Bilanci i policisë për informalitetin, u goditën 309 biznese

AKTUALITET


Drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike Lutfi Minxhozi ka bërë publike të mërkurën bilancin e luftës kundër informalitetit, ndërsa bëri me dije se janë arrestuar 39 persona, kryesisht për fshehje të të ardhurave dhe mos lëshim kuponi.

Minxhozi bëri të ditur se në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 1,764 subjekte të ndryshme, ndër to 892 shërbime vend-pushimesh, 703 lokale në bregdet, 321 hotele, 8 subjekte karburantesh, 55 ndërtime pa leje, 59 raste për territore të pushtuara dhe në 309 subjekte të tjera.

“Janë proceduar penalisht 348 subjekte të gjetura në shkelje dhe materialet i kanë kaluar për ndjekje penale prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse.

39 persona janë arrestuar e ndaluar për veprat penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, “Mos lëshim kuponi tatimor dhe ushtrim aktiviteti tregtar të paligjshëm”, “Mospagim i taksave dhe i tatimeve”, “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Ndryshimi në aparatet matëse”, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Ndërtim i pa ligjshëm”, “Shkatërrim i pronës”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në 169 raste, subjekteve u janë vendosur gjoba dhe në 71 raste janë marrë masat e bllokimit të aktiviteti për subjekte të ndryshme nga organet tatimore”, ka njoftuar Minxhozi.

Në kuadër të luftës kundër informalitetit janë proceduar penalisht 64 zyrtarë të administratës të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa 5 punonjës janë arrestuar dhe 1 është  shpallur në kërkim.

Minxhozi ka bërë të ditur se Strukturat e Policisë së Shtetit dhe veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Ekonomike po vijojnë operacionin anti-informalitet dhe aktualisht janë fokusuar në subjektet e mëdha në fushën e ndërtimit, hidrokarbureve dhe tregtisë me mallrat e akcizës.



Skip to toolbar