante një libër ku ishte vendosur një bombë e cila shpërtheu. Ai ishte zëdhënës i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP). Ai mbijetoi, por humbi disa gishta, mbeti i shurdhër në një vesh dhe i verbër në njërin sy.

1972: Mahmud Hamshari
Një përfaqësues i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) u vra në Paris në vitin 1972, kur një bombë u vendos nën një telefon dhe u shpërthye nga distanca.

1996: Yahya Ayyash
Ai fitoi pseudonimin “Inxhinieri” dhe me sa duket ndihmoi në zhvillimin e bombave vetëvrasëse të përdorura në konfliktin izraelito-palestinez.

2000: Samih Malabi
Një aktivist i Fatahut nga kampi i refugjatëve Kalandia jashtë Ramallahut, u vra kur një telefon celular i bllokuar shpërtheu pranë kokës së tij.

2007: Stuxnet
Një virus i fuqishëm kompjuterik i projektuar nga inteligjenca amerikane dhe izraelite që besohet se ka çaktivizuar një pjesë kyçe të programit bërthamor iranian. Stuxnet ishte projektuar për të shkatërruar centrifugat që Irani përdori për pasurimin e uraniumit si pjesë e programit të tij të armëve. Është raportuar se virus është dorëzuar në objekt nga një agjent i dyfishtë iranian që punonte për Izraelin.

2020: Mohsen Fakhrizadeh
Një shkencëtar bërthamor iranian u vra në Iran nga një mitraloz i telekomanduar i montuar në një makinë. Z. Fakhrizadeh po udhëtonte me një automjet të blinduar së bashku me tre automjete të personelit të sigurisë kur dëgjoi ato që dukeshin si plumba që goditën makinën e tij. Pasi ai u largua nga automjeti, një Nissan i pajisur me një mitraloz të telekomanduar më pas hapi zjarr duke e vrarë. / bota.al

Sulmi me bombë në Liban/ “The Guardian”: Mund të nxisë një përshkallëzim të luftës

The Guardian; Andrew Roth

Për diplomacinë amerikane në Lindjen e Mesme, sulmi i në Liban ku shpërthyen në të njëjtën kohë qindra pagera të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut nuk mund të kishte ardhur në një moment më pak të favorshëm.

Kjo sipas ekspertëve mund të nxisë një përshkallëzim që SHBA kishte kërkuar me ngulm që ta shmangte.

Një ditë përpara shpërthimit, Amos Hochstein këshilltar i lartë i Joe Biden, ishte në Izrael duke i kërkuar Benjamin Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë të lartë izraelitë ulje të tensioneve në Liban.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant gjithashtu kishin paralajmëruar se koha për të gjetur një zgjidhje të negociuar midis Izraelit dhe Hezbollahut, po shkonte drejt fund dhe se duhej ndërhyrë me shpejtësi.

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse sulmi me pager do të sjellë një operacion më të gjerë nga forcat izraelite që tani mund të përfitojnë pasi qindra, apo ndoshta edhe mijëra anëtarë të Hezbollahut janë plagosur.

Sulmet ndoshta kanë ndërprerë komunikimet e organizatës. “Pajgerët” u morën si një alternativë me rrezik të ulët ndaj telefonave celularë, duke i lejuar grupit të komunikonte nga distanca pa u hapur ndaj sulmeve me dron, si pjesë e fushatës së Izraelit për vrasjet e synuara të liderëve të Hezbollahut dhe Hamasit.

Raportet e mediave izraelite sugjerojnë se operacioni ishte rezultat i një hakimi të zinxhirit të furnizimit, duke lejuar operativët e Mossad-it të vendosnin eksplozivë në pager-at përpara se ato t’i shiteshin Hezbollahut.

Ushtria izraelite mund të vendosë tani të përfitojë nga rrëmuja e Hezbollahut përpara se organizata të ketë një shans për të rindërtuar veten.

Nga ana tjetër qeveria izraelite mbrëmë njoftoi se do të zgjeronte synimet e saj të luftës për të përfshirë kthimin e dhjetëra mijëra civilëve në kufirin e saj me Libanin.

Dhe ndërsa zyrtarët amerikanë kanë thënë se baza për një paqe përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin do të vinte përmes një armëpushimi në Gaza, kjo marrëveshje ka rezultuar e paarritshme dhe duket se nuk është më afër realizimit.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken , udhëtoi në Lindjen e Mesme të martën për të diskutuar marrëveshjen me Egjiptin, një ndërmjetës i Hamasit, por duket arritja e një marrëveshja nuk ishte ende gati, tha një zëdhënës.

SHBA gjithashtu përballet me humbjen e një ndërmjetësi kyç në Gallant, i cili ka qenë kritik ndaj Netanyahut.

Zëvendësuesi i tij i mundshëm si ministër i mbrojtjes është Gideon Saar, kreu i partisë së djathtë Shpresa e Re, i cili shihet si më radikal.

Shtëpia e Bardhë kishte shpresuar se një periudhë qetësie rreth Izraelit do të lejonte që negociatorët e armëpushimit të arrinin një përparim, ndërsa ndërmjetësit lëvizin midis Hamasit dhe Izraelit për të kaluar realizuar përmbushjen e kërkesave komplekse të të dyja palëve në lidhje me shkëmbimin e pengjeve dhe pretendimet territoriale.

Ajo periudhë qetësie tani është shkatërruar me këtë sulm që ndodhi dhe me reagimet e Hezbollah i cili është zotuar të hakmerret.

Me Hamasin dhe Hezbollahun nën presion të jashtëzakonshëm, SHBA-të tani kanë paralajmëruar Iranin, përkrahësin e grupeve, kundër përshkallëzimit.

“Ne do t’i bëjmë thirrje Iranit që të mos përfitojë nga asnjë incident për të shtuar paqëndrueshmërinë e mëtejshme dhe për të rritur më tej tensionet në rajon,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Trump i rikthehet fushatës pas përpjekjes së dytë për vrasjen e tij

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është kthyer aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë që prej një përpjekjeje të dytë për vrasjen e tij.

Trump është lavdëruar më 17 shtator se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, teksa ka përshëndetur kundërshtaren e tij, kandidaten demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate, raporton AFP.

Ish-presidenti amerikan ka folur në një tubim para mbështetësve të zjarrtë në Flint, një qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë automobilistike amerikane në qytetin e luhatshëm të Miçiganit, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme.

Trump është munduar të lidhë atë që Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) e ka cilësuar si përpjekje të penguar për vrasjen e tij të dielën, në fushën e tij të golfit në Florida, me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe nga Kina.

“Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, u shpreh ai.

Kandidati republikan ka thënë se njeriu që dyshohet se u përpoq ta vriste atë ishte ndjekës i asaj që ai e ka quajtur retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harrisit që ngulmon se Trump përbën rrezik për demokracinë amerikane.

Beleri sulmon Shqipërinë/ Flet si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian

Nga qelia në Parlamentin Evropian. Fredi Beleri mbajti të hënën fjalimin e tij të parë si eurodeputet i partisë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Nga podiumi i Strasburgut Beleri hodhi akuza të forta ndaj Shqipërisë, duke thënë se me veprimet e ndërmarra Tirana  po largohet edhe më shumë nga rrugëtimi për në union.

Beleri tha para eurodeputetëve se situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen në ‘bomba totalitare’.

“Fatkeqësisht, ky vend po largohet vazhdimisht nga Evropa, në vend që t’i afrohet asaj. Situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitare” mbi themelet e një shteti demokratik. Kjo u bë edhe me reformën në drejtësi të financuar, edhe nga burimet evropiane. Qeveria shqiptare e ka bërë shpesh krahun e saj Gjyqësor, gjë që e bëri jo vetëm në rastin tim, por edhe kreut të opozitës zyrtare”, tha ai.

Sipas Belerit bashkimi evropian po rrezikon të humb vlerat e tij, pasi po shtohet ndjenja antievropiane te qytetarët shqiptarë.

“Dhe Bashkimi ynë tani përballet me një oksimoron. Sa më e sigurt të konsiderohet mbështetja e saj për lidershipin e zotit Rama, aq më e fortë bëhet ndjenja antievropiane tek qytetarët e vendit. Në Ballkanin Perëndimor, respekti ndaj Evropës duhet të jetë mënyra e vetme për anëtarësimin e shteteve kandidate. Çdo tërheqje do të nënkuptonte automatikisht humbjen e vlerave tona të përbashkëta”, shtoi ai.

Me 2 shtator, Gjykata e Shkallës së Parë në Fieri pranoi kërkesën e Fredi Belerit për lirim nga burgu me kusht. Ai qëndroi në qeli për më shumë së 1 vit e gjysmë për vjedhje votash.

Donald Trump: Vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, iu kthye aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë pas atentatit të dytë për vrasjen e tij.

Gjatë fjalimit të tij në në Flint, Michigan, Trump tha se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”.

“Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, u shpreh ai.

Ndërsa më tej ai shtoi se kandidimi për president është një biznes i rrezikshëm.

Nga ana tjetër nënpresidentja aktuale amerikane, Harris, gjatë një fushate në, Pensilvani u shpreh se ka kontaktuar me Trump pas incidentit.

“Bisedova me të për të parë se si është. Dhe, i thashë atij atë që e kam thënë publikisht -nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”, u shpreh Harris në një intervistë për Asociacionin Kombëtar të Gazetarëve me Ngjyrë.

Atentati i dytë ndaj Donald Trump ndodhi më 15 shtator, pranë klubit ndërkombëtar të golfit në West Palm Beach, Florida, ku ish-presidenti po luante golf.

Pas të shtënave me armë zjarri, Shërbimi Sekret deklaroi se Trump ishte mirë, ndërsa u arrestua një 58-vjeçar i identifikuar si Ryan Routh me akuzën se donte të qëllonte Trump.

Detaje nga dosja e SPAK: Udhëtimi i dyshimtë i Berishës në mesnatë në Vjenë me personin që i ktheu pronën

Në dosjen voluminoze prej 499 faqesh, Prokuroria e Posaçme e SPAK ka renditur provat që bëjnë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, për privatizimin e kompleksit Partizani.

SPAK përmend ndër të tjera dajën e Jamarbër Malltezit, Bashkim Bekteshin, i cili ka dorëzuar në 12 tetor 2005 kërkesën për kthimin e pronës. Kjo kërkesë thotë SPAK, ‘është përgatitur në të njëjtën ditë që Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i është drejtuar METE-s për të marrë hapa të mëtejshme në lidhje me pronën e ndodhur tek Klub i Futbollit Partizani, pasi është vendosur që këto terrene të mos përfshihen në planin e përhapjes së FA-së.’

Asokohe thuhet në dosjen e SPAK, shfaqen udhëtime të përbashkëta mes Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit, ndërsa i dyshimtë mbetet udhëtimi i Sali Berishës në Vjenë me shtetasin Bari Hodaj, i cili ishte personi që i ktheu pronën.

“Shtetasi Jamarbër Malltezi shfaqet formalisht vetëm në vitin 2018, kur bëhet pjesë e shoqërisë Homeplan sh.p.k. së bashku me shtetasin Xhimi Begeja dhe shtetasin Fatmir Bektashi që kishte krijuar këtë shoqëri në vitin 2008.

Pikërisht këtë periudhë, konstatohet se merren masa nga trashëgimtarët Begeja, pjesë e të cilëve rezulton të jetë edhe shtetasi Jamarbër Malltezi, për të vijuar me procesin e kthimit të pronave.

Bashkim Bekteshi, daja i Jamarbër Malltezit, më 12 tetor 2005 paraqet në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kërkesën për plotësim dosje për kthim prone. Kjo kërkesë siç mund të konstatohet është përgatitur në të njëjtën ditë që Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i është drejtuar METE-s për të marrë hapa të mëtejshme në lidhje me pronën e ndodhur tek Klub i Futbollit Partizani, pasi është vendosur që këto terrene të mos përfshihen në planin e përhapjes së FA-së.

Pikërisht në këtë periudhë konstatohet se shfaqen udhëtime të përbashkëta mes shtetasit Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi, ku të dy këta shtetas, më datë 27.11.2005 dalin nga pika e kalimit kufitar Qafë Thanë respektivisht Fatmir Bektashi në orën 20.09 dhe Jamarbër Malltëzi në orën 20:10, të dy me automjete të ndryshme.

Disa ditë më vonë shfaqet një udhëtim i përbashkët i shtetasit Sali Berisha me shtetasin Bari Hodaj. Konkretisht më datë 1 dhjetor 2005, këta dy shtetas kane qenë pasagjerë të linjës ajrore të udhëtimit Austrian Airlines Viena. Regjistrimi i tyre në hyrje është bërë në Rinas, përkatësisht Sali Berisha në orën 00:11 dhe Bari Hodaj në orën 00:07. Rreth një muaj e gjysmë më vonë, Komisioni i Kthimit të Pronave, merr vendimin ne.135, datë 20.01.2006, që i kthen edhe një pjesë tjetër prone familjes Begeja.

Pa u mbushur muaji nga ky udhëtim, konstatohet se në lidhje me familjen e Mahmut dhe Xhemal Begeja, rezulton se më datë 20 janar 2006, KVKKP ka vendosur: Të kthejë pronën me një sipërfaqe trualli prej 11 740 metër katrorë.

Nga përmbajtja e këtij vendimi, rezulton se trashëgimtarët ligjore të subjektit të shpronësuar Mahmut dhe Xhemal Begeja, janë të përfaqësuar në prokurën me nr 1007 datë 13 mars 2002 nga Bashkim Bekteshi.

Sipas këtij vendimi të dhënë nga anëtarët Emil Konomi, Lindita Tako, Ermira Stavre, Bari Hodaj dhe Besnik Hoxhaj, ka vendosur që të kthejë pronën prej një sipërfaqje trualli prej 11740 m2 subjektit të shpronësuar Mahmut dhe Xhemal Begeja.. Sipërfaqja që mbetet për t’u kompensuar me një nga format e përcaktuara në këtë lig/ subjektit të shpronësuar të ndodhur në Tirane, sinori Shëngjin, është 13 925 m2.

Konstatohet se, proces verbali për dorëzimin e pronës, është mbajtur më datë 20.02.2006 nga KVKKP i përfaqësuar nga Bari Fodaj dhe Arben Lasku dhe subjekti Xhimi Begeja. Gjithashtu në librin regjistër protokolli i vendimeve të marra nga Komisioni 2005 – 2006, konstatohet se aty ku janë bërë shënimet në lidhje me këtë vendim gjendet shënimi “ju dorëzua më 20.02.2006 Xhimi Begeja” ku gjendet edhe nënshkrimi i shtetasit Xhimi Begeja.

I pyetur në datën 30.05.2022, Bari Hodaj ka pretenduar se, dosja e familjes Begeja i ka kaluar në bazë të shortit.

Pikërisht për sipërfaqen prej 3120 m2, pjesë e kësaj sipërfaqeje të kthyer në vitin 2006, ka lindur një konflikt me shterasit Kapollari, i cili gjendet i pasqyruar në mënyrë të detajuar më poshtë.

Nga aktet rezulton se, sipas kartelës së pasurisë, me datë 28.02.2006, është regjistruar pasuria me me sipërfaqe trualli 3 120 m2, ku si bashkëpronarë janë Haki Begeja, Nimete Bekteshi. Nusret Kaçurri, Kreshnik Kaçurri me 525/4200 secili piese: Sanije Velo (Begeja), Myzejen Ago (Begeja). Lirije Lika (Begeja), Ajete Sulstarova që kanë secili nga 84/4200 pjesë: Gëzim Begeja me 504/4200 pjese: Haxhire dhe Elona Begeja me 105/4200 pjesë, Syzi Begeja, Ednand Begeja me 210/4200 pjesë; Lumturi Cela, Sejdije Kurti, Teuta Malka, Xhelan Kadiu, Mariban Kadiu, Nerime Piro. Bashkim Kadiu, që kane secili nga 60/4200 pjesë: Graciela Begeja, Vera Graboëski dhe Margaret Irëin që kanë secila nga 70/4200 pjesë.

Gjithashtu, familjet e njohura pronare, nisin të përgatisin dokumentet përkatëse edhe për privatizim. Pra, ende pa u kthyer përgjigja përfundimtare nga Ministria e Mbrojtjes, por pasi kishte nisur tashmë kjo korrespondencë, fillojnë të përpilohen prokura nga pronarët e njohur, me qëllim marrjen pjesë në procedurën e privatizimit”, thuhet në dosjen e SPAK.

Skip to toolbar