Komisioni Hetimor për TIMS-së, që nisi në orën 17:00, është duke u zhvilluar mes debatesh mes socialistëve dhe demokratëve të Rithemelimit.
Kjo për arsyen se ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe PS-ja kërkuan që mbledhja të bëhet që në momentet e para me dyer të mbyllura pasi kishte informacion të klasifikuar dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie.
Por kryetari i Komisionit, Ervin Salianji kërkoi që, vetëm pasi Balla të ishte i pranishëm në Komision dhe të kërkonte mbledhje me dyer të mbyllua, të veprohej në këtë mënyrë. Socialistët e akuzuan Salianjin për shkelje ligji.
Ministri i Brendshëm ishte i pranishëm në Kuvend por deri më tani nuk ka hyrë në sallën e mbledhjes së Komisionit Hetimor.
Këtë të mërkurë janë parashikuar të dëshmojnë mbi rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS-së, Ministri i Bendshëm, Taulant Balla, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, që sipas të dhënave të publikuara deri më tani, dyshohet se është ai që ka ndërhyrë tek sistemi dhe për këtë arsye është në hetim dhe nën masë sigurie “arrest shtëpie”, e vendosur nga Prokuroria e Tiranës./abcnews.al