Ndeshja e mbrëmjes mes Turqisë dhe Shqipërisë do të shoqërohet me masa të rrepta kontrolli për tifozët. Jo pak por në 3 pika kontrolli do të kalojnë tifozët para se të futen në stadium ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë informacion për mjetet që nuk do të lejohen të futen brenda në stadium. Ndeshja mes Turqisë dhe Shqipërisë luhet sonte në Stamboll në orën 20:45 por grupet e tifozëve shqiptarë duhet të jenë në stadium që në orën 18:00 dhe s’duhet të marrin me vete flamuj me logon “Autochtonus” si dhe banera të tjerë të grupeve të tifozëve ultras.
Këto masat janë në përputhje me ligjin sportiv që ka Turqia që nuk lejon vendosjen e shumë materialeve në stadium.
“Kemi marrë konfirmimin se do të lejohen daullet për çdo grupim, flamurët shqiptar dhe shallet me logon e flamurit Kombëtar. Nuk lejohet asnjë megafon, baner ultrasësh i çdo tifogrupi, baner me imazhe personale, veshje që nuk kanë lidhje direkte me flamurin kuqezi siç mund të jenë ato me imazhin Autochtonus.
Nuk lejohen çantat e krahut dhe të shpinës, të gjithë duhet ti lënë në hotel ose në autobusat më të cilat udhëtojnë, pasi nuk është mundësuar një pike grumbullimi për ruajtjen e tyre. Lajmërojmë tifogrupet e organizuara se nisja për në stadium do të bëhet në orën 18:00, për arsye të kontrollit të rreptë që do të ushtrohet në 3 pikat e kontrollit përpara hyrjes në stadium. Brenda stadiumit do të gjeni pika shitje për freskuese dhe ushqime të shpejta”, njofton FSHF.