Lufta e Metës me dekretet, kthen koncesionin Milot-Balldren

POLITIKË


Presidenti Meta nuk ka aspak në plan të ndalojë betejën e dekreteve që ka nisur me qeverinë duke i kthyer asaj edhe një ligj tjetër për rishqyrtim, atë të koncesionit për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren.  Ky bëhet ligji i 3 që i kthehet mbrapsht Kuvendin në vetëm 3 ditë.

Gjatë arsyetimit të kthimit të këtij ligji, Meta cilëson se kontrata me koncesionarin është miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik. Madje Meta sulmon qeverinë se më këtë kontratë ka dashur të “mbulojë paligjshmërinë e bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.”


Presidenti Meta rreshton 8 pika të cilat janë arsye të mjaftueshme për ta kthyer mbrapsht këtë ligj për koncesionet si dhe thekson se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare, në mënyrë eksplicite, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

“Ky ligj dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit. Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj. Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave të shtetit. Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë. Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces. Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit. Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.” – shkruan Meta

Më herët Presidenti Meta i ktheu qeverisë edhe dy ligje të tjera të rëndësishme atë të për koncesionet dhe PPP-të dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Duket se Meta ka vendosur ta përdorë të gjithë fuqinë e tij Kushtetuese për t’ia vështirësuar edhe më shumë punën mazhorancës, por në fakt, pavarësisht kthimit të tyre, kjo vetëm do të sjell vonesa të hyrjes në fuqi, por nuk shkaktojnë asnjë penalizim tjetër. Këto dekrete mund të miratohen lehtësisht me fuqinë e kartonit me një shumicë të thjeshtë votash në Kuvend, vota të cilat Partia Socialiste i ka të garantuara.

Lexo këtu deklaratën e plotë.




Skip to toolbar