Lajmi i parë sot herët në mëngjes ishte një postim i ndihmës sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Jim O’Brien, me ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim dhe kreun e SPAK, Altin Dumani. Postimi i quante mbresëlënëse arritjet e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke ju referuar bilancit të SPAK.
Postimi pasonte disa lajme të prodhuara nga Uashingtoni për zbarkimin e gjithë drejtuesve të SPAK atje dhe takim me gjithë agjencitë ligj zbatuese të SHBA, dhe u pasua po nga lajme të tjera.
Jim O’Brien është një nga diplomatët më me përvojë të SHBA, që është marrë gjatë me Kosovën dhe Shqipërinë. Para kësaj detyre ai ishte përgjegjës për Departamentin e Sanksioneve në Departament të Shtetit, ose thënë më shqip, të njeriut që shpall listën e personave “non grata”.
Dhe kur i shikon këto të gjitha bashkë, vizitën e gjithë prokurorëve të SPAK në SHBA, mbështetjen direkte dhe të personalizuar për Dumanin, e kupton reagimin e egër të përditshëm të Berishës kundër atij që ai e quan SKAP, dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që lavdërohet me reformën në drejtësi.
Dëshpërimi i Sali Berishës më shumë se sa nga suksesi i SPAK, vjen nga mbështetja e SHBA për të.
Problemi që ai ka, është se SPAK dhe SHBA, janë aleatë dhe i janë bashkuar dy armiq në një vend. Dhe po përpiqet ta çajë këtë rrethim duke u përpjekur të kompleksojëë Edi Ramën, duke i thënë se SPAK nuk po sulmon qeverinë, pasi komandohet prej Edi Ramës, me shpresë se do të fillojë të ankohet dhe ai.
Edi Rama është akoma më i pamëshirshëm. Ai nuk është gjahtar dështimesh, por gjahtar suksesesh.
Ai është politikani që në fakt SPAK i ka masakruar qeverinë dhe gjithë pushtetin e socialistëve. Janë pesë kryetarë bashkish në burg, tre nën hetim, deputetë, ministra, zëvendëskryeministra dhe 90 zyrtarë të lartë që janë në dyert e burgjeve, por nuk do të ndjehet i dëshpëruar.
Dhe ky po tregohet dhe më i pamëshirshëm me Berishën në këtë debat. Në vend të bëjë si Berisha dhe të ankohet për goditjet e SPAK, ai lavdëron SPAK, e mbështet në çdo goditje ndaj tij dhe akoma më shumë, sot e konsideroi reformën në drejtësi, një vepër të Partisë Socialiste.
Ajo fotografia në Uashington, nëse Berishën e dëshpëron, këtë e motivon për ta përvetësuar si meritë të tij.
Reforma në fakt ishte një iniciativë e Partisë Socialiste, e mbështetur nga SHBA dhe BE, të cilët detyruan në fund dhe Partinë Demokratike ta mbështeste.
Në këtë aspekt askush nuk gënjen.
Berisha ka të drejtë kur ndjehet i pafuqishëm që ja morën pushtetin që kishte në drejtësi dhe e përballin me dyert e burgut. Aq me tepër kur shikon se si ata që e gjykojnë dhe hetojnë dhe ata që e shpallën “non grata”, janë bashkë në një foto që në mëngjes.
Në mentalitetin e Berishës dhënia e votës për reformën në drejtësi është si “dhënia e Besës” nga anët e tij, që ai nuk duhet të prekej dhe gjithë tërbimi buron nga ajo që e quan besëprerje.
Edi Rama nuk e ka këtë problem. Ai përpiqet të krenohet politikisht që reformën në drejtësi e bëri Partia Socialiste, pasi iniciativa e tyre është.
Problemi është se socialistët janë në provë deri ku do të përballojë “Republika” e tyre “Republikën e prokurorëve”, e cila është e vetmja rrezik për të zhbërë pushtetin e tyre.
Në një krahasim ekstrem socialistët i ngjajnë dikujt që po përdhunohet, por ka vendosur ta shijojë dhe jo të ankohet, pasi e di që nuk ka shpëtim.
SHBA dhe BE kanë po ashtu të drejtën që u ka dhënë vet politika shqiptare të kontrollojnë rezultatet e kësaj reforme, për të standartizuar vendin me standardet e një drejtësie perëndimore.
Dhe ndjehen të kënaqur që reformën në drejtësi e bënë socialistët, e votuan demorkatët dhe e fituan ata.