Kreu i opozitës, Lulzim Basha, duke i konsideruar nul 30 Qershorin, ashtu siç deklarohet se do të jetë teza e PD në çdo dalje publike, sipas dokumentit të publikuar nga realstory.al, ka kërcënuar me burg anëtarët e KQZ, të cilët të shtunën miratuan rezultatin përfundimtar, por pa arritur të certifikojnë zgjedhjet për shkak të votës kundër të Kryetarit të KQZ, Klement Zguri.
“Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”, u shpreh Basha në Përmet.
Kreu i opozitës, me të njëjtën retorikë, tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, refuzimit të Edi Ramës nga 85 për qind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim. “Farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor”, tha kreu i opozitës gjatë takimit me strukturat e PD në Përmet.
Pak më herët, Denar Biba e kishte cilësuar një leksion shtetbërës 30 procesin zgjedhor të 30 qershorit, duke i dërguar një mesazh të qartë opozitës dhe Presidentit Meta, se ky është vetë fillimi i një beteje kundër pazareve të ngushta politike.