Edhe një ceremoni përkujtimore, Berisha e ktheu në fushatë elektorale. Doktori ftoi qytetarët e Shkodrës ta sakrifikojnë edhe njëherë votën te PD, për nder të 4 martirëve të 2 prillit.
“Ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj.”
Vota për projektin e Shqipërisë Madhështore për Berishën, i bën të pavdekshëm 4 viktimat e 1991.
“Një Shqipëri ëndrre. Dhe ky është nderimi më i madh që u bëjmë ne martirëve të 2 Prillit që ranë për të fituar pavdekësinë me votën e lirë. Për të fituar pavdekësinë me shpirtin liridashës të çdo qytetari. Për të fituar pavdekësinë me dinjitetin njerëzor.”
I shoqëruar nga kandidatët apo dhe deputetët që i hoqi nga lista, doktorit i mungoi në ceremoni, Bardh Spahia, që para se të kerkojë vota me viktimat, po jep llogari edhe me të gjallët e drejtësisë.
Por vetëm prania e tij në lista, është një arsye më shumë, që doktori të sulmojë SPAK.
“Zoti Spahia na nderon në Shkodër. Bardh Spahia shkon në SPAK se ka zbatuar ligjin, ka mbrojtur kodin e një zyrtari, i cili nuk mund të pranojë delinkuentë në administratë. Pra, ai proces na bën nder të gjithëve ne dhe i bën nder Shkodrës dhe çdo qytetari.”