Bindja Demokratike kërkon hapjen e kutive. Nuk bindet për humbjen

AKTUALITET


Bindja Demokratike i është drejtuar me një tjetër kërkesë Komisionit Qendror Zgjedhor nga i cili kërkon hapjen e kutive të votimit pasi pretendon se kutitë janë mbushur me vota më shumë se sa ka pasur votues të pranishëm.

Sipas përfaqësuesit të Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj në kuti janë hedhur votat e emigrantëve që nuk kanë qenë të pranishëm në Shqipëri ditën e zgjedhjeve dhe për këtë ai ka kërkuar të bëhen verifikime në sistemin TIMS. Ai tha se në gjithë qendrat e votimit në Bashkinë e Sarandës ka parregullsi, dhe duhen hapur të gjithë kutitë për të bërë verifikimet.

“Të hapen të gjitha materialet zgjedhore në kuti, mes votave dhe atyre qytetarëve që rezultojnë në lista që kanë votuar. Kjo bëhet krejt lehtësisht që ky proces mund të ndihmojë sistemi TIMS, për të bërë një ballafaqim mes atyre që rezultojnë të kenë votuar më 30 qershor me sistemin TIMS, dhe do kuptoni që shumë shqiptarë që nuk kanë qenë në Shqipëri, rezultojnë votues në Sarandë. Pra kërkojmë të hapen kutitë për zonën e Sarandës. Kodi Zgjedhor e thotë që është i detyruar KQZ të japë gjithë provat që subjekti zgjedhor nuk ka pasur mundësi t’i disponojë më parë”, tha Topallaj.


Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji tha se bëhet fjalë për një tymnajë, një shashkë që po i hidhet procesit zgjedhor. Ai tha se për të shkuar tek hapja e kutive të votimit, duhet që të paktën njëri nga vëzhguesit e Bindjes Demokratike të kishte bërë një ankimim ditën e zgjedhjeve për  parregullsitë që mund të kishte konstatuar gjatë procesit.

Edhe Denar Biba, anëtar i KQZ-së kërkoi që Bindja Demokratike të jepte prova konkrete dhe të mos bënte kërkesa të pabazuara në materiale e prova. Në përfundim KQZ rrëzoi kërkesën e BD për hapjen e kutive në Sarandë.

Bindja Demokratike ishte e vetmja forcë opozitare që pati disa kandidatë përballë kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por nuk mundi të fitojë asnjë bashki. Fill pas zgjedhjeve kreu i partisë, Astrit Patozi ankimojë rezultatin e zgjedhjeve duke akuzuar KQZ se e la Bindjen pa komisionerë në qendrat e votimit dhe të numërimit dhe hodhi akuza për manipulim votash. Por në bazë të Kodit Zgjedhor, vetëm partitë parlamentare mund të përfaqësohen me komisionerë në QV dhe KZAZ.



Skip to toolbar