BE ka nevojë për një milion emigrantë në vit, por gardhet me tela po shtohen

BOTA


Bashkimi Evropian ka nevojë për një milion emigrantë (të rregullt) çdo vit për të kompensuar një krizë demografike.

Kjo është deklarata e ardhur nga vetë Komisioni Evropian.

Komentet e bëra në Athinë, nga komisionerja e çështjeve të brendshme të BE, Ylva Johansson, vijnë në një kohë kur vetë liderët evropianë po bëjnë “luftë” për reforma më të ashpra për ndalimin e emigrantëve.

Yohansson vuri në dukje se rreth 3.5 milionë migrantë tashmë mbërrijnë në mënyrë të ligjshme çdo vit, krahasuar me rreth 300 mijë që hyjnë në mënyrë të parregullt.

Një dokument i Komisionit Evropian parashikon shifra edhe më të larta, duke vënë në dukje se pa migrim, popullsia e punës së BE-së do të bjerë nga 334 milionë, që nga viti 2014, në rreth 238 milionë në vitin 2060.

Dhe parashikimet e fundit të popullsisë nga Eurostat, zyra statistikore e BE-së, sugjerojnë se popullsia e BE-së do të rritet deri në vitin 2026, kur do të arrijë kulmin në 453.3 milionë, pas së cilës parashikohet të ulet gradualisht në 447.9 milionë deri në vitin 2050, përpara se të bjerë më shpejt.

Është fakt tashmë se Evropa ka një mungesë në rritje të punëtorëve, veçanërisht në sektorë me kualifikim të ulët si ndërtimi ose kujdesi për të moshuarit.

Por, mjerisht, migrimi nuk është i përshtatshëm për një arsyetim të tillë.

Vendet kanë kufij për arsye të mira; nevojat ekonomike shpesh i nënshtrohen imperativave politike.

Megjithatë, rezultati përfundimtar është se Evropa po vendos në të njëjtën kohë: gardhe me tela e gjemba dhe pankarta “në kërkim të punëtorëve”.

Ndërkohë, mijëra po mbyten ndërsa përpiqen të arrijnë një vend që së shpejti mund të kuptojë se ka nevojë për ta.

Pra, migrimi është, mjerisht, përsëri në ballë të politikës së BE-së.

Nëse një gjë i bashkon politikanët në BE, është siguria se një politikë e gabuar mbi migracionin do t’u kushtojë atyre vendin e punës.

Kontinenti gjithsesi vuan nga ndarjet e vjetra.

Vendet e Evropës Jugore si Italia dhe Greqia ankohen se mbajnë peshën kryesore të rregullave të BE-së, të cilat detyrojnë vendet ku mbërrijnë emigrantët të përballojnë shpenzimet e përpunimit të tyre, edhe pse shumica e emigrantëve duan të përfundojnë në vende si Gjermania dhe Suedia.

Këto vende të pasura mendojnë se jugorët po shkelin rregullat duke dështuar të ndalojnë emigrantët teksa shkelin në BE.

Askush nuk e di pse numri i emigrantëve po rritet.

Disa po ikin nga persekutimi, megjithëse shumica e atyre që mbërrijnë në Evropë përfundimisht mendohet se duan të lëvizin për arsye ekonomike dhe kështu do t’u mohohet statusi i refugjatit.

Megjithatë, migrantët ekonomikë janë pikërisht ajo që kërkojnë shumë vende në BE, mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe parashikimeve të tmerrshme demografike.

Italia ka njoftuar se do të lëshojë 425 mijë leje pune për shtetasit jo të BE-së deri në vitin 2025.

Gjermanisë i duhen 400 mijë punëtorë të huaj në vit, teksa dalin në pension të rriturit.

Greqia ka miratuar mënyra për të rregulluar migrantët pa dokumente që të punojnë.

Edhe Evropa Qendrore, e cila prej kohësh heziton të pranojë emigrantë, po sjell shumë.

Në fakt nuk është e natyrshme të thuhet se një mungesë e aplikantëve për punë në Evropë do të plotësohej më së miri nga kushdo që është i gatshëm të paguajë kontrabandistët për t’i çuar ata atje.

Por sigurisht ekzistojnë mënyra më të mira për të pajtuar gropën në tregjet evropiane të punës me fluksin e emigrantëve që dëshirojnë ta mbushin atë.

“Evropa është tashmë në mes të një beteje globale për fuqinë punëtore që do të bëhet më e ashpër me kalimin e kohës”, thotë Michael Spindelegger, kreu i Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit në Vjenë.

Më shumë se 2 mijë e 500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur duke u përpjekur të kalonin Mesdheun.

Kjo është një njollë në një kontinent që i pëlqen ta konsiderojë veten një forcë për të mirën në botë.

Në betejën e saj kundër migracionit të paligjshëm, Evropa nuk duhet të harrojë se nesër ajo mund të ftojë me mirësjellje pothuajse të njëjtët njerëz që po i lë sot të mbyten.

Përshtatur nga ” The Economist” dhe “EuObserber”



Skip to toolbar