Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të ketë një të hënë të ngjeshur me takime brenda strukturave të partisë së tij, të cilën e mbajti me shpresa për 5 muaj se nuk do të kishte zgjedhje në 30 qershor dhe se përmes protestave PD do të rrëzonte qeverinë dhe do të vinte në pushtet. Ndaj fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit Basha ka nisur “fushatën” brenda partisë për të qetësuar gjakrat,(e nxehur për shkak të humbjes së çdo pushteti) dhe për të ruajtur karrigen e tij si kryetar i PD-së.
Të hënën Basha pritet të zhvillojë një takim me banorët dhe me strukturat e Koplikut në orën 18:00.
“Kreu i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha ditën e hënë dt.15.07.2019 takim në Koplik, ora 18:00 me strukturat dhe qytetarët e prekur nga kjo krizë politike e ardhur nga Kryeministri që me vendimet e tij vetëm zgjat më shumë duart në xhepat e qytetarëve dhe po na varfëron dita ditës.
Takim për të diskutuar gjendjen pas 30 qershorit dhe vazhdimin e aksionit politik të opozitës për betejen tonë të përbashkët, ndryshimin e madh.
Jemi në hapat e duhur për të sjellë këtë ndryshim, për të treguar që nuk jemi populli që pranojmë dhe mbështesim partinë personale dhe regjimin e Edi Ramës”, bën të ditur kryetari i PD në Malësinë e Madhe Anton Kokaj.
Gjithashtu kreu i demokratëve do të mbajë takime edhe në Shkodër në orën 19:00, ndërsa në 20:00 do mbledhë strukturat e PD dhe qytetarët në Vaun e Dejës.
Kujtojmë se Basha ka paralajmëruar nisjen e aksionit opozitar që do të zgjasë gjatë gjithë verës.