Basha, nga prokuroria në teatër, vë në skenë “Rama ik”

Më të fundit


Kryetari i PD, Lulzim Basha, pas marrjes në pyetje nga prokurorët belgë, ka shkuar menjëherë te Teatri Kombëtar për të nënshkruar marrëveshjen e njoftuar një ditë më herët, kur u rrëmbeu protestën artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke e kthyer atë në një protestë “Rama ik”.

Sapo Basha ka vënë këmbët në teatër, ai është pritur me duartrokitje nga të pranishmit në sallë, të cilët janë ngritur në këmbë dhe thirrjet në mbrojtje të teatrit i kanë tjetërsuar me thirrjet “Rama ik”, duke harruar kauzën për të cilën ishin mbledhur dhe duke iu bashkuar kauzës së opozitës. Ndërsa lideri i opozitës është ngjitur në skenën e teatrit, duke performuar me nënshkrimin e një kontrate me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, ku i rrethuar nga disa artistë, ai premtoi se sa të vijë në pushtet do të anulojë ligjin për Teatrin e ri Kombëtar, ligj të cilin e bojkotoi kur u miratua në Kuvend, duke braktisur sallën e parlamentit.


Pas nënshkrimit të kontratës me Partinë Demokratike, aktori Neritan Liçaj ka mbajtur fjalën e tij duke e quajtur marrëveshjen një lëvizjes qytetare për kombin dhe flamurin. Gjatë fjalës së tij Liçaj përdori edhe moton e opozitës duke thënë “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”.

Me këtë kontratë, protesta e artistëve do të organizohet tashmë nga opozita. Që në pikën e saj të parë thuhet se PD dhe opozita angazhohen për mbrojtjen e teatrit, duke përfshirë ndërmarrjen e çdo aksioni të mundshëm. “Brenda një muaji, zonën ku përfshihet edhe teatri kombëtar do t’i rikthehet statusi monument kulture. Ai do t’i nënshtrohet restaurimit sipas ekspertëve të kulturës. Brenda një muaji nga marrja e qeverisjes PD do të shfuqizojë ligjin për shembjen e teatrit. PD do të ndërmarrë masat për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë ata që janë përfshirë në çështjen e teatrit”, thuhet në kontratë, pavarësisht se ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe që nisja e punës për ndërtimin e teatrit të ri mund të fillojë nga dita në ditë.

Basha është shprehur se për të kjo mbështetje  është një emocion i madh, që do të vazhdojë po ashtu me grup të tjera si mjekët,  infermierët dhe shoqata të ndryshme. Basha ka falenderuar edhe studiuesin Aurel Plasari, i cili ka qenë i pari që i dha idenë e kësaj marrëveshje.

Më tej, lideri demokrat Lulzim Basha e ka kthyer në një deklaratë politike fjalën e tij para artistëve pas nënshkrimit të kontratës me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. “Mesazhi i 30 qershorit është mesazh për një ndryshim të vërtetë. Shkelja e kësaj kontrate na ngarkon me përgjegjësi para publikut dhe votuesit shqiptar. Siç e tregoi dhe 30 qershori, drita në fund të tuneli po shkëlqen fort”, tha Basha.




Skip to toolbar