“Bashkimi bën fuqinë! Do u marrim paratë oligarkëve, do rrisim rrogat e pensionet”. Nuk është citim nga librat e Leninit, por pjesë nga fjalimi i kreut të PD-së Basha. Ai foli të mërkurën në kongresin e sindikalistëve, ku bëri pretime që ngjasonin me parrulla e teza komuniste. Ndërsa më e forta ishte premtimi i “parajsës”: rroga minimale 300 euro brenda 6 muajve të parë të mandatit të Bashës si kryeministër dhe brenda mandatit të parë do të shkojë 400 euro. Dhe rruga që Basha do të ndjekë për të rritur rrogat dhe pensionet do të jetë ajo e marrjes së parave nga të pasurit, nga oligarkët.
“Ndaj dua që sot ta them qartë dhe publikisht, përkushtimin tonë të parë dhe të palëvizshëm; deklaroj para kësaj asambleje të mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësve shqiptarë, vendimin e Partisë Demokratike për të kaluar brenda gjashtëmujorit të parë të mandatit tonë të parë qeverisës, masën e rrogës minimale, të pagës minimale, në nivelin e 300 eurove dhe brenda katër viteve të para të qeverisjes, në nivelin e 400 eurove për të gjithë punëmarrësit shqiptarë, si një masë e domosdoshme.
Do t’i japim fund koncesioneve korruptive dhe çdo qindarkë që shkon për oligarkët dhe pushtetarët, do ta çojmë për rritjen e pagave, pensioneve dhe për të investuar për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Bashkimi bën fuqinë! Prandaj le të bëhemi bashkë, ju si sindikata dhe bashkë me Partinë Demokratike t’ia dalim të arrijmë qëllimet tona për më shumë punë e mirëqenie”, tha Basha.
Edhe më herët kreu i PD-së ka sulmuar ashpër oligarkët, ndërsa gjithnjë e më shpesh Basha ka nisur të bëjë premtime se çdo të bëjë kur të jetë kryeministër. Por ky fjalim i Bashës me shprehje si të Leninit, si zor të pritet mirë edhe nga vetë demokratët./realstory.al