Baze: Sot më 8 janar, në opozitë nuk gjen dot as njerëz për t’u rrahur

Më të fundit


Nga Mero Baze

Pamjet e 8 janarit të 2022 në selinë e SHQUP, do të mbeten ndoshta të vetmet në historinë e politikës shqiptare, si pamje të një lufte civile brenda një partie, ku njëra palë sillet si Vrana Konti në kështjellë, e tjetra si sulltani me hordhi kundër selisë së partisë, me qysqi, vare shkallë, e bomba tymuese.


Por ka një sinqeritet në gjithë atë betejë primitive poshtëruese dhe mbi të gjitha vdekjeprurëse për të ardhmen e opozitës shqiptare. Sinqeriteti kishte të bënte me Sali Berishën.

Ajo është mënyra se si ai lufton për pushtetin e tij. Ai ishte shkaku, arsyeja dhe fuqia e asaj ngjarje që poshtëroi PD në sytë e opinionit publik dhe e çoi atë drejt rrënimit përfundimtar për shkak të tij.

Por atë ditë më 8 janar 2022, palët ishin të ndara pro dhe kundër Berishës. Shumica dërmuese e grupit parlamentar dhe institucioneve të PD ishin kundër tij.

Salianji rrëmbeu shkopin e bejsbollit kundër njerëzve të Berishës, Grida përdori gjithë logorenë e saj kundër Berishës, dhe çfarë nuk kuptohej nga fjalët kuptohej nga vrenjtja e vetullave, Gazmend Bardhi përdori gjithë qartësinë e tij kundër Berishës, Ina Zhupa provoi dorën sefte për kameramane të Lulit kundër Berishës, Roland Bejko provoi sefte dhunën e Berishës kundër tij si armik dhe Lulzim Basha padyshim provoi fuqinë e blindimit të godinës.

Madje dhe dhëndri i Berishës atë ditë u bë i famshëm për shkak të mallkimeve ndaj Lulzim Bashës dhe përfytyrimit të tij se Luli i kishte marrë lekët me “strajce”. Atë ditë ishte e pakuptueshme pse me strajce, por tani që doli kjo histori e kullave është e qartë që është mënyra se si merren lekët.

Por deri atë ditë kishim dy palë, një shumicë pro SHBA dhe kundër Berishës, dhe një pakicë deputetësh pro Berishës që më shumë ngjanin si zjarrfikësa të punësuar me honorare.

Dy vjet pas 8 janarit të 2022, opozita është ende në luftë por palët nuk janë më ato që ishin më 8 janar.

Dy vjet më pas është bërë e qartë për të gjithë se beteja e Berishës ishte për hallin e tij, dhe nuk ka më dy palë.

Berisha dhe Basha janë dy skaje të një litari të zvogëluar. Në mes ka së paku katër grupime të tjera, të cilët po shikojnë rrotull tyre se çfarë mund të bëjnë.

Sali Berisha është i mbyllur në arrest shtëpie bashkë me dhëndrin për shkak të strajceve me lekë që kanë marrë nga pushteti. Deputetët që kanë ikur nga Basha nuk kanë shkuar tërësisht tek Berisha, pasi vazhdojnë të mendojnë se ai e ka gjithë luftën për hallin e vet dhe këta kanë hallin e tyre.

Dalja e Argitës si trashëgimtare e tij e ka shtuar dhe më tej pesimizmin e bashkimit, duke e futur secilin në mendime, se çdo bëjë me veten më shumë se sa çdo të bëjë me PD.

Në këtë njëjtën rrugë pa krye është futur dhe procesi ligjor i ndarjes së tyre, si një martesë toksike, ku palët akuzojnë njera- tjetrën për tradhti, me të njëjtin burrë, me Edi Ramën.

Për këtë arsye 8 janari i 2022 është më i sinqertë se 8 janari i sotëm. Më 8 janar 2022, Berisha i gjeti nja 50 veta me qysqi, vare, shkallë dhe bomba të sulmonin selinë, ndërsa Basha i gjeti nja 50 të tjerë që rezistuan brenda.

Sot më 8 janar, në opozitë nuk gjen dot njerëz as për t’u rrahur si dy vite më parë.

30 vetë që mblidhen tek pallati i Saliut, mund të rrihen vetëm me kamarierët kur u ikin pa paguar.

PD e Lulzim Bashës ka marrë një seli të re me qira që të mos i kujtohet më 8 janari dhe pse me letra i takon godina e 8 janarit. Tani që Berisha nuk shkon dot në seli mund ta merrnin më lehtë, por as të nuk e duan.

Dy vite më parë, u thyen dyer, xhama dhe u shembën mure, por njerëzit luftuan. Sot askush nuk i do më as muret për të cilat u rrahën as vulat dhe siglat dhe mbi të gjitha, as partinë për të cilën u rrahën.

Sot s’kanë më as dëshira, as objektiva pas shpresë.

17 kullat që drejtësia ka nxjerrë në dritë për familjen e Berishës, e kanë shpjeguar qartë 8 janarin e 2022, dhe i kanë çmobilizuar të gjithë që mendonin se luftonin për SHQUP, por në fakt ishin duke u vrarë për kullat.




Skip to toolbar