Ndërsa deputetët pritet të rrëzojnë në seancë parlamentare dekretet e Metës për koncensionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, nga selia e PD-së, Lulzim Basha i ka bërë “avokatin” dekreteve dhe ka kërcënuar deputetët me burg, në rast se votojnë kundër dekretit dhe pro koncesioneve.
Basha paralajmëroi deputetët që do të votojnë pro këtyre projektligjeve se emrat e tyre do të mbahen shënim dhe do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme të SPAK dhe BKH-së. Ai akuzoi Ramën për projekt korruptiv në rrugën Milot-Balldren.
“Dua të paralajmëroj çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të miratuar vjedhjen me ligj se nesër do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe do ju mbajmë shënim emrat. Nesër do ju ndjekim këmba-këmbës. Çdo qindarkë dhe çdo pronë do të jetë nën lupën e ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut. Ajo çka votohet sot nga ‘Landfilli’ i Republikës me ligj, pasi ky projekt është diskutuar në restorantin luksoz të Ramës, ndërsa në fakt është në pronësi të familjes Kola. Ky projekt u parashikua me vlerën 130 mln euro. Më pas tenderi u hap me shtesë 50 mln euro. Në kontratë vlera shkoi në 216 mln euro dhe me TVSH 260 mln euro. Vlera në pagesat e përgatitura shkon në 40 mln euro më shumë. Të dashur qytetarë formula e vjedhjes së parave tuaja është e thjeshtë; fryhen kostot dhe ato shtesat i merr Rama dhe klientët e tij. Rama është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria, grabitës psiqik. Çdo koncesion dhe kontratë korruptive ka një destinacion; xhepat e Ramës pa asnjë përfitim për qytetarët”, -tha Basha.
Pak kohë më parë presidenti Meta nuk firmosi dy projektligjet e miratuara në Kuvend për ndërtimin me koncesion të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, duke i kthyer sërish në kuvend këto ligji.
Sipas Presidentit në kontratën e koncesionit, qartazi, është shkelur parimi i efiçencës financiare dhe buxhetore për investimet publike, ndërsa hedh akuza ndaj qeverisë duke thënë se miratimi me ligj i kontratës është mbulim sipas tij i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare. Pak a shumë, argumentet e presidentit për të rrëzuar ligjet e qeverisë ishin të njëjta me ato që përdor Basha dhe PD./realstory.al