Kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se është gati të përballet me Ramën në zgjedhje, pasi e ka mundur njëherë tek e tek në zgjedhjet e 2011 dhe vazhdon ta mund atë çdo ditë. Gjatë një interviste për “News 24” Basha nuk dha përgjigje nëse ishte i gatshëm të shkonte në zgjedhje me Ramën kryeministër apo qeveri tranzitore, por tha se problemi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të diktuara nga krimi.
“Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylat?!” tha Basha
Në lidhje me sistemin zgjedhor, Basha tha se është i hapur për ndryshim të tij dhe vetë qëndronte tek një sistem mazhoritar me lidhje të drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Në këtë mënyrë tha Basha fati i deputetëve nuk do të jetë i lidhur me kryeministrin, por me fatin e votuesit.
“Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejt të deputetit me zgjedhësit dhe kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin qe kur partia është në qeveri deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’iu thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe shpeshherë me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.” tha Basha