Ndryshe nga kundërshtari i tij, Sali Berisha nuk e ka një afat për t’i premtuar shqiptarëve se kur mund ta anëtarësojë Shqipërinë në BE.
“A ka PD? PD ka deklaruar dhe deklaron se ylli polar i programit të saj do jetë integrimi i Shqipërisë në BE.
Mos më shtyjë të flas më shumë, se sapo jam kthyer nga atje çfarë thashë”.
Berisha sapo është kthyer nga Strasburgu, por në takimet e tij atje, shkëlqeu vetëm ai me Fredi Belerin. Ndryshe nga ai, Ramës europianët, i vijnë në Tiranë. Dhe doktori nuk e fshehu dot xhelozinë.
“Lëre mos e pyet. Kryeministri është famoz, kur shkon ai atje, të del para asaj audience dhe bën gjeste e gjëra sikur të ishte Suel Çela apo Safet Bajri.”
Berisha, i cili kandidon njerëzit e Çapjave në Elbasan, dhe ka marrë Elvis Roshin për fushatë në Kavajë, është i bindur se Shqipëria nuk futet në BE në 2030. Por para gazetarëve u përpoq fort, që fillimisht të bindte veten e tij. Për të, Kallas, ishte në Tiranë për hallet e veta
“Ajo është në tur rajonal tani, për çështje rajonale”
Por doktori më në fund dha një lajm të mirë për të vetët. Njeriu i mrekullive, Chris La Civita më në fund do të mbërrijë në Shqipëri në hapjen e fushatës së PD më 11 prill.
“Jo ai do jetë, ne hapjen e fushatës së jashtëzakonshme. Do jetë surprizë skenari. Rama u thotë socialistëve që iku La Civita, por kur ta shohë në fushatë.”
Kështu Sali Berisha konfirmoi se ndryshe nga PS, që nis fushatën më 12 prill, ai vetë do ta nisë një ditë më herët, me 11.
Partia Socialiste thotë se nisja e fushatës më 12 prill, lidhet me 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian.
Partia Demokratike e nis më 11 prill. Përvec datës zyrtare të nisjes së fushatës, e vetmja kujtesë në kalendar për 11 prillin është 40 vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës.