Pas zgjedhjeve të së dielës ku fitues doli Kyriakos Micotaqis i cili do të mbajë postin e kryeministrit të ri të Greqisë, pritet që gjatë ditës së martë qeveria e re të bëjë betimin.
Qeveria e re e Greqisë do të ketë 17 ministri.
Ajo që bie në sy dhe që do të duhet bashkëpunim edhe me Shqipërinë është emërimi i Nikos Dendiasit, në postin e Ministrit të Jashtëm, një prej figurave më të shquara të Demokracisë së Re.
Ai ka drejtuar Ministrinë e Rendit dhe më pas të Mbrojtjes në qeverinë e Andonis Samaras gjatë viteve 2012-2015.
Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, të cilës i është bashkuar edhe Ministria e Emigracionit, do të jetë Mihalis Krisohoidhis, i cili ka shërbyer në gjithë qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000. Ndërkohë, ministër i Mbrojtjes do të jetë Nikos Panajotopulos. Pas betimit që pritet të bëhet të martën mbledhja e parë e kabinetit të ri do të zhvillohet të mërkurën. Qeveria e re greke do të funksionojë sipas modelit të kancelarisë gjermane.