Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani i ka cilësuar akuzat e PD-së si shpifje dhe hedhje balte mbi figurën e tij për arsye politike. Gjatë një deklarate për mediat, Babani tha se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, nuk ka ndryshuar kurrë emër dhe se për të tilla përbaltje politike të figurës së tij, sekretari i përgjithshëm i PD-sw, Gazmend Bardhi do të përballet me prokurorinë duke paralajmëruar se do të ngre padi për shpifje ndaj tij.
“E gjithë kjo histori është e sajuar. Është një histori që nuk ka lidhje me mua. Unë deklarimet i kam pasur shumë të qarta. Ato nëse kanë prova mund të shkojnë në prokurori. Absolutisht nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve të mi. Unë jam i gatshëm që të shkoj në Prokurori dhe të jap shenjat e gishtave. Normalisht ata do sajojnë që të më ulin imazhin. Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë as i arrestuar dhe as i ndaluar nga policia, kurrë”, tha Babani.
Më herët PD paraqiti dokumente ku akuzoi Babanin se ishte arrestuar me emrin e rremë Sajmir Marq Babaj, më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë për vjedhje makinash, ndërsa vetë Babani tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se do të ngrejë padi për shpifje ndaj Gazmend Bardhit.
“Më 4 prill 1994 kam qenë në hotel dhe kam qenë në punë. Nëse kanë fakte mund të kishin shkuar në prokurori. Unë kam lindur Mark Babani dhe jam Mark Babani, as Sajmir e as kushdo tjetër. Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë as i arrestuar as i ndaluar prej policisë. Unë nuk kam asnjë person të fisit tim që e ka emrin Sajmir. Para se prokuroria të dalë me një vendim do t’i bëj denoncim zotit Gazmend Bardhi për shpifjet që ka bërë karshi figurës sime. Unë kam autorizuar avokatët e mi dhe po shoh para se Prokuroria të dalë me një vendim që t’i bëj një denoncim zotit Bardhi për shpifje.“ tha Babani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Bardhi ka reaguar deklaratës për media të Babanit duke thënë se “bën shumë mirë që paska avokatë, se do t’i duhen për të negociuar vitet e burgut për fshehje të faktit që është arrestuar për vjedhje makinash në Siçili më në 4 Prill 1994.”