Basha sulmon Ramën: Europa të refuzoi, negociatat i fitoj vetë

AKTUALITET


Lulzim Basha zgjodhi të “kopjojë” Kryeministrin Edi Rama, në “betejën” e nisur në rrjetet sociale mes të dyve, për “fajin” e mos hapjes së negociatave. Basha publikoi të martën në mesditë disa citime të liderëve kryesor të BE-së, që sipas Bashës, ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë për për hapjen e negociatave.

Basha shkruan fillimisht se: “Megjithë lojërat e Ramës për tu fshehur pas propagandës, të gjithë e shohin me sy të vërtetën. Ai dështoi të na afrojë me Europën, siç dështoi të përmirësojë ekonominë dhe të luftojë korrupsionin. Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Shqiptarët meritojnë më të mirën. Për fat të keq ka një njeri që e pengon këtë rrugë. Europa e refuzoi, tani është koha ta refuzojnë shqiptarët”, shkruan në komentin e tij Basha.


Ndërkohë, më pas ai citon Kancelaren Angela Merkel, që sipas Bashës, “Shqipëria nuk bini për një vendim unanim”. “Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave. Ndryshimi i emrit ka qenë një progres i madh, edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bindur që të marrim një vendim unanim”, shkruan Basha duke cituar kancelaren gjermane.

Më tej, Basha citon dhe presidentin e Francës Emanuel Macron. “Dje dëgjova disa fjalë se ne pothuajse arritëm uninamitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. nuk është e vërtetë. Padyshim, aty kishte një shumicë te gjerë që Maqedonisë së Veriut ti hapen negociatat, por shumica e shteteve ishin kundër Shqipërisë. Nisja e bisedimeve të anëtarësimit vetëm me një vend do të ishte një gabim”, citohet Macron nga Lulzim Basha.

Në fund, kryedemokrati citon Kryeministrin e Hollandës, Mark Rutte, që sipas Bashës, shprehet se: “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar – diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten se sa ka shkuar progresi në Shqipëri dhe, pikërisht këtu, kemi më shumë shqetësime”, citohet Rutte nga Basha.

Të hënën, në një  konferencë për mediat kreu i PD u shpreh se Shqiqërisë i duhet një qeveri e re për të hapur negociatat. “Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha duke kërkuar që Rama të ndjek shembullin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.




Skip to toolbar