Kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se zgjidhja e vetme e krizës politike në vend do të vijë përmes platformës për Reformën Zgjedhore me 5 pika që opozita e bashkuar i ka lënë në tryezë qeverisë. Basha nuk tërhiqet nga plani për Reformën Zgjedhore, që ajo të diskutohet mes PS dhe PD duke larguar nga bisedimet opozitën parlamentare, që për opozitën e vetëlarguar është ilegjitime. Basha hodhi akuza se përgjegjës i vetëm për krijimi e krizës është Rama, ndërsa projektoi sërish vetën kryeministër ku tha se paratë e oligarkëve do t’u shpërndahen shqiptarëve sapo ai të vijë në pushtet.
“Në fakt i vetmi njeri përgjegjës është Edi Rama. Ai po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë. Opozita e bashkuar në krye të detyrës, propozimi për reformën zgjedhore vijon që të mbetet në tryezë dhe me këtë përgjegjësi i kam konfirmuar ministrit austriak që mund të mbështeten te PD-ja. Synimi ynë është që përmes zgjidhjes së krizës është që ecim me vendosmëri dhe vizion për të bërë detyrat tona të shtëpisë për të luftuar korrupsionin duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar dhe duke i kthyer te xhepat e shqiptarëve” tha Basha
Këto deklarata Basha i bëri pas një takimi që mbajti me ministrin e Jashtëm austriak. Ai theksoi se Rama po ndjek një rrugë të gabuar duke fajësuar këdo pse Shqipëria nuk merr dritën jeshile për hapjen e negociatave.
“Me ministrin austriak ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore për hapjen e negociatave. Dua ta them qartë që rruga që ka zgjedhur Rama në këtë javë që ka mbetur është e gabuar. Është rruga e fajësimit ndaj BE-së dhe çdo kujt tjetër, dhe opozitës, medias dhe qytetarëve për të hequr përgjegjësinë.” tha Basha