Banka Qendrore Europiane ka ulur normën bazë të interesit me një çerek pikë në 2.75%, ndërsa kërkon t’i përgjigjet rritjes së dobët të Eurozonës dhe rënies së normave të inflacionit.
Shkurtimi erdhi disa orë pasi Eurostat raportoi se ekonomia e Eurozonës nuk ishte rritur fare në tremujorin e katërt të 2024.
Lëvizja gjerësisht e pritshme, e cila çon normën e depozitave të BQE-së në nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2023, erdhi gjithashtu një ditë pasi Rezerva Federale e SHBA mbajti të pandryshuara normat, pavarësisht thirrjeve të Presidentit Donald Trump për të ulur kostot e huamarrjes “shumë”.
BQE-ja ka ulur tani normat pesë herë, që nga vera e kaluar dhe tregjet financiare presin dy ose tre ulje të tjera tremujore këtë vit, sipas niveleve të nënkuptuara nga tregjet e swap-eve.
Banka qendrore parashikon vetëm një përshpejtim të lehtë të rritjes nga 0.7% për vitin e kaluar në tërësi në 1.1% këtë vit.
Pritshmëritë e investitorëve, që BQE-ja do të ulë normat më shumë se Fed këtë vit kanë dobësuar euron, e cila i është afruar barazisë me dollarin.
Në dhjetor BQE hoqi dorë nga angazhimi për të “mbajtur normat e politikës mjaft kufizuese për aq kohë sa është e nevojshme” për të ulur inflacionin në përputhje me objektivin e saj prej 2%.
Inflacioni ka rënë nga kulmi i vitit 2022 prej 10.6% në 2.4% në dhjetor.