Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga autoritetet në Serbi që ta garantojnë punën e papenguar të gazetarëve dhe t’i hetojnë rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale të tyre.
Mediat proqeveritare të Serbisë publikuan ditë më parë të dhënave personale të gazetarëve, përfshirë nga Kroacia, të cilët janë akuzuar edhe si “agjentë të huaj që kanë ardhur në Serbi për nxitur protesta dhe për të sulmuar rendin kushtetues”.
“Liria e mediave është një gur themel kyç në një shoqëri demokratike dhe e drejtë themelore në BE. Prandaj është edhe element kyç në procesin e integrimit të Serbisë në BE. Është e domosdoshme që gazetarët të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në një mjedis ku nuk ka asnjë kërcënim apo dhunë, frikësim apo keqtrajtim në mënyrë që të sigurohet qasja e qytetarëve në të gjitha informatat”, thuhet në reagimin e BE-së.
Para disa ditëve Vojislav Sheshel, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, në një emision televizion në Serbi publikoi dokumentet identifikuese të disa personave, përfshirë edhe të një gazetari nga Kroacia, duke thënë se ata janë “spiunë të Kroacisë”.