E hëna e 13 nëntorit do të bëjë bashkë Bashkimin Evropian me Ballkanin Perëndimor.
Kjo, përmes ministrave të Jashtëm të vendeve respektive. Vendi pritës do të jetë Brukseli, ndërsa kryesuesi i takimit do të jetë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Bashkimi Evropian mbështetet në anëtarët e saj të ardhshëm për përgjigje të bashkuara ndaj sfidave aktuale gjeopolitike nëpërmjet solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë”.
Kështu shkruhet në njoftimin zyrtar të BE-së, i shpërndarë në median sociale X (dikur Twitter).
Përmes një videoje shpjeguese, janë bërë me dije dhe temat që pritet të diskutohen.
“Ata do të diskutojnë për sfidat e përbashkëta të sigurisë, bashkëpunimin në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përgatitjen e ngjarjeve të ardhshme të nivelit të lartë, angazhimin politik midis BE-së dhe rajonit janë thelbësore.
“Përgjigja jonë ndaj sfidave aktuale gjeopolitike është solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë. Të ndërtojmë qëndrueshmëri dhe ta promovojmë paqen, sigurinë dhe demokracinë në kontinentin tonë”, thuhet në njoftim.
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen me homologët e tyre nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pas publikimit të Paketës së re vjetore të Zgjerimit dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej gjashtë miliardë eurosh për periudhën 2024-2027.
Para këtij takimi me gjashtëshen ballkanike, ministrat e BE-së do të diskutojnë për situatën në Izrael dhe në rajonin e Lindjes së Mesme. Ministrat do të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe do të diskutojnë nisjen e bisedimeve të pranimit me Ukrainën dhe ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën në afat të gjatë.
Agjenda mbulon gjithashtu zhvillimet aktuale në Armeni dhe Azerbajxhan, si dhe dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike të Evropës.
Kujtojmë se BE ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.
Komisioni Evropian njoftoi propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllimin stimulimin e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin socio-ekonomik.