Në kulmin e nxehtësisë së krizës politike, një muaj pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kur Rama i ka shtrirë dorën Bashën për bisedime, kur Meta kërkon që zgjedhjet të zhvillohen më 13 tetor, kur kritikat janë rritur ndaj aksionit opozitar me braktisjen e mandateve dhe zgjedhjeve vendore, kur aleatët e PD kërkojnë që Basha të ulet në bisedime me Ramën dhe janë të gatshëm të hyjnë në zgjedhje pa ndryshuar kryeministër, kur të mënjanuarit e PD kanë paralajmëruar lëvizjen “Basha ik”, kur demokratët janë mërzitur sesi kryetari i tyre nuk po i mbështet në “mbrojtjen” e bashkive, pasi i gënjeu se nuk do të kishte zgjedhje, si në rastin e fundit të Kamzës, dhe kur të gjithë ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhje të krizës politike, ndërsa në muajin tetor jepet vendimi për negociatat me BE-në, kreu i opozitës ka njoftuar se do të dalë në një deklaratë për mediat.
Interesi publik ka qenë i lartë, duke pritur se ai do të fliste pikërisht për një nga këto çështje, jo ndoshta për të gjitha, por jo. Përkundrazi, Basha ka vendosur të heshtë për secilën prej tyre, ashtu siç ka heshtur deri tani për zhgënjimin e madh të demokratëve për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët nuk e kanë kursyer me komente të ndryshme në çdo status të tij në rrjetet sociale, pasi në drejtimin e tyre, jo vetëm u hoqi çdo pushtet, por edhe ato bashki, të cilat konsideroheshin të sigurta, ndërsa opozita nuk është pjesë e asnjë vendimmarrjeje të rëndësishme për qytetarët dhe i vetmi opozitar që ka mbetur për të kundërshtuar është kreu i shtetit, i cili me autoritetin kushtetues, po kthen mbrapsht çdo ligj të mazhorancës, pavarësisht se këto veprime sjellin vetëm vonesë të hyrjes në fuqi, por nuk shkaktojnë asnjë penalizim tjetër.
Basha, përkundrazi, nuk ka dashur të flasë për qytetarët, por ka folur për projeksionin e tij kur të jetë kryeministër, duke u shprehur se do të krijojë struktura të forta, madje me ekspertë ndërkombëtarë, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e pushtetit, ashtu siç realizoi revolucionin imagjinar.
Por, një gjë e rëndësishme mbetet nga kjo dalje publike e Bashës, pasi në dy javët e fundit ishte mjaftuar me takime të regjistruara nëpër rrethe dhe me njoftime nga zyrat e PD. Në këtë dalje publike, Basha ka treguar se po ndjek taktikat e paraardhësit, megjithëse kohët e fundit ka qenë në mëdyshje nëse do pranojë konsultat e ndërkombëtarëve, apo do vijojë të jetë një shëmbëlltyrë e Berishës. Pse e themi këtë?
Veprimi i Bashës është identik me atë të Berishës në fundvitin e 2010, pikërisht 3 javë para se të shkaktohej 21 janari me katër viktima. Edhe në atë kohë kriza politike kishte arritur kulmin e protagonistët ishin të njëjtë, Meta, Berisha dhe Basha, ndërsa Rama në opozitë. Berisha nuk kishte dalë në ndonjë konferencë të afërt për shtyp dhe në fundvit kryeministria njoftoi se më në fund do të dilte. Interesi i gazetarëve, por edhe i opinionit publik ishte i lartë se çfarë do të thoshte Berisha për krizën, ndërsa opozita kërkonte shkarkimin e Metës. Ai nuk tha asnjë fjalë për protestat dhe për krizën, por foli për halorët, sesa të rëndësishme janë pyjet dhe investimet në to, vendimet që kishte marrë për halorët dhe e mbylli vitin me këtë deklaratë. Kështu, duke lexuar deklaratën e tij, edhe Basha duket se ende vazhdon të krijojë shtetin imagjinar në mendjen e tij, se si do e bëjë kur të bëhet Kryeministër, ose ndoshta vapa edhe nuk po e lë të mendojë qartë./ Realstory