Kryeministri Rama iu drejtua opinionit publik me një mesazh në lidhje me publikimet e programit Report të kanalit televiziv italian Rai3 mbi Shqipërinë.
Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se dokumentari ishte një baltë që sipas tij u prodhua në Tiranë për luftën politike ndaj tij dhe qeverisë.
Rama tha ndër të tjera se ky “cenim sidomos nga vendet fqinje, është një sulm mbi flamurin tonë, mbi dinjitetin tonë”.
“Baltë e prodhuar këtu në Tiranë, për luftën politike ndaj meje dhe qeverinë. Gjithë ajo baltë e eksportuar, e ekspozuar me lloj lloj emrash. Ishte një baltë e pamerituar mbi Shqipërinë. Shikoni, Shqipëria nuk është ajo që ka qenë, jemi çliruar nga hijet e së kaluarës. Prandaj 5 kulla në Tiranë u duken si 500. Me ndihmën e politikanëve pa fe, hodhën baltë për të na pikturuar si trafikantë, kriminel. Po ky cenim sidomos nga vendet fqinje, është një sulm mbi flamurin tonë, mbi dinjitetin tonë”, tha Rama.