“Pa arrestimin e Berishës s’ka drejtësi në këtë vend”

AKTUALITET


Avokati i ish- truprojës së Sali Berishës, Idajet Beqiri në një intervistë për gazetën “Dita” ka folur në lidhje me aksidentin që i ndodhi pak ditë më herët klientit të tij, Izet Haxhia, si dhe mbrojtjen që shteti i ka dhënë Haxhiajt dhe nisja e deponimeve të tij në hetuesi ku kryesisht renditen akuza kundër ish kryeministrit Berisha. Beqiri vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së tij se aksidenti ndaj Haxhiajt nuk ishte rastësor, por ishte i qëllimshëm dhe i mirëpërgatitur. Ai thotë se klienti  i tij është dëshmitar okular i krimeve të kryera me nxitjen dhe frymëzimin e Sali Berishës. Madje Beqiri shkon edhe më tej teksa shton se vendin e Izet Haxhisë në burg duhet ta zërë Sali Berisha dhe se pa u arrestuar ai nuk do të ketë drejtësi në këtë vend.

– Avokat, çfarë zhvillimesh kemi në procesin ndaj klientit tuaj Izet Haxhia, pas incidentit që ndodhi me të më 9 tetor? Sepse ka ende njerëz që besojnë se ai ishte një incident i sajuar…

– Gabohen ata që mendojnë apo besojnë se incidenti, domethënë aksidenti, nuk ka ndodhur. E vërtetë është se ai aksident ishte i mirëpërgatitur dhe ndodhi. E kam shpjeguar këtë hollësisht në gazetën tuaj qysh në momentin kur ndodhi. Si pasojë e këtij aksidenti, Izet Haxhiaj pritet të fitojë statusin e të mbrojturit të drejtësisë, ndërkohë që dje rifilluan deponimet e tij si dëshmitar okular kundër krimeve të kryera nën nxitjen, frymëzimin dhe organizimin e Sali Berishës.

– Cili ishte reagimi i institucioneve shtetërore në këtë rast?

– Pas incidentit të rëndë të datës 9 tetor 2019 kundër Izet Haxhisë dhe fillimit të procedimit penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje, si dhe pas ndërprerjes për një javë të deklarimeve të këtij dëshmitari okular kundër Sali Berishës për krimet e kryera gjatë viteve 1991-1999, institucionet përkatëse, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit dhe deri te Ministria e Drejtësisë, kanë marrë një serë masash për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së Izet Haxhisë dhe të fejuarës së tij Eriona Paruca. Janë marrë masa të posaçme sigurie në Burgun 302 ndaj Izet Haxhisë. Thuajse ka ndryshuar plotësisht i gjithë regjimi i ruajtjes së tij, i kontrollit të ushqimit, i shoqërimit të tij në takimet me avokatin, me të fejuarën e tij, gjatë komunikimeve telefonike etj. Në kushtet kur veç avokatit të tij, i vetmi person që po i qëndron pranë, që plotëson nevojat e tij dhe që ndihmon  Izet Haxhinë është e fejuara e tij, Eriona Paruca, janë eliminuar plotësisht incidentet e qëllimshme kundër saj në raport me takimet dhe kontaktet me Izet Haxhinë si dhe janë marrë me seriozitetin e duhur dhe po trajtohen ligjërisht të gjitha kërcënimet e rënda, fyerjet, poshtërimet dhe kanosjet për vrasje që i janë bërë asaj prej disa individëve konkret dhe anonim në faqet e facebook, në telefon etj.

– Ju si avokat i Izetit, keni ndërmarrë ndonjë hap tjetër në favor të mbrojtjes ligjore të klientit tuaj, Izet Haxhia?

– Natyrisht. Kjo është detyra ime, duke parë shkallën e lartë të rrezikshmërisë në të cilën ndodhet klienti im. Izet Haxhia aktualisht është një nga personat më të rëndësishëm nën hetim, gjyqi ndaj të cilit pritet të zbulojë dhe të zbërthejë shumë enigma të një prej periudhave më të errëta të tranzicionit shqiptar. Përgjatë asaj periudhe që Izeti deponon dhe denoncon janë kryer disa nga krimet më të rënda në historinë e Shqipërisë. Prandaj dhe Izeti është një person shumë i rëndësishëm dhe që doemos kërkon një trajtim special nga shteti. Unë ju kam treguar se Izet Haxhia akuzon Sali Berishën për më shumë se 23 krime. Kanë shkuar në 30 akuzat e Izetit kundër Saliut. Si avokat i Izetit, pasi e kam mësuar në detaje gjithë historinë e klientit tim, deklaroj me përgjegjësi të plotë se Izeti është i pafajshëm. Vendin e Izetit në burg duhet ta zërë Sali Berisha. Unë jam jurist dhe e nuk ngurroj ta them publikisht se pa u arrestuar Sali Berisha nuk ka dhe nuk do të ketë drejtësi në këtë vend.

– A nuk është ky prononcim i juaji në kundërshtim me normat me normat e BE-së dhe që na pengon në anëtarësim?

– Absolutisht jo. Unë si jurist dhe avokat flas me gjuhën e BE-së. I respektoj maksimalisht normat juridike të komunitetit ku ne pretendojmë të hyjmë. Në bazën e normave juridike të Bashkimit Europian janë mençuritë e iluministëve më të mëdhenj të botës. Mendimi i iluministëve të mëdhenj francezë, si Onteskjë e të tjerë, bënë Kushtetutën e Amerikës. Ju do të më pyesni se ç’lidhje ka kjo me procesin ndaj Izet Haxhisë. Është krejt e natyrshme. Dhe mirë bëni që më pyesni. Gjuha e ligjeve është paksa ndryshe, madje shumë ndryshe nga ajo e ligjërimit bisedor të përditshëm mes njerëzve të zakonshëm e të pushtetshëm. Është një gjuhë ose të fut në burg, ose të lë të lirë…

Por nuk do të bëjmë teorira këtu. Unë, si përfaqësues dhe mbrojtës ligjor i Izet Haxhisë, si dhe vetë Izet Haxhiaj, i kemi kërkuar prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që, për vetë natyrën e deponimeve të Izet Haxhisë, për krimet e rënda që janë kryer dhe që po zbardhen prej tij, për subjektin kryesor, autorin e kryerjes së këtyre veprave me rrezikshmëri të lartë dhe pasoja të rënda për Shqipërinë, siç është ish Presidenti i Republikës Sali Berisha, për rrezikshmërinë potenciale që paraqet ai edhe aktualisht në zhdukjen e provave dhe të dëshmitarëve okularë, t’i jepet Izet Haxhisë Statusi i të mbrojturit të drejtësisë.

– A besoni se do t’i jepet ky status Izetit?

– Besoj shumë. Përndryshe do të viheshin në pikëpyetje shumë gjëra, mbi të gjitha reforma në sistemin e drejtësisë. Të përgjegjshëm se një vendimmarrje e tillë për t’i dhënë Izet Haxhisë Statusin e të mbrojturit nga drejtësia do kohën dhe procedurat e veta, ditën e premte që kaloi, pas takimit me oficerin e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në ambientet e Burgut 302 në Tiranë, i deklaruam atij se Izet Haxhiaj do të vazhdojë rregullisht deponimet e tij, si më parë, pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke filluar nga dita e sotme dhe ditët në vijim. Do të jetë një nga gjyqet më spektakolare në këtë vend. Me fakte dhe dëshmi tronditëse. Prandaj dhe kam deklaruar se për shkak të të vërtetave të mëdha që dëshmon Izet Haxhia, ai ndodhet i rrezikuar. Më vjen mirë kur shikoj shteti është vënë seriozisht në lëvizje për ta mbrojtur këtë dëshmitar jo të zakonshëm./DITA



Skip to toolbar