Baze: Sulmet alogjike kundër drejtësisë si frikë nga e vërteta 

Më të fundit


Gjithë interpretimi që një pjesë e opozitës po përpiqet t’i bëjë fushatës agresive të SPAK kundër zyrtarëve të lartë në pushtet, bazohet në një shtyllë kryesore. Sipas tyre kjo është një betë e Edi Ramës për të spastruar të vetët, dhe jo një betejë e drejtësisë, kryesisht SPAK.

Me këtë fabulë ata përpiqen të bëjnë politikë për gjithçka.

Së pari, duan t’i heqin kredibilitetin SPAK duke e konsideruar një vegël të Edi Ramës. Me këtë sulm ata i qëndrojnë besnik qëndrimit të tyre të përhershëm kundër reformës në drejtësi. Edhe pse janë shumë të kënaqur me arrestimet e SPAK, ata nuk duan t’ia japin këtë meritë drejtësisë së re, por duan të mbajnë në këmbë të tyre frymën mosbesuese ndaj drejtësisë.

Duke u përpjekur ta interpretojnë si betejë të Edi Ramës kundër të vetëve, shpresojnë se bëjnë diversion dhe nxisin ndonjë ndarje brenda pushtetit. 

Së dyti, duke përdorur këtë tezë po forcojnë dita ditës tezën se Rama është një udhëheqës që i lëshon njerëzit e vet dhe nuk i mbron nga drejtësia. Krahasimi bëhet nëpër tavolina gjithmonë duke pasur parasysh Berishën, që nuk dorzoi as djalin, as vajzën, as ish- drejtorët e lartë që vranë Remzi Hoxhën, as ata që vranë më 21 Janar, as ata që manipuluan provat.

Pra duke bërë krahasimin mes dy kryeministrave, përpiqen të nxjerrin “burrërinë” e Berishës përballë drejtësisë, dhe dobësinë e Edi Ramës që i lëshon të gjithë.

Së treti, me këtë qëndrim i dalin të keqes përpara nëse SPAK lëviz në drejtim të ndonjë dosje që prek Berishën dhe Metën. Shfaqja e Petrit Vasilit në dyert e SPAK për pagesat me lidhje ruse për LSI në Uashington apo hetimi i dosjes së kompleksit Partizani janë makthe që enden në ajër dhe dy liderët e opozitës duan të jenë “koherentë” kur ta sulmojnë SPAK përsëri.

Dhe për të kuptuar sa alogjik dhe idiot është qëndrimi fals i tyre ndaj betejës për drejtësinë mjafton t’u bësh pyetjen: “Meqë Rama e ka në dorë SPAK, pse nuk arreston Berishën dhe Metën, por arreston vetëm të vetët?”

Nëse është kështu, i bie që ai ka pazar me Berishën apo Berisha është një ushtar i tij. Dhe kjo është dhe më e rëndë për opozitën se sa fakti që SPAK të ishte i lirë dhe të godiste në të dy krahët.

E vërteta është se SPAK po godet fort dhe po godet shumicën në pushtet. Është logjike, pasi aty ka dhe histori korrupsioni të reja.

Është po aq e vërtetë që Edi Rama jo vetëm nuk ka ndikim në SPAK, por nuk ka ndërmend të bëjë betejë as për të vetët që dorëzohen në SPAK. Rasti i Arben Ahmetaj e dëshmoi qartë vullnetin e tij, edhe pse u rrethua nga zëra për ta mbrojtur nga burgosja paraprake.

Dhe është pikërisht ky qëndrim i Edi Ramës që tremb opozitën më shumë se SPAK, pasi nëse i ndodh ndonjë ngjarje, do të jetë qesharake pastaj të shkojnë prapë në sallë të gjyqit siç shkojnë për Salianjin dhe per gardistët e 21 Janarit. Deri tek nëna dhe babai, vjehrri, vjehrra, u ka kuptim të shkojnë në sallë. Më tej do jetë tepërim.



Skip to toolbar