Bërryla Hajdarit, Lita akuzon Ruçin: Mos fut hundët, kryetar jam unë

AKTUALITET


Vazhdojnë përpjekjet për largimin e Rudina Hajdarit nga posti i kryetares së Grupit Demokrat në Parlament. Deputeti Korab Lita tha të enjten në një deklaratë për mediat se kryetar grupi është ai dhe se mirëpret deputetët e tjerë që duan t’i bashkohen këtij grupi. Ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që të mos fusë hundët në punët e grupit opozitar dhe të mos marrë në mbrojtje Rudina Hajdarin.

“Bazuar në njoftimet në media dhe informacionet nga Kuvendi, disa deputetë kanë shprehur dëshirën të na bashkohen, jam në pritje të shkresave të tyre. Shpreh mirënjohjen deputetëve që duan të na bashkohen. Grupi jonë ka pasur edhe raste pranimi edhe raste si ai i Andi Përmetit, që është rrëzuar kërkesa për pranimin e tij në grupin parlamentar.

Asnjë deputet nuk mund t’i bashkohet grupit, se do Gramoz Ruçi të mbajë Rudina Hajdarin në krye të grupit, i bëjmë thirrje të mos fusë hundët, atë nuk e vendos ai, por rregullorja jonë dhe deputetët. Grupi dhe unë si kryetar i shprehim mbështetjen për Rudina Hajdarin si bashkë-kryetare e reformës zgjedhore, pasi është kauza jonë kryesore. I tërheqim vëmendjen se aty është si përfaqësuese e opozitës parlamentare dhe jo përfaqësuese ‘ad hoc’ e Gramoz Ruçit”, tha Lita.

Për më shumë se 2 javë deputetët e opozitës në parlament janë përçarë për postin e kryetarit të Grupit që mbahet nga Rudina Hajdari. Në datë 11 tetor 7 deputetë të këtij grupi parlamentar në një mbledhje të fshehtë vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit. Por disa orë më pas disa nga deputetët e këtij grupi u tërhoqën nga firma duke u përçarë. Rudina Hajdari akuzoi Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi. Madje Hajdari akuzoi Bashën dhe Ramën se po bëjnë përpjekje për ta mënjanuar atë nga roli që ajo ka në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe që ka si qëllim ndryshimin e sistemit zgjedhor.

I vendosur përballë kësaj situate me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh të enjten e kaluar në përfundim të seancës plenare teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin. Vendimi i Ruçit është pritur me duartrokitje nga deputetja Rudina Hajdari e cila vijon të jetë zyrtarisht kryetare e grupit demokrat në parlament./realstory.al



Skip to toolbar