Bashkimi Europian vijon me solidarizimin ndaj Shqipërisë dhe dhënien e ndihmës për përballimin e tragjedisë që la pas tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. BE ka mobilizuar tre ekipet e shpëtimit nga Greqia, Italia dhe Rumania, ndërsa theksoi se do të ofrohet ndihmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ambasadori Soreca tha se BE është përkrah Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë dhimbje, ndërsa njoftoi se janë dërguar ekspertë që do të vlerësojnë katastrofën e ndodhur në zonat e prekura nga tërmeti.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij janë duke qëndruar përkrah Shqipërisë dhe po punojnë pa ndalim për të ofruar ndihmë në këtë moment shumë të vështirë. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE dhe dhjetë Shteteve Anëtare të BE, janë aktualisht në terren për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore. Është një javë pikëllimi të thellë dhe tragjik për Shqipërinë. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë edhe një herë për popullin shqiptar dhe veçanërisht për familjet, miqtë dhe komunitetet e atyre që kanë humbur jetën” shprehet Soreca.