Basha, “mollë sherri” në komisionin e ligjeve

Më të fundit


Diskutimi mbi pallatin e familjarëve të Lulzim Bashës në Vlorë dhe humbja e gjyqit në Strasburg është kthyer në një “mollë sherri” në Komisionin e Ligjeve, mes deputetit socialist Bashkim Fino dhe Avokatit të Shtetit, Artur Metani.

Në mbledhjen që u zhvillua në Komisionin e Ligjeve, deputeti Fino iu drejtua Avokatit të Shtetit, Artur Metani me një pyetje për sa i përket vendimit të Gjykatës së Strasburgut mbi pallatin e familjarëve të Lulzim Bashës në Vlorë. Fino kërkoi informacione mbi çështjen dhe për mënyrën se si u humb nga Avokatura e Shtetit në Strasburg. Në përgjigje të tij, Metani iu drejtua Finos duke i thënë: “Zoti deputet”. Por kjo ka nevrikosur Bashkim Finon, i cili tha se kishte 22 vite deputet dhe se Avokati i Shtetit iu drejtua deputetëve të rinj në emër dhe me respekt, ndërkohë që atë e quajti “zoti deputet”. “Për etikë, më quajnë Bashkim Fino, jam deputet i PS-së, kam 22 vite në Parlament dhe shpresoj që siç di emrin e disa deputetëve që rishtaz kanë ardhur të rinj (duke iu referuar Andi Përmetit), dhe të cilët i vlerësove të më vlerësosh dhe mua me këtë etiketë. Vetëm për çështjen që fole, nuk kam dëshirë”, tha Fino.

Ndërkohë, Avokati i Shtetit, Artur Metani ka thënë: “Më mirë. Nuk është dhe objekt i raportimit tek e fundit”. Ndërsa debati ka vijuar mes Finos dhe Ulsi Manjës. “Ti duhet të mbash qëndrim si kryetar i Komisionit për këtë gjë”, tha Fino. Por kryetari i Komisionit të Ligjeve i është përgjigjur me batutë Finos; “Gishtin mos ma drejto mua se nuk jam shoku jot unë”, ndërsa pas këtij debati ka vijuar mbledhja për diskutimin e projektligjit.



Skip to toolbar