Policia e Durrësit ka arrestuar shoferin e një autobusi të linjës urbane në qytetin e Durrësit, pasi kishte lënë derën e mjetit hapur dhe për pasojë fatorinoja e autobusit ishte rrëzuar duke marrë disa plagë. Sipas një njoftimi të policisë, mësohet se personi me inicialet S.K., 52 vjeç shofer i autobusit të linjës së Unazës në Durrës, paraditen e të dielës ka drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Në këto kushte, pas nisjes nga stacioni, shoferi nuk ka bërë mbylljen e dyerve të autobusit. Kështu, fatorinoja, shtetasja me inicialet S.T. 50-vjeçe, ka rënë prej mjetit duke marrë dis plagë. Ajo është transportuar menjëherë për në spital ku ka marrë mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shoferi i urbanit është ndaluar nga punonjësit e policisë. Atij i është kryer testi i alkolit dhe ka rezultuar se ka qenë në i dehur. Në këto kushte ky shtetas është arrestuar nga policia për akuzën e “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ” Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.