Në kohën që shpresat e Shqipërisë janë të vakëta për hapjen e negociatave, por ende nuk ka një vendim zyrtar nga Këshilli Europian, kreu i opozitës ka nxituar për ta bërë fakt të kryer refuzimin për hapjen e bisedimeve me vendin tonë, madje duke nxjerrë tezën se po të ndryshohet kryeministri, hapen negociatat.
Ai nuk ka përmendur drejtpërdrejt zgjedhjen e vetes si kryeministër, por e ka lënë të nënkuptohet, duke u shprehur se Shqipëria ka nevojë për një lidership që të plotësojë kushtet e Bundestagut dhe të realizojë potencialin e plotë për hapjen e negociatave. “Gjermania ka shtuar 9 kushte që përbëjnë udhërrëfyesin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ne duhet gjithashtu të luftojmë me efektivitet krimin dhe korrupsionin dhe të krijojmë mundësi për qytetarët tanë, që do të ndihmojë për të reduktuar emigracionin. Unë kam besim se vendi im e ka potencialin për të përmbushur këto kritere. Tani kemi nevojë për lidershipin që do ta realizojë potencialin e plotë të Shqipërisë”, deklaroi Basha. Kjo do të thotë se kryeministri aktual, sipas Bashës nuk ia ka dalë dhe që ai duhet të ndryshohet, duke ardhur në pushtet opozita. Por fakti që godet më shumë është se Basha e cilëson vendimin e Këshillit Europian të marrë tashmë, pavarësisht se ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare dhe të gjithë mbeten sy e veshë te negociatat që po zhvillohen në misionin për bindjen e Macron. “Vendimi i Këshillit Europian nuk është ai që dëshironim dhe shpresonim. Tani e gjithë energjia dhe fokusi ynë duhet të jetë tek kryerja e detyrave të shtëpisë”, deklaroi Basha, duke pritur me padurim refuzimin e negociatave.