Basha heq dorë nga protestat: Në pushtet vetëm me program

POLITIKË


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha harron përfundimisht rrugën e protestave. Gjatë takimit të tij me fermerët e Myzeqesë, Basha tha se do të vij në pushtet përmes programeve që demokratët do të paraqesin për qytetarët.

“Zgjidhja do të vijë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne po punojmë që ju të zgjidhni sa më shpejt qeverinë që ju ofron programin që ju mendoni se është më i miri për ju. Ti hap rrugë një qeverie që vjen me votën tuaj të lirë. Rruga për të dalë nga kjo janë zgjedhjet për programin që mendoni se është më i mirë për ju, ky është mekanizmi bazë i demokracisë” tha Basha, duke lënë të kuptohet se rruga e protestave është një çështje e harruar për të.


Gjatë diskutimit me fermerët, Basha u pyet edhe për faktin pse flitet gjithmonë se “ai fle gjumë” dhe nuk bën asgjë. Lideri demokrat tha se këto dalin nga ata persona që mendojnë se po nuk vodhe, je në gjumë. “Këta punë quajnë vjedhjen. Po nuk vodhe këta e quajnë gjumë.”

Basha foli edhe për programin e tij për subvencionimin dhe mbështetjen e fermerëve duke i premtuar se do të heq taksën e karburantit dhe të eliminojë futjen e mallrave të subvencionuara nga jashtë.  

“Mbështetja për fermerët do të bëhet në bazë të sasisë së prodhimit. Prodhimi do të ketë akses në tregun e brendshëm por edhe të jashtëm. Kjo do të bëhet duke eliminuar taksën Rama mbi karburantin dhe duke shtuar kontrollin në dogana për të eliminuar futjen e mallrave të subvencionuara nga jashtë. Kush sjell këto mallra do të paguajë taksë që të mos ju konkurrojë me çmime më të ulëta. Dogana do punojë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Nuk do të keni nevojë për NIPT sepse identifikimi i fermerit shqiptar do të bëhet vetëm me kartë identiteti. NIPT u shpik për t’ju futur ju në vathë. Fëmijët e fermerëve do të paguajnë zero tarifë për universitetin dhe do të kualifikohen në shkolla profesionale për atë sektorë që ju shërbejnë ju” tha Basha.




Skip to toolbar