Rruga e Arbrit, Balluku: E kalueshme, para afatit

AKTUALITET


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar punimet në rrugën e Arbrit ku ka parë nga afër ecurinë e ndërtimit të tunelit të Murrizit, nga ku ka premtuar se po ecet me ritme të shpejta dhe se kjo rrugë e rëndësishme do të jetë e kalueshme për automjetet para afatit të parashikuar në kontratë, pavarësisht problematikave të hasura gjatë zbatimit të projektit

“Çfarëdo që është duke ndodhur sot në këtë tunel tregon profesionalizimin me të cilin ju po e menaxhoni situatën. Kjo është një situatë e vështirë, pavarësisht studimeve që janë bërë, edhe nga Ministria në fillim të projektit, edhe nga vetë kompania, por ka rezultuar që shtresat nëntokësore, formacionet shkëmbore të kësaj zone janë formacione të dobëta, të cilat shpesh herë kanë pësuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në punë. Përsa kohë marrim vendime, të cilat do të jenë të bazuara në fakte teknike, sigurisht zgjidhja do jetë e mirë. Është një zgjidhje komplekse.

Nuk e vëmë në dyshim që do na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit dhe shpresojmë që rezultatet që do dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jenë rezultate të cilat na japin një zgjidhje që nuk do na marri shumë kohë. Megjithatë, siç ju thatë, ne kemi një plan B për krijimin e një bypass-i mbi këtë tunel në rast se nuk do kemi mundësi për të proceduar më tutje”, u shpreh Balluku.

Ndërtimi i rrugës së Arbrit është një projekt ambicioz që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Tirana në Dibër dhe një premtim i qeverisë “Rama” që është marrë seriozisht 2 vitet e fundit të qeverisjes.



Skip to toolbar