Balluku, interpelancë me banorët e Krujës: Ujësjellësi i ri nis në shtator

AKTUALITET


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i ka dhënë zgjidhje shqetësimit të banorëve të Krujës sa i takon problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

Balluku garantoi se projekti për ndërtimin e rrjetit të ri ujësjellës në qytetin e Krujës është gati dhe në shtator do të nis puna në terren teksa u shpreh se ky investim do të përmbyllet brenda vitit 2020 duke siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për banorët e Krujës.

“Ne kemi vendosur të nisim menjëherë investimin. AKUM së bashku me ekspertët e ministrisë tonë kanë hartuar planin e punës dhe ky investim do të nisi menjëherë në muajin shtator për të rehabilituar rrjetin dhe për t’ju ofruar ju shërbimin e ujësjellësit ashtu siç e meriton qyteti juaj dhe ashtu siç e meritojnë gjithë shqiptarët”, bëri të ditur Balluku, e cila iu përgjigj interpelancës së thirrur nga një grup banorësh në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.

Ajo shtoi se ky projekt do të rrisë cilësinë e jetesës për 17500 banorë, do të nxisë edhe më tej zhvillimin e turizmit në zonë si dhe do të ndihmojë zhvillimin e biznesit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, sqaroi gjithashtu se projekti për ndërtimin e rrjetit të ri ujësjellës në Krujës është pjesë e projektit madhor që brenda vitit 2023, i gjithë vendit të ketë furnizimi të pandërprerë me ujë të pijshëm.



Skip to toolbar