Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, deklaroi se Partia Demokratike nuk përfaqëson më shumicën e opozitarëve në vend, duke theksuar se kjo situatë ka ardhur si pasojë e drejtimit të Sali Berishës.
Ai u shpreh se, ndonëse PD ruan një bazë votash për shkak të historisë dhe burimeve financiare, një pjesë e madhe e opozitarëve janë larguar. Sipas tij, çdo kandidat tjetër përveç Berishës do të kishte shanse reale për të fituar përballë Edi Ramës, ndërsa Berisha shtoi ai ka zero shanse.
Më tej, gjatë bisedës, Ervin Salianji akuzoi strukturat drejtuese se kanë refuzuar kërkesat e kandidatëve pa argumente dhe se vendimmarrja është formale dhe jo transparente.
Ai vuri në dyshim edhe përfaqësimin dhe kontributin e disa figurave brenda PD-së, duke theksuar se mungesa e garës së vërtetë dhe meritokracisë po dëmton seriozisht opozitën.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Jo te kjo pjesa do debatojmë në një moment të dytë sepse unë kam një mendim pak më ndryshe nga ju, për sa i përket asaj që ju shihni si PD dhe unë shoh si opozitë. Unë nuk mendoj që sot edhe nga shifrat që kanë sondazhet, që sot monopolin e opozitës e ka PD, më vjen keq ta them. Sot PD është në vend të tretë, në vend të dytë është një tjetër.
Ervin Salianji: Shumica e opozitarëve nuk janë sot në Partinë Demokratike, për shkak të Sali Berishës. Por PD, si sigël për shkak të trashëgimisë, për shkak të traditës, burimeve financiare që i merr edhe nga buxheti i shtetit, etj, ka një numër të caktuar votash që me siglën e PD dhe me një kryetar tjetër jo me Berishën, kjo pjesa tjetër e opozitarëve i bashkohet. Cilido kandidat apo kryetar tjetër ka shanse duke nisur nga 0.1%. Sali Berisha shanset për të fituar me Edi Ramën, i ka zero përqind. I ka zero, cdo gjë që ta shumëzosh me zero del zero. Cdo kandidat tjetër, sado të jetë më i pafuqishëm, i dobët, apo i fortë, ka shanse duke nisur nga 0.1 deri në 100 përqind, shanse reale për ndryshim.
Sokol Balla: Po shikoja këtë shkresën e ditës që e nxorën me 1 maj, ditën e festës së punëtorëve apo protestave
Ervin Salianji: Po këto festat që kanë lidhje kryesisht me mbrojtje të grupeve të të majtës i ka qejf se ai është akoma në Partinë e Punës
Sokol Balla: Nejse këtë e ka bërë Gaz Bardhi, me thënë të vërtetën
Ervin Salianji: E ka bërë me sa duket KKOE
Sokol Balla: Ca është KKOE tani?
Ervin Salianji: I merr seriozisht këto?
Sokol Balla: Jo se më pëlqen kjo KKOE
Ervin Salianji: Komisioni i Organizimit dhe kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Sokol Balla: Ok, se thotë kërkesat e tjera të paraqitura, pra kërkesat tuaja se ndërkohë ra edhe znj. Mereme dhe një tjetër Vladimi Mulaj që nuk kishin problemin që keni ju, por nuk ishin figura të shquara, kërkesat e tjera, thotë shkresa nuk plotësohen kërkesat e paraqitjes nga anëtarët e PD, nuk mund të trajtohen nga KKOE dhe nga një organ tjetër të statutit të partisë, ky status përcakton norma dhe rregulla bashkëjetese midis anëtarëve të PDSH si edhe kompetencat dhe sjelljen institucionale të organeve të tjera.
Ervin Salianji: Ndalo pak këtu se është interesante kjo, po cilat janë kërkesat e tjera të partisë? Ku janë ku i gjejnë ata kërkesat e tjera, se janë edhe.. shiko një parti politike që ka disa njerëz se aty ka njerëz që kanë vlera realisht. Pra, ka kolegë aty që rrijnë të tërhequr por njerëz të tjerë
Sokol Balla: Ka edhe njerëz të tjerë të cilët kanë vlera, por kanë vënë firmën aty. Po shikoj Ivi Kason, që unë e vlerësoj
Ervin Salianji: Po për cfarë e vlerëson përshembull?
Sokol Balla: E vlerësoj se nga pikëpamja .. si jurist
Ervin Salianji: Po ca lidhje ka me politikën ?
Sokol Balla: Ok, aty po ke të drejtë
Ervin Salianji: Si ka ardhur në politikë? Ka bërë ndonjë betejë? Pra, cfarë përfaqëson?
Sokol Balla: Ivi ju pasoi ju në Korcë apo jo?
Ervin Salianji: Po çfarë përfaqëson? Një njeri që ka marrë rezultatin më të dobët historikisht në qarkun e Korcës, më të dobët, që mos kish qenë në listë të hapur Fidel Kreka, Kristi Kocibelli, etj do kishim dale me 3 mandate, për 400 vota PD humbte edhe mandatin e katërt. Rezultati më i turpshëm historik në qarkun e Korcës, pa asnjë eksperiencë, pa asnjë lidhje politike. Një njeri që nuk flet politikisht por flet si ku di unë se çfarë. Pra për cfarë vlerësohet? Si jurist? Po ka juristët e kooperativave apo ndërmarrjeve janë mirë, ne po themi jemi në fushën politike, pra cfarë ka këtu për t’u vlerësuar një jurist? Si jurist, cilat janë kërkesat e tjera të paraqitura, sepse nuk u pranuan. Sepse janë kaq të trashë sa nuk pranojnë asnjë kërkesë formale e marrin dhe kthjenë ashtu përgjigje formalisht.
Sokol Balla: Për dy kthyen, për ju të tjerët jo.
Ervin Salianji: Po kërkesat e tjera po them unë. Cili është kushti që nuk plotësoj unë? Unë nuk plotësoj këtë kusht, unë nuk jam sic janë këta, unë kam fituar në beteja elektorale, këta kanë humbur beteja elektorale. Kanë merak se mos mund edhe Edi Ramën, se Sali Berishën nuk diskutohej që e mund me votë në parti.
