Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për Ilir Beqajn dhe bashkëpunëtorët, nën hetim për korrupsionin me fondet e BE në SASPAC, seanca është ndërprerë për 30 minuta, teksa ish-ministri ka kërkuar që të lirohet me garanci pasurore, 5 milionë lekë.
Në këtë seancë, e cila ishte parashikuar që të mbahej dje, po bëhet rivlerësimi i masave të sigurisë, 3 me arrest me burg dhe dy arrest shtëpie. Mësohet se para togave të zeza, Beqaj ka kundërshtuar fortë akuzat e SPAK.
Arrestimi i Beqjat dhe bashkëpunëtorëve të tij
Përveç ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqajt u arrestuan dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë Saspak, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në Shëndetësi. Prokuroria e Posaçme përmes një deklarate sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
SPAK thekson se fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thekson SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Sipas SPAK, restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.