Pas “sëmundjes” së heshtjes, Berisha: “kryengritje” por nuk bërtet “fitore”

AKTUALITET


Ish kryeministri Berisha është shfaqur të enjten në selinë blu, në një dalje të parë para mediave pas heshtjes së gjatë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai ka sulmuar ashpër Reformën në Drejtësi duke përdorur të njëjtat fjalë që përdori dhe presidenti Meta, që shpesheherë e përmend “Doktorin” në fjalën e tij, si për t’i çuar sinjal që vetëm ata të dy e dinë.

Berisha e cilësoi reformën në drejtësi, një pseudoreformë të Sorosit. Njëlloj si Meta që i dërgoi një mesazh filantropistit amerikan të cilin e akuzoi për ‘komplot kundër demokracisë në Shqipëri”.

“Ishte pseduoreforma e Sorosit që do t’i jepte Ramës të gjitha pushtetet dhe e shndërroni drejtësia në narkodrejtësi, mafia nuk heton veten e vet, ndaj edhe shqiptarëve mos u sugjerojnë gjëra galante sikur është vend me demokraci të plotë, por me drejtësi dhe gjithë pushtetet të kapura, që meriton të quhet Edvin Kristaq Avdyli, lala etj”, tha Berisha.

Ai tha sot se PD do të “vazhdojë kryengritjen popullore të fuqishme gjer në rivendosjen e pluralizmit politik dhe shporrjen e monstrës së pluralizmit Edvin Kristaq Rama”.

Por ajo që ra në sy ishte se thirrja për kryengritje popullore erdhi nga Berisha dhe jo nga Basha, i cili një natë më parë njoftoi se opozita do të zhvillojë të hënën më 8 korrik protestën e 10 kombëtare. Por në asnjë rresht të fjalës së tij Basha nuk përmendi fjalën kryengritje, por ndryshe nga Berisha bëri ftesë për protestë kundër diktaturës dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.



Skip to toolbar