Baze: Shpresa vjen nga ata që mallkojnë Reformën

Më të fundit


Mero Baze

Nëse doni të dini sa e thellë dhe serioze është reforma në drejtësi, shikoni pasojat e saj politike. Tre vjet pas miratimit të saj, kundërshtarët e reformës, në përpjekje për ta bllokuar dhe për ta zhbërë atë, organizuan aksionin më radikal në historinë politike të shtetit shqiptar, dhe ndoshta në botë, duke djegur mandatet parlamentare, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke tentuar të fusin vendin në luftë civile.

Mjaftojnë këto tre akte të rënda politike të pakicës antireformë, për të kuptuar se serioziteti me të cilën ajo po luftohet, buron nga fuqia e saj dhe nga pritshmëria e lartë që ka krijuar në opinionin publik.

Reforma në drejtësi, e cila ende nuk ka arritur të krijojë institucionet e saj për shkak të kritereve të rrepta të Vetingut, ka prodhuar më shumë politikë se çdo akt tjetër reformator në historinë e shtetit shqiptar.

Ajo ka prodhuar një aleancë atipike politike, që bashkon të majtë e të djathtë, që kanë frikë ndëshkimin nga drejtësia. Ka krijuar një kamikazllëk politik të pazakontë, që u kurorëzua me daljen e opozitës nga sistemi politik dhe kthimin e tyre në një pakicë të papërfaqësuar.

Por mbi të gjitha, ka krijuar një pritshmëri të madhe në publik, falë kësaj beteje politike, e cila është identifikuar si luftë pro dhe kundër reformës, dhe jo si betejë e zakonshme politike.

Ashtu siç ka nxjerrë jashtë loje opozitën politike, reforma dhe beteja rreth saj, ka ndihmuar në mënyrë të pamerituar dhe imazhin e qeverisë, të cilës i janë relativizuar skandalet, korrupsioni dhe dështimet në ekonomi, pasi duke qenë  e rreshtuar pro reformës, ka krijuar pritshmëri më pozitive se kundërshtarët e saj, që janë rreshtuar politikisht si armiq të reformës.

Reforma në drejtësi vazhdon të mbajë të ndarë politikën shqiptare nga shoqëria shqiptare, si një lakmus që tregon sa thellë ka shkuar thika mbi drejtësinë e vjetër.

Tre vjet pas miratimit të saj, reforma në drejtësi është nën akuzë nga kundërshtarët e saj pikërisht për suksesin e saj.

Krye-akuza është se vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese.

Po pse ka mbetur?

Se Vetingu ka hyrë thellë tek çdo kandidat për Gjykatë dhe i ka eliminuar.

Tani kjo që duhet të quhet sukses i Vetingut, po tenton të quhet dështim, çka tregon se beteja është për të ruajtur drejtësinë e vjetër.

Vendi ka mbetur po ashtu pa Gjykatë të Lartë.

Po pse?

Se Vetingu ka përjashtuar nga sistemi çdo kandidat që ka aplikuar për t’u bërë anëtar i saj.

Tani kjo duhet të quhet dështim apo sukses?

Natyrisht sukses për ata që duan një drejtësi të pastër dhe dështim për ata që duan drejtësinë e vjetër.

Reforma në drejtësi është në fazën e fundit të ngritjes së institucionit të saj më të rëndësishëm, SPAK, që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Për gati tre vjet ka qenë një betejë e vështirë procedurale për të arritur deri këtu. Janë eliminuar disa herë kandidatët dhe është bllokuar nga  kundërshtarët e reformës në institucione çdo procedurë që mund ta afronte formimin e tij.

Tani kjo është dështim apo sukses?

Natyrisht dështim për ata që shikojnë se SPAK po ngrihet, qoftë dhe me vonesë, dhe sukses për ata që kishin objektiv një drejtësi të pakapur.

Reforma në drejtësi ka rritur peshën e faktorit ndërkombëtar, SHBA dhe Bashkimit Europian në monitorimin e drejtësisë shqiptare. Ata veprojnë konform të drejtave që u kemi dhënë vetë me Kushtetutë në këtë pikë.

Kundërshtarët e reformës tashmë janë kujtuar të ngrenë akuza se kjo është humbje e sovranitetit të Shqipërisë dhe ndërhyrje në punët e brendshme, pasi në drejtësi po e bën ligjin SHBA dhe Brukseli.

Tani kjo është sukses apo dështim?

Natyrisht dështim për ata që ishin të kënaqur ta bënin ligjin në drejtësi me një telefon nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe sukses për ata shqiptarë që besojnë më shumë tek SHBA e Bruskeli, se sa tek Berisha e Meta.

Këta dy të fundit që bëjnë sikur ankohen se drejtësinë e ka kapur Edi Rama, në fakt ëndërrojnë ta kapë ai, se me atë rregullohen. Halli i tyre real është se në kokë të saj qëndrojnë SHBA e Brukseli.

Përpjekja për ta mallkuar një foshnjë tre vjeçare dhe për ta quajtur atë një fëmijë të vdekur, dhe mbrojtja pa hezitim që i bëhet drejtësisë së vjetër nga të njëjtat zëra, është në fund të fundit krye-arsyeja përse reforma është në rrugën e duhur.

Mbështetja entuziaste për të nga SHBA, nga kancelarja Merkel, nga Italia, nga Brukseli dhe fillimi i funksionimit të institucioneve të saj, janë shenjat e qarta se foshnja është e shëndetshme dhe po ngrihet në këmbë. Vajtocat e reformës të japin shpresë se ajo po bën gjënë e duhur.

Nëse do të shikonim Sali Berishën dhe Ilir Metën duke lavdëruar reformën, atëherë duhet të mendoheshim mirë se çfarë kishim bërë. Tani që i shikojmë duke qarë, mos u shqetësoni. Është ajo që duhet.



Skip to toolbar