Pas ndalimit të tre protestuesve të Unazës së Re nga policia, është tensionuar më tej situata, pasi banorët e Astirit protestojnë përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë. Madje ata kanë sulmuar policët dhe kanë thyer derën e Drejtorisë së Policisë duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.
“Lironi djemtë tanë”, ishin thirrjet e protestuesve të cilët kanë tentuar të futen me forcë brenda Drejtorisë së policisë. Në mbështetje të protestuesve kanë shkuar ish deputeti i PD-së, Klevis Balliu si dhe përfaqësuesi i LSI-së, Brahimllari.
Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu u shpreh se protesta do të vijojë pavarësisht hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Penal dhe shtoi se nuk dihet sa do të zgjasë. Balliu akuzoi kryeministrin Rama për arrestimet.
“Janë arrestuar tre persona në mënyrë të paligjshme, anti kushtetuese, pasi nuk ka pasur asnjë përplasje dhe asnjë problem. Nuk ka asnjë ligj që ndalon të drejtën për të protestuar. Jeni i dezinformuar, pasi nuk është bllokim rruge, por protestë, këto janë në protestë, nuk ka lidhje bllokimi i rrugës.
Nuk do të dalë nipi i Spiro Kolekës që të rikthejë nenin 55, ata që janë arrestuar janë arrestuar në kundërshtim të ligjit. Ky provokim që u ka ardhur banorëve të Unazës. E gjithë kjo përplasje erdhi për shkak të provokimit të Ramës. Është Rama shkaktari. Banorët kishin 12 muaj në protestë pa asnjë incident, ndërsa ky i arrestoi, pasojat janë përgjegjësi e tij. Nuk e di ccfarë do të ndodhë, por gjithccka ndodh është faji i tij. Përgjigja jonë ndaj bandave do të jetë e shpejtë e pamëshirshme.
Duhet dialog me banorët. Sot jemi në një moment kritik për hapjen e negociatave, ndërsa ky vjen dhe arreston njerëz të pafajshëm. Ky nuk merret me kushtet e Europës, por do të hapë vizat me Serbinë. Do ta mbrojmë pluralizmin me gjak. U them policëve hapni sytë, pasi Rama është në ditët e fundit dhe ata që zbatojnë urdhrat do të mbajnë përgjegjësi. Sot protesta do të vijojë në 18:30 dhe nuk e di sa do të vijojë, do ta vendosin banorët”, tha Balliu.
Edhe Brahimllari, ish-deputet i LSI-së akuzoi Ramën për arrestimet e banorëve të Astirit ndërsa tha se kjo është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e tij. “Ulsi Manja me shokë sot duhet të ishin para drejtësisë, jo banorët. Nuk mundet Edi Rama me deputetë ilegjitimë, deputetët që kalojnë projektligje ilegjitime do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të jemi në mbështetje të banorëve të Unazës së Re” tha Brahimllari.
Policia ndaloi gjatë mëngjesit të së enjtes 3 protestues të Astirit për shkak se në datën 7 tetor ata kishin bllokuar Unazën e Re. Bllokimi i rrugëve falë ndryshimeve të reja që i janë bërë Kodit Penal, dënohet me burg./ Realstory.al