Baze: 3 marsi, është 8 janari i dytë i Berishës

Më të fundit


Zakonisht PD i bën protestat të shtunave, ose të dielave. Por këtë radhë, ka bërë një përjashtim. Protesta do të bëhet ditën e premte më 3 mars, pasi po atë ditë Gjykata do të vendosë për fatin e vulës së PD. 

Më në fund Berisha e zbuloi “motivin” e madh të revoltës opozitare. Ajo nuk ka të bëjë as me Qeverinë, as me Edi Ramën, as me McGonigal, por me Lulzim Bashën. Pas dështimit të protestës së fundit në Bulevard, ai vendosi të kalojë në aksione javore guerrilase përballë Parlamentit, ku nuk ka rëndësi nëse janë 50 apo 100 vetë, por me rëndësi është krijimi i një lajmi.


Dhe për ta përmbyllur axhendën e tij revolucionare, ka vendosur që protesta e radhës të jetë më 3 mars, ditën kur Gjykata e Tiranës ka vendosur për seancën e gjykimit të legjitimitetit të PD. Beteja është nëse Gjykata do të njohë legjitim Kuvendin e Berishës më 11 dhjetor, apo atë të Bashës më 18 dhjetor 2021.

Në të vërtetë, i gjithë “egërsimi” i papritur i Berishës muajt e fundit lidhet pikërisht me gjyqin e vulës. Kërcënimet e tij të përditshme se nuk merr pjesë në zgjedhje nëse gjykata nuk i jep vulën, është qartazi një shantazh mbi gjykatën dhe politikën që ta mëshirojnë e t’i japin vulën. 

Nga ana tjetër ai po përpiqet të përgatisë mbështetësit e vet për bojkotin e zgjedhjeve, duke e paraqitur atë jo si bojkot, por si përjashtim nga zgjedhjet, meqë mund të mos fitojnë gjyqin e vulës.

Nëse shikon kandidatët e tij për kryetarë bashkie, të cilët kanë së paku dy muaj që janë përzgjedhur, ende nuk kanë bërë takime në bazë dhe nuk kanë filluar fushatën elektorale. Ata më shumë shfaqen si aktorë të jetës politike rrotull Berishës, se sa kandidatë për bashkitë ku janë përzgjedhur.

Dhe e gjitha kjo ka vetëm një kuptim. Ata ende nuk e kanë të qartë nëse do të hyjnë në zgjedhje apo jo, pasi e kanë të lidhur gjithçka me marrjen ose jo të vulës.

Natyrisht një futje në zgjedhje e Berishës nën siglën e Ilir Metës tek “Shtëpia e Lirisë” do ta zvogëlonte atë në maksimum, duke e çuar tek mbështetësit e tij personal dhe ai nuk do të identifikohet si pakicë e pakicës në Shqipëri, siç është në të vërtetë. Ndaj kërcënimi i tij për bojkot është real dhe është një strategji e konsoliduar, që pret të ketë dhe një justifikim ligjor.

Duke e caktuar protestën e radhës më 3 mars, Berisha ka shfrytëzuar të vetmin motiv emocional që u ka mbetur ende mbështetësve të tij, që është marrja e vulës. 

Ezaurimi i motiveve për protesta ka bërë që ata të jenë të dëshpëruar dhe të katandisen në një grusht njerëzish të pamotivuar, sidomos kur dëgjojnë Flamurin e tyre që ky revolucioni mund të zgjasë dhe dhjetë vite. Akoma më keq kur dëgjojnë se dhe po u burgosi polica tani për dhunë, pas dhjetë vitesh kur të fitojë revolucioni, do amnistohen. 

Është e qartë që ata nuk kanë më motive. Nuk i ngre dot as duke u thënë se Edi Rama i ka ngulur thikë pas shpine SHBA, se ata e urrejnë SHBA pasi u ka dënuar udhëheqësin familjarisht.

Nuk i motivon dot duke u thënë se Edi Rama po na prish me Evropën, pasi ata e urrejnë Evropën ngaqë asnjë ambasador i saj nuk i jep as kafe udhëheqësit të tyre.

I vetmi motiv emocional për ta ka mbetur t’i motivojë dhe një herë për vulën e PD, meqë atë ditë është seanca e vulës. 

Ndaj i ka thirrur më 3 mars, njësoj si më 8 janar, që të marrin vulën e PD, po me qysqi, lopata dhe gaz lotsjellës, por tani kundër gjykatës.

3 marsi është 8 janari i dytë i Berishës, jo vetëm se do largohet me bisht në shalë, por se do të vulosë përçarjen përfundimtare të  PD, për shkak të tij. 




Skip to toolbar