Baze: Ankthi i izolimit

Më të fundit


Nga Mero Baze

Sali Berisha është një nga politikanët që ka bërë më shumë marrëveshje me kundërshtarët në këtë vend. E ka bërë më 1990, me Ramiz Alinë, të shkonte si i dërguari i tij tek studentët, pastaj më 1991, me Fatos Nanon për të formuar Qeverinë e Stabilitetit, pastaj më 1997 kur dorëzoi pushtetin dhe formoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, pastaj më 1998 me Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, pasi Fatos Nano kishte dhënë dorëheqje, pastaj më 2000 me Ilir Metën kundër prokurorit të Përgjithshëm pastaj më 2002 me Fatos Nanon kundër Ilir Metës, pastaj më 2005 me Ilir Metën kundër Fatos Nano,s pastaj më 2008 me Edi Ramën kundër Ilir Metës… E kështu me radhë.


Pra është një politikan rekordmen për pazare politike në Shqipëri.

Por tani jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht. Ai është izoluar në katin e katërt të pallatit, ku ende nuk dihet sa apartamente ka, pasi në ditë të ndryshme shfaqet në kate të ndryshme, por së fundmi dhe në katin e fundit të tij. Ashtu i izoluar duke bërë prova si do flasë para prokurorëve bashkë me dhëndrin e tij, ai tani shikon vetëm ëndrra me armiqtë e tij që bashkëpunojë me njëri- tjetrin, kundër tij.

Çohet në mëngjes, pret ndonjë lajm që ata janë takuar dhe kur nuk vjen, e sajon vetë. Pastaj përgatit “goditjen” ndaj lajmit që sajon vetë dhe hidhet në sulm, se po e tradhtojnë.

Gjithë problemin e ka se është i izoluar, i papërfillur dhe i parëndësishëm në jetën politike të Shqipërisë.

Nëse shikoni se çfarë ka prodhuar 24 orët e fundit, lidhur me një “pakt sekret” PS-Basha, e kupton gjendjen e tij mendore. Vetëm se PD dhe PS të dyja janë njohur si partnerë nga OSBE-ODHIR për reformën zgjedhore dhe vetëm për të denigruar këtë normalitet që ai vet e ka përjetuar për 30 vjet, ka shpikur gjithë këto skena paranojake, paktesh, takimesh, tradhtish etj.

Asgjë e rëndësishme nuk ka ndodhur. Vetëm Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj, secili më vete, për llogri të partisë së tyre, kanë takuar kreun e OSBE në Shqipëri dhe i kanë kërkuar ngritjen e ekipit të ekspertëve të huaj që do ndihmojnë në reformën zgjedhore, ku PD e Bashës ka bërë propozimet e saj të qarta për barazinë e votës, votën e emigrantëve dhe kthimin e Shqipërisë në një zonë proporcionale.

Por normaliteti është gjëja që e çmend më shumë se çdo gjë Sali Berishën në këto momente. Fakti që dy partitë më të mëdha në vend kanë nisur ritualin e bisedimeve për reformën zgjedhore pa e përfillur atë, pa e thirrur në bisedime dhe mbi të gjitha pa e konsideruar dhe mendimin e tij, e bën atë shpikë dhjetëra histori konspirative se si po e ngulin thikën pas shpine atij.

Në fakt ai tërbimin nuk e ka se dikush po e sulmon apo dikush është kundër ideve të tij për reformën zgjedhore. Ai nuk ka asnjë ide për reformën zgjedhore. Ai thjesht është çmendur pse nuk është dhe ai i ulur në një karrige aty. Nuk është një betejë e tij kundër reformës, por një nga simptomat e para të izolimit të tij. Ai nuk e pranon dot që jeta do të vazhdojë dhe pa të.




Skip to toolbar