Mbi 1 mijë të arrestuar në 9 muaj. Kapet vrasësi turk

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës që nga janari e deri tani, duke njoftuar se janë arrestuar 1187 persona të shpallur në kërkim, ndërkohë që së fundi është ndaluar në Rinas një vrasës turk i kërkuar nga Zvicra.

“Në orët e fundit në Rinas, në dalje, Policia Kufitare ka kapur dhe ndalur shtetasin turk T. N., 35 vjeç, i kërkuar nga Zvicra për vrasje. Gjithashtu, vlen të përmendet arrestimi dhe ekstradimi drejt Finlandës i një shtetasi të huaj, i cili figuronte në listën e personave më të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe fshihej në territorin shqiptar”, bëri të ditur zëvendës drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj. 

Zëvendës drejtoresha ka vlerësuar bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë por edhe me qytetarët, falë raportimeve të tyre është bërë i mundur arrestimi i një sërë personave të shpallur në kërkim.

“Falë punës dhe angazhimit të shërbimeve të policisë, prej 1 janarit deri sot, janë kapur dhe ndalur 1 187 persona të shpallur në kërkim kombëtar, për vepra të ndryshme penale,  konkretisht:

• 77 persona të kërkuar për krime të rënda kundër personit dhe pronës, si vrasje, rrëmbim personi dhe shkatërrim të pronës me eksploziv.

• 100 persona për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe 37 për trafiqe të paligjshme.

• 154 persona për krime në fushën e krimit ekonomik e financiar, si pastrim parash, korrupsion dhe krime kompjuterike.

• 110 persona për dhunë në familje, 709 persona për krime kundër personit, pronës dhe për krime mjedisore.

Vlen të theksohet se falë bashkëpunimit me qytetarët, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar 259 persona të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, ndër ta edhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, bëri të ditur Hajnaj.

Ndërsa falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë janë kapur dhe arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi, 129 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga këta: 99 shtetas shqiptarë dhe 30 shtetas të huaj.

“Vlen të përmendet bashkëpunimi i Interpol Tiranës me Zyrën e Hetimeve Kriminale, pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), falë të cilit u bë i mundur ekstradimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë, i dy shtetasve shqiptarë, njëri prej tyre më rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 15 vite burg, si dhe ekstradimi i tre shtetasve drejt SHBA-së.

Gjithashtu, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Tirana dhe homologëve është bërë kapja dhe ekstradimi drejt Shqipërisë i disa personave shumë të kërkuar, pjesëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, persona të dënuar me burgim të përjetshëm dhe disa prej tyre me mbi 15 vjet burg për vrasje, si dhe janë kapur në Shqipëri për llogari të homologëve, gjithashtu persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore në vendet e tyre”, bën të ditur Hajnaj.

Policia e Shtetit ka krijuar një njësi speciale për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim, që i fshihen drejtësisë.

Në përfundim Hajnaj ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë, duke ju siguruar anonimat të sigurt dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.



Skip to toolbar